Dhunuesi vazhdon kërcënimet nga qelia
Fier, vajza që denoncoi djalin e ish-prefektit, tani kërkon ndihmë nga gratë e pushtetarëve
Edhe pse i arrestuar, Erion Troka ka vijuar kërcënimin e “vajzës së zemrës”. Të premten, disa orë pas arrestimit, nga mjediset e brendshme të Komisariatit të Policisë së Fierit, ai ka telefonuar në numrin e telefonit të vajzës që dhunoi dhe e ka kërcënuar.
Vajza 26-vjeçare, Ertilda Spaho, tregon se mbrëmjen e së premtes i është bërë telefonatë kërcënuese. “E dallova në tingullin e zërit. Teksa shpejtoja të mbyllja telefonin, Erioni më kërcënoi se shumë shpejt do të dalë nga burgu dhe do të më vrasë. E përsëriti disa herë këtë. Në fillim më mori me numër të hapur, pastaj me numër të fshehur”, tregon për “Shqip” Ertilda Spaho.
Sipas saj, telefonata kërcënuese janë bërë edhe në telefonat e familjarëve të saj, gjithnjë nga Erion Troka.
Përsëritja e kërcënimit nga mjediset e policisë ka bërë pesimiste 26-vjeçaren. Ajo thotë se i është drejtuar paraditen e së shtunës policisë, me qëllim për të bërë prezent shqetësimin e fundit. “Më duket habi se si nga qelia vijon të më kërcënojë, madje, me vrasje. Policia dhe Prokuroria, edhe pse kanë prova të qarta për rastin tim, nuk preferojnë të ndërhyjnë me vendime konkrete, duke e zvarritur procesin deri në degjenerimin e mëtejshëm të situatës. Duhet patjetër që autoritetet shtetërore të ndërhyjnë”, shprehet 26-vjeçarja.
Mësohet se edhe gjatë së shtunës, ajo ka kërkuar nga policia marrjen e kallëzimit të radhës për kërcënim jete. Nga ana tjetër, burime zyrtare nga Komisariati i Policisë së Fierit pohojnë për “Shqip” se është ushtruar kontroll në qelinë ku është vendosur Erion Troka. Zyrtarisht policia nuk deklaron nëse ka gjetur celular apo jo në qelinë e tij, por burime jozyrtare bëjnë të ditur se në komunikimin me familjarët dhe avokatin, Erion Troka ka marrë telefonin e ndonjërit prej tyre dhe e ka përdorur për qëllimet e tij.
Të dielën, Erion Troka do të përballet me gjykatën, e cila do të marrë masën e sigurisë për të. Me ngjarjen e së premtes, Erion Troka shtoi edhe një akuzë më shumë ndaj vetes. Nga grupi i hetimit mësohet se për të dokumentuar rrëmbimin e së premtes janë marrë dëshmi nga kryetari i Komunës së Levanit, nga punonjësi i zyrës ku punon Ertilda Spaho dhe personat që prisnin për të aplikuar, si dhe nga të gjitha vendet ku Troka e çoi Spahon gjatë dy orëve të rrëmbimit.
Që nga 13 janari i këtij viti deri në prag të Shën Valentinit, Erion Troka në mënyrë të përsëritur ka dhunuar ish të dashurën. Ertilda Spaho thotë se të hënën do të dërgojë në drejtim të kryeparlamentares Jozefina Topalli, zonjës së Kryeministrit, Liri Berisha, të ministrit të Brendshëm si dhe atij të Drejtësisë apelin për dënimin e dhunuesit, i cili e kërcënon me jetë.
#