E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të vegjël dhe të druajtur

Partitë e vogla të së djathtës hezitojnë të shqiptojnë ndonjë qëndrim për propozimin e ri për sistemin

Ideja e hedhur nga kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi për të bërë një korrigjim tek propozimi i Partisë Socialiste për ndryshimin e sistemit zgjedhor, nuk njihet akoma qartësisht nga ana e partive të vogla të krahut të djathtë. Edhe pse skema u prezantua publikisht dhe mediat kanë disa ditë që po e trajtojnë atë, partitë aleate të djathta shprehen se nuk janë akoma në dijeni të një skeme apo zgjidhjeje përderisa ajo nuk u është propozuar konkretisht atyre. Dështimi i tryezës së djeshme të partive të djathta, e ka shtuar edhe më shumë ndjenjën e ankthit mes tyre nëse duhet të prononcohen me kokën e tyre apo thjesht të presin ndonjë sinjal nga “i madhi”. Sidoqoftë një pjesë e mirë e partive të djathta janë të bindur në një zgjidhje përfundimtare që mund të prodhohet nga takimi i shumëpritur me kreun e PD-së, Berisha. Me përjashtim të PDR-së e cila shprehet kundër sistemit proporcional, partitë e tjera janë dakort që të bëhet ndryshimi i sistemit zgjedhor, me kusht që ai të jetë i përcaktuar qartë. Sipas republikanit Arjan Madhi, nëse Gjinushi ka një skemë e cila mund të zgjidhë problemet e partive të vogla, atëhere ai duhet t’i mbledhë ato dhe t’ua paraqesë atë. Sipas Madhit, “duke qenë se Gjinushi është një ekspert për llogaritjet, atëhere ai duhet ta bëjë konkret atë propozim. Ne si Parti Republikane, nëse e shohim si projekt të arsyeshëm, do ta pranojmë dhe do të japim edhe mendimet tona për zgjidhjet e mundshme. Propozimi i tij më duket i vonuar pasi duhet të ishte bërë që në fillim kur nisën diskutimet”. Madhi tregon se partia e tij, është e gatshme që të diskutojë rreth çdo opsioni që mund t’u vlejë partive, pa dashur që t’u imponohet atyre. Ai thekson se e rëndësishme është që në fund të kemi një sistem zgjedhor me marrëveshjen e të gjitha partive. Por partia tjetër  aleate e Partisë Demokratike, PDR-ja shprehet akoma  e vendosur në mosndryshimin e sistemit elektoral. Tritan Shehu i Partisë Demokrate të Re shpreh qëndrimin e vendosur kundër sistemit proporcional, ndërsa lë të kuptohet se propozimi i Gjinushit, nuk merret parasysh. I kontaktuar nga Korrieri, ai shprehet se partia e tij i qëndron akoma idesë se sistemi elektoral në vend duhet të jetë një sistem miks, mazhoritar dhe proporcional. “Duhet që populli të votojë për individin dhe për partinë” tha dje Shehu, duke mos u pajtuar kështu me reformën zgjedhore të propozuar nga Partia Socialiste. Nga ana tjetër, Partia Agrare Ambientaliste nuk ka një qëndrim rreth këtij propozimi duke deklaruar se nuk e njeh atë por shprehet e gatshme për të bashkëpunuar me kusht që sistemi i ri elektoral të sigurojë pjesëmarrjen e të gjitha partive në Kuvend. Sipas deputetit agraroambientalist, Petrit Gjoni, nëse propozohet një sistem proporcional kombëtar me një prag të pranueshëm, atëhere kjo parti nuk është kundër. Sipas tij, kjo do të bënte që të zhdukej termi “dushk” dhe votuesi do të ndjehej i përfaqësuar politikisht në parlament. Kjo parti është në pritje të uljes në tryezë të të gjitha palëve për diskutimin e kësaj çështjeje. Ndërkohë, partia tjetër aleate PDK-ja është shprehur e gatshme të pranojë sistemin e ri dhe propozimet nga ana e partive të tjera, me kusht që të hartohet një ligj i saktë që t’i mbyllë shtigjet abuzimeve më votat e qytetarëve.Megjithatë, aleatët e djathtë tregojnë se zgjidhja që ata shohin për momentin mbetet realizimi i tryezës për diskutimin e kërkesave të tyre për reformën zgjedhore.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›