E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekretari i Jashtëm britanik kërkon hapjen e bllokut

27/10/2009  Zgjerimi i BE-së

Britania e Madhe thekson mbështetjen që i jep procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Sekretari i Jashtëm britanik David Milliband ka deklaruar për të përditshmen britanike “The Times” se zgjerimi i Bashkimit Evropian është shtysë e rëndësishme për nxitjen e demokracisë në vendet ish-diktatoriale. Për zyrtarin e lartë britanik Bashkimit Evropian i nevojitet një avancim i mëtejshëm në këtë proces evropian. Ai e ka vënë theksin në përfshirjen në bllokun e 27 vendeve të BE-së të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të Turqisë dhe të Ukrainës. “Vendet e Ballkanit Perëndimor, Turqia dhe Ukraina aspirojnë që të gjenden mes vendeve anëtare të BE-së dhe të gjitha ato duhet të pranohen në Bashkimin Europian”, - ka deklaruar sekretari i Jashtëm britanik David Milliband për të përditshmen prestigjioze “The Times”. Shefi i diplomacisë britanike në shkrimin e botuar në këtë gazetë e vë theksin edhe te prioritetet e tjera të rëndësishme të politikës së jashtme të BE-së. Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet të vendosë prioritete në marrëdhëniet me fuqitë e mëdha, siç janë SHBA-të, Rusia dhe Kina. Në këtë kuadër, BE-ja duhet të marrë përgjegjësi më të mëdha dhe të tregojë se mund të jetë partnere serioze strategjike, që “e meriton të vetëquhet ‘tregu më i madh në botë’ dhe që përfaqëson lidhje më të fuqishme rajonale”. Në këtë kontekst, thekson Miliband, Britania e Madhe është ende një nga aktorët më të rëndësishëm, pasi është një nga vendet lider në akordimin e ndihmave dhe përballjen me sfidat globale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›