E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më thuaj CV-në tënde

Kompleksi ndaj së kaluarës, është ende një plagë e rëndë për shumë nga përfaqësuesit e popullit shqiptar në Kuvend. CV-të e tyre janë të mbushura me diploma të dyshimta, mastera dhe tituj të habitshëm apo qoftë edhe me trajnime dhe udhëtime jashtë shtetit që tingëllojnë thjesht, qesharake

Dosja prej lëkure e deputetit Tom Doshi që fluturoi në fytyrën e djaloshit që punonte për llogari të një blog-u nga Serbia, jo vetëm që i theu atij syzet, por hapi edhe një debat të madh në Shqipëri. A janë të vërteta të gjitha deklarimet që deputetët dhe përfaqësuesit tanë bëjnë në CV-të e tyre? Të gjitha ato diploma, specializime, vlerësime dhe tituj. Edhe nëse ato ekzistojnë apo kanë ekzistuar ndonjëherë, a kanë ndonjë kuptim në një parlament si ky që përfaqëson sot kaq deformueshëm shqiptarët? A meritohen vërtet ato nga njerëzit që i mbartin? Një vështrim i shpejtë në disa nga CV-të që vetë deputetët shqiptarë kanë publikuar në faqen e internetit të Kuvendit, është një ofendim i vërtetë për kujtesën e atyre që kanë parë skena të vërteta spektakli nga përfaqësuesit e popullit që paraqiten aty kaq të hiper-kualifikuar. Jo vetëm skena dhune, rrahjesh, nxirje sysh apo sharje të kalibrit të periferive perëndimore të Tiranës. Por edhe sjellje të tjera ku hyn paburrëria, tradhtia, mashtrimi, matrapazllëku etj, i çarmatosin tërësisht të thënat kurrikulare. Në faqen www.parlament.al informacioni me karakter fantashkencor është i bollshëm ndoshta edhe sepse të rrallë janë zgjedhësit që e “survejojnë” veprimtarinë e të zgjedhurit të tyre përmes internetit. Si fillim, duhet sqaruar se pjesa dërrmuese e deputetëve shqiptarë nuk janë mjaftuar vetëm me një diplomë universitare. Shumica e tyre disponojnë edhe nga një diplomë të dytë të post viteve 90, si për të vërtetuar se edhe diploma e tyre e parë, nuk është marrë kot, pasi ata janë “të konvertueshëm” në të dyja sistemet. Në CV-në e deputetit Ndre Legisi për shembull shkruhen të dyja diplomimet e tij, jo vetëm ajo e vitit 1990 në Fakultetin e Agronomisë në Institutin e Lartë Bujqësor, por edhe ajo e reja, e vitit 1996 në fakultetin juridik. Tek ajo e Aleksandër Biberajt, përmendet edhe diploma jo fort elitare e Politeknikut në degën e elektronikës më 1990, por edhe ajo e reja e Fakultetit Ekonomik, Departamenti i Menaxhimit e shoqëruar edhe me një mbrojtje doktorature po aty. Taulant Dedja ka edhe diplomën e Akademisë së Arteve, dega Violinë, por edhe atë të ekonomisë në Universitetin Montesquieu-Bordeaux IV, Francë dhe më saktësisht siç shkruhet në vetë CV-në: “Diplomë Ndërkombëtare: Menaxhimi Ekonomik (Niveli, Cikli III/Master), tema e Diplomës "Menaxhimi i burimeve njerëzore në Bankën e Shqipërisë". Ambientalisti Lufter Xhuveli, pak kush e di, por sipas CV-së së tij është një ndër 2000 evropianët më të shquar të shekullit XXI. Është fitues i çmimit "Një në Një Milion", IBC, Cambridge, Angli, 1993, është një ndër “500 njerëzit me Influencë, 1994,1995”, dhe gjithashtu po këtë vit është shpallur ndër “Njerëzit e Shquar Ndërkombëtarë”, etj etj. Lista mund të vazhdojë shumë gjatë dhe nëse në të do të përfshihej edhe sasia e pabesueshme e cilitdo specializim, workshop, trajnim apo edhe udhëtimi të thjeshtë jashtë shtetit që deputetët tanë e radhisin madje si meritë në CV-të e tyre, atëherë ky artikull do të duhej të botohej me seri në disa numra rresht. Në listën e kurrikulumeve të deputetëve shqiptarë në faqen e Kuvendit, mund të habitesh nëse zbulon se po ai deputet që sapo është përfshirë në ndonjë sherr masiv, apo qoftë edhe në një komplot të pafytyrë, thotë se është gjithashtu botues i “shumë artikujve me natyrë shkencore në periodikë të ndryshëm vendas dhe të huaj”. Edhe më herët shoqata të ndryshme kanë konstatuar se sa e lartë është në institucionin tonë më të lartë përfaqësues, përqindja e ish-policëve, ish-tregtarëve apo atyre që pak kanë të bëjnë me politikën dhe politikat dhe sa e ulët ajo e politologëve apo së paku dikujt që merr disi erë nga marrdhënia me njerëzit a popullin që shpesh përgjithësohen nën siglën “publiku”. Por teksa incidenti i fundit i nxehu gjakrat dhe madje e bëri edhe raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit të tingëllojë paksa artificial teksa fliste për kapitullin sesi respektoheshin të drejtat e gazetarëve në këtë vend të vogël ku - (dhe kjo vlen për të gjithë) - sa më impresionuese CV-ja aq më e fortë dehja për masat, unë rashë në një CV të vetë gazetarit të dhunuar nga deputeti: “Besar Likmeta ka mbaruar Universitetin në Shtetet a Bashkuara. Ai gjithashtu ka shruar edhe për shumë gazeta Amerikane si “Businessweek” dhe “Florida Times Union”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›