E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjidhja: Një Mukje e dytë

Në fillim të viteve ’90, Edi Rama u bë i pari person publik me prejardhje komuniste që pranoi se pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, në verën e vitit 1943, në Shqipëri u zhvillua një luftë e mirëfilltë civile. Po në ato vite, një tjetër figurë publike me prejardhje komuniste, Sali Berisha, hodhi në qarkullim moton: “Opozitarë, por vëllezër”, e cila përbënte në fakt thelbin e asaj marrëveshjeje historike të shkelur me këmbë nga Enver Hoxha. Dhe, u duk sikur motoja e Mithat Frashërit: “Të gjithë jemi shqiptarë, pra le të konkurrojmë me njëri-tjetrin kush ta bëjë Shqipërinë më mirë!”, do të vihej më së fundi në themel të jetës politike shqiptare. Ose thënë ndryshe, dukej se luftës civile të filluar në vitin e largët 1943 do t’i vihej kapak. Por, s’ishte e thënë të bëhej ashtu...
Pas rezultatit shumë të dobët në zgjedhjet lokale të korrikut 1992, Berisha, në një mënyrë më të butë, bëri të njëjtën gjë që pati bërë Enver Hoxha për dekada para tij - i energjizoi përkrahësit e vet nëpërmjet luftës së klasave. Në themel të saj ai vuri moton: “Fituesit i takon gjithçka, humbësit asgjë”. Dhe, si rezultat, partia e udhëhequr prej tij “fitoi” mbi 90% të votave në vitin 1996, duke përgatitur kështu terrenin që lufta civile të rikthehej përsëri në formën e saj të viteve 1943-‘44. Pra, me armë në dorë. Dhe, ishin përsëri komunistët (ose më saktë pasardhësit e tyre) që e fituan atë...
Pas fitores së ish-komunistëve në vitin 1997, historia u përsërit. Administrata u spastrua nga mbështetësit e kundërshtarit dhe opozita u margjinalizua. Kjo gjë vazhdoi për 8 vjet, deri në momentin kur Fatos Nano, për arsye që vetëm Zoti mund të jetë në gjendje t’i shpjegojë, e çoi kampin e tij politik drejt humbjes. Dhe, kështu hapi rrugën për ardhjen e Edi Ramës në krye të së majtës.
Duke qenë i pari person publik me prejardhje komuniste që pati denoncuar luftën civile të filluar nga komunistët në vitin 1943 dhe duke deklaruar se do të zhvillonte një betejë politike luajale (në bazë të së cilës do të ishte paraqitja e alternativave zhvilluese dhe jo sulmet personale ndaj kundërshtarëve), Edi Rama dha shpresën se “luftës civile” do t’i vihej përfundimisht kapaku në Shqipëri. Marrëveshja që ai inicioi për ndryshimin e kodit zgjedhor dhe Kushtetutës para anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, dukej se do të krijonte më së fundi kushtet për të realizuar pikën kryesore të Marrëveshjes së Mukjes - zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Por, nuk ndodhi ashtu...
Fill pas marrëveshjes së sipërpërmendur, ministritë e qeverisë Berisha filluan të trumbetojnë sukseset e qeverisjes në të gjitha televizionet dhe rrugët e Shqipërisë. Dhe, ai trumbetim u krye me paratë e taksapaguesve të thjeshtë shqiptarë, të majtë e të djathtë bashkë. Ndërkohë, partive opozitare iu ndaluan reklamat deri në fillimin zyrtar të fushatës zgjedhore. Pra, një prej elementeve të zgjedhjeve demokratike, ndershmërisë, filloi t’i vihej kazma që një vit para se ato të zhvilloheshin. Më vonë, siç do të raportonte OSBE/ODIHR-i, administrata shtetërore u përdor për të detyruar njerëzit që të merrnin pjesë në mitingjet e pozitës dhe të mos merrnin pjesë në ato të opozitës, duke cenuar kështu edhe lirinë e zgjedhjeve.
Kulmi i shkeljes së marrëveshjes u arrit kur kërkesa e dy anëtarëve të KQZ-së për hapjen e disa kutive të votimit u hodh poshtë nga shumica e kontrolluar prej maxhorancës. Sipas kodit zgjedhor të miratuar me konsensus nga të dyja palët, kërkesa për hapjen e kutive të caktuara nga të paktën dy anëtarë të KQZ-së duhej miratuar automatikisht. Por, fjala “të caktuara” u interpretua nga shumica sikur donte të thoshte “të dyshuara”. Prandaj, dhe ajo kërkoi prova që do të përligjnin cilësimin e kutive si të tilla. Dhe, ato prova opozita nuk i kishte.
Qysh atëherë, opozita nuk i ka ndalur protestat kundër qeverisë, duke arritur së fundmi deri në futjen në një grevë të gjatë urie para zyrës së Berishës - njeriut që, sipas saj, shkeli marrëveshjen për zgjedhje të lira e të ndershme.
Për të dalë nga kriza aktuale nuk duhet shpresuar për zgjidhje juridike. Kjo, për vetë faktin se njëra nga palët beson se është shkelur fryma e marrëveshjes parazgjedhore, jo thjesht germa e saj. Si rezultat, kriza ka ardhur deri në atë pikë, sa vetëm një marrëveshje e re politike mund ta zgjidhë. Dhe, ajo duhet të jetë një marrëveshje që do të shtrojë rrugën për një paqe sociale në Shqipëri, pas së cilës fitorja e njërës palë nuk duhet të shihet më si humbje totale për palën tjetër. Pra, marrëveshja duhet të ketë frymën e Marrëveshjes së Mukjes, të cilën e ideoi Mithat Frashëri, i biri i Abdyl Frashërit dhe nipi i Samiut e Naimit të madh.
Në themel të marrëveshjes mund të vihen këto pika themelore: 1 - Administrata dhe fondet publike nuk duhen përdorur për qëllime politike; 2 - Ndryshimet në administratë pas zgjedhjeve duhet të prekin vetëm një numër shumë të kufizuar postesh politike; 3 - Sistemit të votimit dhe numërimit t’i bëhen ndryshime të tilla teknike që do të minimizonin ndikimin e ndërhyrjeve njerëzore në të; 4 - Të garantohet në mënyrë absolute e drejta e transparencës së votimit dhe numërimit të votave para nxjerrjes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, në qoftë së atë e kërkon cilado parti, e madhe apo e vogël qoftë ajo.
Që paqja sociale të kthehet në këtë vend, një marrëveshje e bazuar në katër pikat e mësipërme është e mira të ngjizet sa më parë. Dhe ç’është më e rëndësishmja, ajo duhet ekzekutuar sa më shpejt të jetë e mundur, nëpërmjet mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Kur do të ishte më i volitshëm zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare? Ndoshta në një ditë me ato lokale.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›