E Shtunë, 31 Tetor 2026

Quo Vadis Kosova?

Kur u shpall shteti i ri i Kosovës, kryeministri Thaçi u angazhua se në shtator do të kishte njëqind shtete që do ta njihnin Kosovën. Vetëm një muaj e gjysmë na ndajnë nga shtatori dhe rezultatet e diplomacisë kosovare s'janë aspak entuziaste. Është e vërtetë që shpallja e disa emrave si ambasadorët e parë të Kosovës në botë, si Muhamedin Kullashi apo Mehmet Kraja, që janë me të vërtetë figura të rëndësishme të botës kosovare, që i kanë dhënë një kontribut të madh asaj, është me rëndësi që ata të jenë pasqyra e shtetit të ri kosovar. Si po punohet për të emëruar ambasadorët e tjerë? Çfarë strategjie po ndiqet nga Ministria e Jashtme për lobimin në botë të njohjes së shtetit të pavarur? Çfarë strategjie ka për formimin e diplomatëve të rinj? Çfarë axhende do të kenë këta diplomatë? Apo do të vazhdojnë të jenë të qetë si homologët e tyre shkrimtarë shqiptarë që enden kancelarive të botës duke iu dedikuar diplomatëve të huaj librat dhe skenarët e tyre të fundit?

Pasiviteti diplomatik kosovar

Ministri i Jashtëm, Hyseni, ka qenë një nga bashkëpunëtorët me të afërt të kryetarit Rugova dhe ai ka patur fatin që të farkëtohet në shkollën më të mirë të diplomacisë “rezistenca paqësore”, e sigurisht që sot nuk është më ai që unë kam njohur në vitin 1998. Skënder Hyseni nuk po del aspak në skenë, më shpesh ka pas dalë në skenë, kur punonte me Rugovën sesa sot që ai duhet të jetë pasqyra e shtetit të ri kosovar në botë! Ndërkohë, Kosova ka nevojë të dijë axhendën e diplomacisë së saj, ku po shkon? Si po punohet me shtetet, të cilat e kanë njohur Kosovën? Deri ku janë vendosur marrëdhëniet dypalëshe apo ende ky është mandat i UNMIK-EULEX e akoma s'dimë ku jemi në Kosovë? Skënder Hyseni e di gjuhën e Perëndimit dhe të Lindjes fort mirë, a mos vallë ky ngërç që ka kaptuar ministrinë e tij të re është ende grackë e “turbullirës legjislative” të Kosovës, apo është karakteri i butë i ministrit të Jashtëm, i cili qëndron i tërhequr pa i shkelur në kallo askujt?

Diplomacia kosovare sot ka nevojë që të imponohet në botë, me të njëjtin ritëm e forcë siç u imponua shteti i ri kosovar më 18 shkurt 2008, të lobojë, të ngrejë zërin aty ku duhet, siç bënte dikur Grupi i Unitetit gjatë negociatave për statusin e Kosovës. Ministri i Jashtëm duhet të jetë zëdhënësi i Kosovës bashkë me ambasadorët e tij, sepse janë shumë larg fundit të betejës. Deri tani 43 vende anëtare të OKB kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ndërkohë që Rusia ngul këmbë që statuti i ri i Kosovës të përmbajë interesat e Prishtinës dhe të Beogradit. Sipas Moskës, pavarësia e vetëshpallur e Kosovës ka dhunuar të drejtën ndërkombëtare. Serbia dhe Rusia kanë refuzuar që të njohin pavarësinë, ndërkohë që Kina, India, Brazili, Spanja dhe Greqia ende s'e kanë njohur atë.

Serbët, strategji tërheqjeje para shtrëngatës…..

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiç, i propozoi qeverisë serbe që të rikthente ambasadorët e saj në vendet, të cilat e kanë njohur Kosovën. Plani i veprimit i autoriteteve serbe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës kishte për qëllim të ndërpriste marrëdhëniet diplomatike me vendet, të cilat njohën Kosovën dhe Beogradi thirri ambasadorët e SHBA, të Italisë, të Kroacisë, të Hungarisë, të Gjermanisë, të Belgjikës, të Kanadasë, të Republikës Çeke dhe të Austrisë mbrapsht. Ndërsa sot, ka një zmbrapsje të politikës së jashtme serbe, duke bërë të ditur rikthimin e ambasadorëve në vendet ku ata shërbenin, kryediplomati serb e ritheksoi se ai nuk e braktiste luftën për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit të tij. Tërheqje për t'u hedhur më mirë? A mos vallë ky është një kapitullim i Serbisë apo ndryshim strategjie?

Mësymja e diplomacisë së “lojës së shahut”!

Javën e kaluar dy ministrat e Jashtëm, ai rus, Lavrov dhe homologu i tij serb, Jeremiç, në një konferencë të përbashkët për shtyp shpalosën pozicionin e tyre në lidhje me Kosovën. Serbia bashkë me Rusinë do të paraqesin një projekt-rezolutë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, ku do t’i kërkojnë Asamblesë të kërkojë një “advisory opinion” mbi ligjshmërinë e shpalljes se pavarësisë së Kosovës, me shpresë që vendet që hezitojnë ta njohin ende, do të votojnë këtë projekt-rezolute ruso-serbe. Ajo që ata synojnë është “të blejnë kohë” të bllokojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës, të fusin sërish Kosovën në status quo si para pavarësisë dhe të nisin lojën me figurinat e tyre të shahut që janë ende rezervë. Ky është një rrezik shumë i madh që i kanoset Kosovës.

Ndërkohë, presidenti Sejdiu ka akredituar misionet dhe ambasadat e para të Kosovës në botë, ministri i Jashtëm ka deklaruar se po punohet për trajnimin e diplomatëve të ardhshëm, ndërkohë që Kosova po përballet me një situatë shumë serioze, që vetëm stafi i Grupit të Unitetit mund ta nxjerrë nga balta e jo diplomatët e sapodalë nga inkubatori! Kosova ka nevojë të fillojë hartimin e planit se si të dalë pa humbje nga kjo lojë shahu. Një proverb francez thotë: “Në lojën e shahut, i çmenduri qëndron më afër mbretit”!

* Studiuese dhe këshilltare pranë revistës franceze “Politique Internationale”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›