E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediat: Mlladiç tradhtoi Karaxhiç

Mediat gjermane kanë nxjerrë një version tjetër që ka sjellë arrestimin e Radovan Karaxhiçit. Berlinezja “Tagesspiegel”, së cilës i referohen shumë media të tjera gjermane, thekson se ka qenë pikërisht gjenerali Ratko Mlladiç që e ka tradhtuar Radovan Karaxhiçin dhe e ka çuar pikërisht në pranga. Sipas kësaj të përditshmeje, gjenerali i serbëve të Bosnjës, bashkëpërgjegjës për masakrat në këtë vend, ka spiunuar për ish- shefin e tij, politikanin Karaxhiç. Gazeta thekson se, Mlladiç ka ende shumë njohje dhe peshë brenda ushtrisë dhe shërbimeve sekrete serbe. Në këmbim të kësaj, Mlladiç kërkon që të ketë një gjykim nga gjykatat serbe dhe jo nga Tribunali i Hagës. Megjithatë, qeveria serbe ka deklaruar se mbështet punën e Tribunalit të Hagës dhe kjo mbetet për t’u parë.

Radovan Karaxhiç ishte figura dominuese në politikën e serbëve të Bosnjës gjatë luftës në gjysmën e parë të viteve 1990.

Psikiatër nga profesioni, zoti Karaxhiç u bë udhëheqësi i nacionalistëve serbë të Bosnjës në vitin 1990.

Dy vjet më vonë ai orkestroi sulmin e tyre ndaj shtetit të ri boshnjak, të udhëhequr nga myslimanët dhe shpalli pavarësinë nga ish-Federata Jugosllave që atëherë po shpërbëhej.

Zoti Karaxhiç është parë gjerësisht se ka dhënë frymëzimin politik për fushatën e serbëve të Bosnjës për të spastruar etnikisht myslimanët dhe kroatët.

Si rezultat i kësaj, Gjykata e Hagës e akuzoi atë për krime lufte dhe gjenocid në vitin 1995 - vit kur përfunduan luftimet.

Sipas kushteve të Marrëveshjes Dejtonit, zoti Karaxhiç - si i dyshuar për krime lufte - u përjashtua nga të gjitha postet drejtuese.

Pas kësaj ai u fsheh dhe mundi të shmangte arrestimin për shumë vite.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›