G99-a: Qeveria nuk ka qëllim të luftojë korrupsionin
TIRANË- Përfaqësuesi i lëvizjes “G99”, Etjen Xhafaj, deklaroi dje se, përmes ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, qeveria Berisha tregoi edhe njëherë se e ka të vështirë të bashkëjetojë me institucionet e pavarura. “Ditët e fundit, qeveria shqiptare na dha në mënyrë përfundimtare provën që problemi i saj nuk ka qenë kurrë me emrin e prokurorit të përgjithshëm. Problemi i saj ka qenë e vazhdon të jetë me institucionin e Prokurorisë, me funksionet dhe pavarësinë e tij. Nëpërmjet një deklarate infantile nga foltorja e Ministrisë së Jashtme, zoti Basha sulmoi Prokurorinë për një akuzë që i bëhet atij personalisht, jo Ministrisë që ai drejton”, - tha Xhafaj i G99-s. Ai shtoi se, mazhoranca nuk ka pasur kurrë qëllim të luftojë korrupsionin, por thjesht ta drejtojë atë në xhepat e saj. “Zoti Basha tentoi të krijojë një tymnajë nën togfjalëshin e çështjes kombëtare, për t’u mbrojtur nga një akuzë juridike. Ministri ynë i Jashtëm nuk është akuzuar, këtë radhë, për tradhti kombëtare, ai është akuzuar për shpërdorim detyre që ka shkaktuar humbje në qindra miliona euro të fondeve publike. Lulzim Basha është sot në akuzë se ka trafikuar me patriotizmin e shqiptarëve për interesa të familjes së tij politike. Pra, është akuzuar për korrupsion. Është e patolerueshme që, sa herë që ngrihet çështja e rrugës, kundërshtohet menjëherë me kauzën e patriotizmit”,- tha Xhafaj.