E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat: EULEX-i do të hetojë edhe 6 ish-ministra

PRISHTINE-Pas hetimeve për Fatmir Limajn, Policë të EULEX-it mund të shihen pas pak kohe edhe në dyert e ministrive të tjera të qeverisë. Mediat kosovare bënë të ditur se EULEX-i do të hetojë edhe gjashtë ministra ose ish-ministra, nga dy prej tri partive kryesore të vendit, PDK, LDK dhe AAK, për keqpërdorime që janë bërë në periudha të ndryshme.

Mediat njoftojnë se hetuesit do të trokasin në Ministrinë e Arsimit për tenderat e shkollave, kurse tek Ministria e Shëndetësisë do të interesohen për disa miliona euro që dyshohet se i janë dhënë një firme, pa u kryer të gjitha procedurat ligjore.

Nuk do të kursehet as Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. çështjet që kanë të bëjnë me naftën, cilësinë e saj dhe licencat e shitjes, do të jenë interes i investiguesve. Në të do të hetohet edhe për kohën e qeverisjes nga koalicioni AAK-LDK por edhe nga ai aktual i, PDK-LDK.

Auditimi i buxhetit do të jetë arsyeja pse do të ekzaminohet ministria e ambientit, për periudhën kur në pushtet ishte koalicioni LDK-AAK.

As ministria e Ekonomisë dhe Financave nuk do të anashkalohet, ndonëse fokusi i hetimeve këtu është jashtë fushës që mbulon ky dikaster.

Pak ditë më parë, Kryeprokurori i EULEX-it, Johannes-Van-Vreesëijk u shpreh se EULEX-i nuk do të kufizojë hetimet për korrupsion vetëm në Ministrinë e Transportit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›