"Me zjarr ju flas, me zjarr..."
Këtu kryefjala është Lasgush Poradeci. Shfaqet i ri dhe i bukur, por edhe plak me flokë të bardhë dhe i mençur. E gjen ngado, në të gjitha dimensionet. Është Lasgushi njeri, poet, mik, bashkëshort, baba... është Lasgushi i pasionuar pas natyrës, pas së bukurës. E gjen në një mori fotografish, skicash, artikuj gazetash, kopertina librash, ku gjithçka përshkruan jetën e poetit lirik. Një "muze" i vërtetë kushtuar figurës së këtij personaliteti të madh të letrave shqipe, që do të çelet sot pasdite në ambientet e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. E titulluar "Me zjarr ju flas, me zjarr...", kjo ekspozitë krejtësisht e veçantë, e ideuar prej Mehmet Gëzhillit, botues i "Argeta LMG", dhe familjes Poradeci, vjen në Tiranë pasi është përballur fillimisht në Pogradec, në fund të muajit gusht, pranë "liqerit" që aq shumë e frymëzoi poetin. Fare rastësisht, në Poradecin që identifikohet me Lasgushin, Mehmet Gëzhilli has në një farmaci të shkruara me shkrim dore dhe të afishuara në mur, disa poezi të Lasgushit. Pak më vonë, të tilla detaje ai do t‘i haste edhe më tej nëpër qytet. "Unë vura re se atje kishte një dashuri shumë të madhe për Lasgushin, po aq sa ndihej edhe një boshllëk në drejtim të kësaj figure. Në këto momente vendosa se ishte koha e duhur për të hapur një ekspozitë kushtuar kësaj figure, në mënyrë që njerëzit të çmallen me të. U ktheva në Tiranë. Unë për fat kam një bibliotekë shumë të pasur, ku i ruaj të gjitha gazetat e revistat prej shumë vitesh. Kisha materialet që më duheshin dhe vendosa ta çoj deri në fund këtë punë. Bisedova me vajzat e poetit, veçanërisht me Marien, dhe grumbulluam materialet e nevojshme për ta realizuar këtë ekspozitë. Që nga ekspozimi në Pogradec, ne vazhdojmë ta pasurojmë me materiale e informacione në lidhje me këtë figurë të rëndësishme të letrave shqipe", tregon ideatori i kësaj ekspozite, i cili sot do të promovojë njëkohësisht edhe doktoraturën e mbrojtur nga Lasgush Poradeci, të cilën ia ka kushtuar poetit rumun, Emineskut. "Eminesku i shpërfillur dhe ideologjia e tij popullore dhe atdhetare" (një studim gjenetik, duke pasur sidomos parasysh lidhjet me kulturën gjermane), është titulli i tezës së doktoraturës, të cilën Llazar Gusho e dorëzoi më 23 shkurt të vitit 1932 dhe e mbrojti atë më 23 maj të vitit 1933. Sot ajo vjen në duart e lexuesit të gjerë, duke iu shtuar fondit të veprave që mbajnë firmën e këtij njeriu të madh. Por edhe një tjetër arsye për të cilën është vendosur të zhvillohet ky aktivitet. 23 prilli është shpallur nga UNESCO si Dita Botërore e Librit. Me këtë rast, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në vazhdën e veprimtarive kushtuar kësaj dite, ka vendosur që një hapësirë të veçantë t‘i krijojë edhe poetit tonë të madh, Lasgush Poradecit. Këtë vit festohet 110-vjetori i lindjes së tij dhe ministria e ka shpallur Lasgush Poradecin "Njeriun e Vitit".
"Me rastin e Ditës Botërore të Librit, në orën 11:00, në Bibliotekën Kombëtare, do të zhvillohet çelja e ceremonisë nga ministri i Kulturës, Ardjan Turku. Pas kësaj do të ketë një aktivitet të rëndësishëm kulturor për gazetarin e madh italian, Indro Montanelin, ku do të paraqitet edhe libri i tij, ‘Shqipëria një dhe njëmijë‘, e pasdite do të vijohet në ministri pikërisht me evenimentin kushtuar Lasgush Poradecit", thotë Ermir Nika, shef i sektorit të letrave pranë MTKRS-së.
Ai vijon më tej duke treguar se në këtë ekspozitë Lasgushi do të na paraqitet në disa aspekte shumë interesante të jetës së tij, të cilat nuk janë shumë të njohura për publikun e gjerë. "Një pjesë e madhe e fotografive janë të panjohura, por e rëndësishme është se në këtë ekspozitë Lasgushi na shfaqet në shumë këndvështrime. Është një jetë e tërë e hedhur në foto, në grafika të vizatuara prej tij, në artikuj dhe në libra", vijon më tej Nika.
Skicat e Poradecit sjellin në vëmendje figura të njohura e anonime të cilat e kanë grishur poetin. Gjen aty Zef Skiroin, Naim Frashërin, Asdrenin etj., ndërsa të bie në sy edhe një portret i Bethovenit. Ai dinte të pikturonte po aq sa dinte edhe të shkruante. Spikat në këtë ekspozitë edhe një faksimile e poemës "Naim Frashërit", e korrigjuar prej Lasgushit. Krahas saj, shfaqet edhe kopertina e librit të kësaj poeme, e cila u botua në vitin 1925, me rastin e 25-vjetorit të vdekjes së poetit tjetër të madh. Për atë që ishte, për njeriun dhe poetin e madh, ai pati fatin të kishte ngaherë pranë miq e dashamirës, të cilët i gjen edhe nëpër këto fotografi që i përkasin arkivit të familjes. Bashkë me Lasgushin do të shikojmë edhe personalitete të kohës, siç janë Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Asdreni, Eqrem Çabej, Aleks Buda, Mitrush Kuteli, me personalitete të një brezi më të ri se ai, si Dritëro Agolli, Ismail Kadare e shumë shkrimtarë të tjerë, ashtu si edhe me shumë miq pogradecarë, të cilët e kanë dashur dhe i ka dashur shumë.