E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me të rinj

Selektori i përfaqësueses së Kosovës në basketboll, Agim Kasapolli, të premten e ka publikuar listën me emrat e lojtarëve, të cilët do ta bartin fanellën e reprezentacionit kosovar në ndeshjen All Star ndaj ekipit të përbërë me basketbollistët e huaj që aktivizohen në Kosovë, që zhvillohet më 24 mars në Prizren (19:30).

Në listën e Kasapollit figurojnë emrat e 12 basketbollistëve, katër prej të cilëve vijnë nga Sigal Prishtina, tre nga Trepça dhe nga dy lojtarë prej Pejës e Bashkimit, kurse vetëm një nga Kolegji EuroSport.

Kasapolli pohoi se ka kërkuar nga trajneri i Bambit, Miomir Dashiç, emrin e një basketbollisti serb për ta futur në përfaqësuese, por Dashiç ende nuk e ka bërë një gjë të tillë.

“Nëse Dashiç ma propozon ndonjë emër nga Bambi, atëherë ai do të bëhet lojtari i 13-të i përfaqësueses për këtë ndeshje”, tha Kasapolli në një konferencë për media të mbajtur të premten në Prishtinë, në të cilën e prezantoi Albert Sylejmanin si ndihmës të parë të tij.

Ashtu siç pat paralajmëruar kur u pat emëruar selektor, Kasapolli kryesisht në ekip ka futur lojtarë të rinj, derisa rolin e kapitenit ia ka besuar lojtarit kyç të Sigal Prishtinës, Edmond Azemi.

“Më i moshuari nga të ftuarit e mi është Artan Kurti. Kurti është basketbollist cilësor, por projekti im bazohet në basketbollistë të gjeneratave më të reja. Por, Kurtin e kam ftuar pasi është prizrenas, pra nga vendi ku zhvillohet ndeshja dhe vendosa ta ftoj në ekip”, pohoi Kasapolli i cili shprehu brengën e tij që nuk do të mund të llogaritë në shërbimet e qendrës së Sigal Prishtinës, Blerim Mazreku.

“Mazreku është qendra e vetme që mbulon trapezin dhe manovron mirë. Fatkeqësisht ai nuk do të mund të na bashkohet, pasi do të udhëtojë drejt Katarit, ku mendon ta vazhdojë karrierën”, pohoi Kasapolli.

Ai tha se ka kërkuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) që t’i mundësohet ndonjë tubim ekipit kosovar para ndeshjes. Por, këtë mundësi e ka përjashtuar drejtori i përfaqësueses së Kosovës nga FBK-ja, Artan Rugova, i cili tha se ekipi do të hyjë direkt në ndeshje pa e zhvilluar asnjë stërvitje të përbashkët.

Ndërkohë, Rugova tregoi se FBK-ja po mban kontakte me drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kroacisë dhe asaj të Malit të Zi, me qëllim që t’i organizohet një ndeshje miqësore Kosovës gjatë verës në Prishtinë me ndonjërën prej këtyre dy reprezentacioneve.

Basketbollistët e ftuar
Basketbollistët që i ka ftuar në përfaqësuesen e Kosovës selektori Agim Kasapolli për ndeshjen All Star ndaj ekipit të përbërë me lojtarë të huaj që aktivizohen në Kosovë janë: Edmond Azemi, Granit Rugova, Muhamet Hasani, Alban Veseli (Sigal Prishtina), Fikret Hangjiq, Drilon Hajrizi, Gazmend Asllani (Trepça), Artan Kurti, Fisnik Mehmeti (Bashkimi), Vigan Radoni, Ron Grapci (Peja), Fisnik Juniku (Kolegji EuroSport).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›