E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediat e huaja: Bariç: “Humbjet më dogjën shumë”

Lajmin për dorëheqjen e Oto Baricit si trajner i Shqipërisë e publikoi edhe faqja zyrtare e UEFA-s, që thekson faktin se trajneri veteran sapo kishte arritur një marrëveshje dyvjecare, që fillonte muajin e ardhshëm (dhjetor). Baric e mori detyrën qershorin e vitit të kaluar dhe arriti disa rezultate të lavdërueshme në Grupin G. Humbja e rëndë në Bukuresht, e kombinuar dhe me atë me Bjellorusinë 4-2 në Tiranë, e bëri pozicionin e pambrojtur. "Këto dy humbje më dogjën realisht shumë", - citohet austriaku 75-vjecar nga uefa.com. "Unë e kam të pamundur të vazhdoj ta trajnoj këtë ekip më gjatë". Edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili kishte shprehur gatishmërinë e tij për rinovimin e kontratës së kroatit, ka dhënë mendimin e tij për uefa.com. "Unë personalisht e falënderoj Oto Baricin për punën që bëri me ekipin Kombëtar", - citohet ai. "Unë dëshiroja të bashkëpunoja më të edhe në kualifikueset e ardhshme të Kupës së Botës 2010, por tani ne duhet të lëvizim". Shqipëria përfundoi e pesta në grupin G me 11 pikë në 12 ndeshje. Trajneri slloven Srecko Katanec, i cili drejtoi Maqedoninë (arriti në kuotën e 14 pikëve) është përfolur edhe si pasuesi i tij. Katanec nuk pranoi të rinovonte kontratën më federatën e vendit fqinj.
"Baric lë kapelën në Shqipëri"
Ky ishte titulli i agjencisë gjermane të lajmeve "SID" në lidhje me dorëheqjen e trajnerit Baric, duke kujtuar faktin se Oto ishte prezantuar shpesh me imazhin e tij me kapelën kuqezi në kokë. "Nicht mehr Natioanaltrainer von Albanien" (Kurrë më trajner i Shqipërisë), shkruante faqja sid.de. Ish-trajneri i Shtutgardit pohoi se "nuk ishte më i fuqishëm mjaftueshëm" për të kryer detyrën e trajnerit në Shqipëri. Faqja gjermane kujton edhe faktin se gjatë muajit mars (2007) përpara ndeshjes me Slloveninë, "Oto Maksimale" pati probleme me zemrën dhe probleme të frymëmarrjes. Kroati ishte trajneri i tretë i huaj për Shqipërinë pas italianit Xhuzepe Dosena dhe ish-lojtarit të Kombëtares gjermane, Hans-Peter Brigel.
"Nuk kam më fuqi"
Edhe faqja austriake derstandard.at e dha lajmin për dorëheqjen e Baricit duke theksuar faktin se ish-trajneri i Kombëtares së Austrisë mbeti shumë i zhgënjyer nga dy takimet e fundit. "Ai na tha se nuk mund të besonte më te këta lojtarë dhe se nuk kishte më fuqitë e mjaftueshme për të kryer detyrën, - citon gazeta "Standard" burimin saj nga Tirana. "Me ‘Skipetaren', - shkruante faqja, - Baric arriti disa rezultate të kënaqshme (barazimet me Bjellorusinë, Slloveninë dhe Bullgarinë), por në dy humbjet me Bjellorusinë (2-4, në shtëpi) dhe Rumaninë skuadra e tij pësoi dhjetë gola". "Oto Maksimale" ka qenë më parë trajneri i Kombëtares austriake (1999-2001) dhe në Kroaci, dhe nga ana tjetër, edhe ekipeve austriake LASK, Wacker Innsbruck, Austria Salzburg, Rapid dhe Sturm Graz.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›