E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi i GJND-së do ta stabilizojë edhe Maqedoninë

Veton Surroi

Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) së Hagës në favor të ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës do ta stabilizojë edhe Maqedoninë, konsideron analisti i njohur kosovar, Veton Surroi, ligjëratës së të cilit, të mbajtur këto ditë në Institutin amerikan për Paqen të Uashingtonit, i referohet “Zëri i Amerikës” (seksioni maqedonisht). Sipas këtij të fundit, Surroi, midis të tjerave, vuri në dukje se idetë për ndarjen e Kosovës dhe shkëmbimin e popullsive e të territoreve i përkasin së kaluarës dhe se ato vetëm se do të çonin te kthimi i kohës së luftërave në kohën kur rajoni ynë, brenda një dhjetëvjeçari, duhet të integrohet tërësisht në BE. “Ndarja është një ide e keqe jo vetëm për Kosovën, por edhe për shtetet e tjera të Jugosllavisë së dikurshme. Kur kam qenë përfshirë që të ndihmoja për hartimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, edhe atëherë kam qenë kundër ndarjes së Maqedonisë, sepse konsideroja se kjo ishte një ide e keqe për Maqedoninë, maqedonasit e shqiptarët dhe për të gjithë të tjerët”, theksoi Surroi, duke shtuar se vendimi i GJND-së do të ndikojë në mënyrë stabilizuese edhe në rajon, përfshi edhe Maqedoninë dhe se ai konfirmoi edhe faktin se Maqedonia veproi drejt, duke e njohur Kosovën.

Sa i përket mosmarrëveshjes për emrin mes Maqedonisë e Greqisë dhe nëse konfirmimi i pavarësisë së Kosovës e thekson tani çështjen e emrit si çështjen e radhës që duhet të zgjidhet, analisti Surroi, sipas “Zërit të Amerikës”, vuri në dukje se zgjidhja që do të arrihet, duhet të jetë në favor të integrimit euroatlantik të Maqedonisë. “Gjithnjë kam shpresuar se duhet të ketë një zgjidhje të arritur me marrëveshje. Duhet të arrihet deri te një zgjidhje që t’i shërbejë qartë ecjes së Maqedonisë në rrugën e integrimit në NATO dhe BE”, theksoi Surroi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›