Raportet me Serbinë - impakt pozitiv për rajonin
27/10/2009 Ministri i Jashtëm Ilir Meta përcakton prioritetet e politikës së jashtme në rajon
Shefi i diplomacisë thekson vazhdimin e lobimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta ka deklaruar se zhvillimi i marrëdhënieve bilaterale me Serbinë është një prioritet shumë i rëndësishëm i politikës rajonale të Shqipërisë. Duke folur në Forumin e Politikave të Jashtme dhe të Sigurisë të organizuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, shefi i diplomacisë shqiptare ka deklaruar se marrëdhëniet me Serbinë duhen parë dhe inkurajuar vetëm në frymën e perspektivës për të ardhmen. Meta ka deklaruar se do të punohet në mënyrë intensive dhe konstruktive me qeverinë e Serbisë për të avancuar dhe thelluar dialogun politik dhe bashkëpunimin për çështje me interes reciprok dhe rajonal. “Bashkëpunimi konstruktiv mes Shqipërisë dhe Serbisë sjell një impakt pozitiv për të gjithë rajonin”, - deklaroi ai. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta theksoi mbështetjen për proceset integruese të Serbisë. “Shqipëria inkurajon dhe mbështet integrimin e Serbisë në të gjitha nismat dhe iniciativat rajonale, së fundmi ministeriali i mbrojtjes të Evropës Juglindore, pasi beson se pa një pjesëmarrje, bashkëpunim dhe integrim të plotë të saj në këto organizata, vetë kuptimi dhe ekzistenca e tyre do të ishte e paplotë”, - deklaroi ai.
Shefi i diplomacisë shqiptare gjatë referimit në këtë forum është ndalur në mënyrë të veçantë mbi situatën e krijuar në Ballkan me lindjen e Republikës së Kosovës. Ai ka theksuar se është fakt i njohur për të gjithë se gjeopolitika e Ballkanit është pasuruar gjatë dy dekadave të fundit me realitete të reja politike dhe shtetformuese, ku më i fundit prej tyre, shteti i ri i Kosovës, pavarësia e të cilit ishte vendimi më i drejtë për t’i siguruar rajonit paqe dhe stabilitet afatgjatë. “Shqipëria mbështet njohjen e mëtejshme të Republikës së Kosovës dhe përshëndet anëtarësimin e saj në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore”, - tha ai. Për ministrin Meta Kosova aktualisht përballet me një sfidë të dyfishtë. Së pari, konsolidimi i mëtejshëm i institucioneve të saj të reja e të pavarura dhe së dyti, po aq e rëndësishme, institucionet e shtetit të ri të Kosovës duhet të ngrihen, zhvillohen dhe konsolidohen në përputhje të plotë me standardet që kërkon perspektiva e saj integruese evropiane, e cila në progresraportin e fundit të Komisionit Evropian është më e qartë dhe konkrete.
Meta për Maqedoninë
“Besoj se Maqedonia do të ndërmarrë hapat e nevojshëm për implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, çka do të krijojë një klimë të re dhe më të përforcuar të bashkëjetesës ndëretnikë. Tensionet e fundit me karakter të referencave të gabuara historike nuk i shërbejnë rajonit dhe as vetë Maqedonisë, pasi kjo retorikë mund të rrezikojë të akselerohet në nivele të padëshiruara, që do të na kthente të gjithëve vite pas.”
Meta: Kufijtë detarë tërësisht të ligjshëm
Ministri i Jashtëm Ilir Meta, i pyetur nga mediet mbi marrëveshjen me Greqinë për përcaktimin e kufijve detarë, ka deklaruar se ky dokument është tërësisht i ligjshëm. Shefi i diplomacisë shqiptare ka theksuar se marrëveshja e arritur me Republikën e Greqisë është në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian. Ministri Meta ka përsëritur qëndrimin e tij në lidhje me marrëveshjen e arritur me fqinjin jugor. Pak kohë më parë ai ka theksuar se për të shuar çdo aludim, keqinterpretim apo keqdashje do të ndiqet rruga më transparente për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje në Kuvend, si dhe do të sqarohen në mënyrë të plotë të gjitha shqetësimet e ngritura, në mënyrë që t’u jepet fund spekulimeve dhe falsifikimeve mbi të vërtetën e kësaj çështjeje. Meta theksoi se për realizimin e kësaj marrëveshje, e cila është një detyrim ndërkombëtar i Shqipërisë, janë angazhuar specialistët më të mirë. Ai u shpreh ashpër me qëndrimet e mbajtura nga lidershipi i Partisë Socialiste lidhur me këtë çështje. “Shpreh keqardhjen time të thellë për trajtimin që lidershipi i opozitës i ka bërë kësaj çështjeje, duke hyrë në një rrugë pa krye e të rrezikshme, që nxit ndjenjat e ksenofobisë ndaj vendeve fqinje”, - deklaroi ai.
Liberalizim vizash në rajon
Shefi i diplomacisë shqiptare ka kërkuar liberalizimin e vizave mes vendeve të Ballkanit. Ministri i Jashtëm Ilir Meta ka thënë dje se bashkëpunimi rajonal do të jetë më i plotë, më konstruktiv, më i qëndrueshëm dhe më i dobishëm në procesin e integrimit, duke mos mbetur vetëm në rrafshin e dialogut politik dhe në frazat për fqinjësinë e mirë. “Ky bashkëpunim duhet të jetë konkret dhe i shtrirë në të gjitha fushat që krijojnë një magnitudë të re rritjeje dhe fuqizimi ekonomik për rajonin, duke filluar nga lëvizja e lirë e qytetarëve në vendet respektive, sepse e konsideroj si anomali dhe jashtë kohe faktin që, ndërsa kërkojmë të shkojmë pa viza në Bashkimin Evropian, disa nga vendet tona ende mbajnë në fuqi regjim vizash ndaj njëri-tjetrit”, - ka thënë ai. Për ministrin Meta rritja esenciale e shkëmbimeve dhe flukseve që krijojnë një njohje më të mirë reciproke e që veçanërisht vjen nëpërmjet komunikimit mes elitave akademike, kulturore e sociale duhet nxitur dhe institucionalizuar. Ai e ka vënë theksin në rritjen e shkëmbimeve tregtare nëpërmjet krijimit të një hapësire ekonomike rajonale, që lehtëson dhe eliminon barrierat përmes implementimit real të marrëveshjeve të tregtisë së lirë dhe integrimit ekonomik të rajonit.