E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Më vodhën votat, ju lutem ndërhyni”

27/10/2009  Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, i shkruan OSBE-së

Kreu i demokristianëve tregon se ka konsumuar të gjitha etapat ligjore

Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, i ka dërguar një letër shefit të OSBE-së në Tiranë, ambasadorit Robert Bosh, ku i bën me dije pretendimin e tij për manipulimin e zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Në këtë letër, e cila shkon për dijeni edhe të ambasadës së SHBA-ve dhe ambasadave të tjera në Tiranë, vende të Bashkimit Evropian, ngrihet shqetësimi për një problem që, sipas tij, nuk ka të bëjë me individin apo me një subjekt të vetëm politik, por me parimet demokratike dhe vlerat ligjore të demokracisë në Shqipëri. Në letër Ndoka shkruan për procesverbale dhe manipulime të shumta të faktuara, sipas tij, në Qarkun e Shkodrës, informacione këto të cilat së bashku me dokumentacionin e plotë përkatës dhe pamjet filmike do t’u vihen në dispozicion OSBE-së dhe ambasadave të tjera të akredituara në vendin tonë. “Ju drejtohemi Juve, zoti ambasador, si institucioni zyrtar i vëzhgimit të ecurisë së procesit zgjedhor dhe postzgjedhor si dhe i nivelit të demokracisë në Shqipëri, që të përdorni autoritetin tuaj politik e diplomatik për të ndihmuar në rivendosjen e drejtësisë, kushtetutshmërisë dhe sovranitetit real të popullit në vendin tonë, shprehur përmes votës së fshehtë më 28 qershor 2009. Prova jonë e re dhe e dokumentuar në kuptimin politik, por dhe ligjor, mund të jetë rruga më e mirë ligjore për t’i dhënë përgjigje krizës politike ku po përfshihet vendi ynë, ku nga njëra anë kemi një mazhorancë që refuzon drejtësinë dhe numërimin e votave, nga ana tjetër kemi një opozitë që kërkon mbrojtjen e votës së lirë”, - shkruan kryedemokristiani Ndoka. Kryetari i PDK-së thotë se forca politike që drejton i ka konsumuar të gjitha etapat ligjore të parashikuara nga Kodi Zgjedhor dhe së fundi, pas zbulimit të fakteve të shpërdorimit të detyrës nga komisionerët e Partisë Demokratike, ka bërë kallëzimin penal.

Pjesë nga letra

“Të gjithë vëzhguesit tanë të jashtëm, stafet e kandidatëve dhe aktivistëve tanë në rrethe flasin për deformim thelbësor të vullnetit të popullit dhe konkretisht me vjedhje dhe deformim masiv të votave dhe rezultateve elektorale të Partisë Demokristiane dhe aleancës Poli i Lirisë, drejtuar prej saj. Kemi të bëjmë me një deformim të plotë të rezultateve, të procesit zgjedhor dhe të parimeve kushtetuese për zgjedhje të lira e të ndershme.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›