E Shtunë, 31 Tetor 2026

Metropol Sport: "Jeni të mallkuar!"

OLSI AVDIAJ
Kuqezinj, ju faltë Zoti për këtë skandal të dytë në Rumani! Kombëtare, Zoti të faltë për këtë turp që i keni bërë fanellës kuqezi në ndeshjen e dytë skandaloze këta 20 vjetët e fundit! 10 gola në 180 minuta as në kohën e qepës nuk kemi pësuar dhe të tillë turpërime i kishim harruar tashmë. Por ju, krenaria e kombit tonë, deri dje nuk keni bërë gjë tjetër vecse në stadiumin "Lia Monoliu" i keni rënë sërish murit me kokë. Pothuajse të gjithë jeni fajtorë dhe normalisht ai që do të drejtojë kombëtaren shqiptare në të ardhmen duhet të mendohet 10 herë para se të grumbullojë këta futbollistë. Përjashtim duhet të bëjë vetëm sulmi dhe ndonjë element tjetër. Gjithsesi, duke u kthyer te loja, të gjithë kanë qenë skandalozë me paraqitjen e tyre. Akuzat bien mbi Beqajn, që edhe me Bjellorusinë dhe Rumaninë ka ngrënë dy gola shumë të dyshimtë. Më pas Dede, Curri dhe Vangjeli, të cilët vetëm për këto dy ndeshje nuk duhet ta guxojnë më ekipin tonë kombëtar, e jo më të grumbullohen. Lala me shokë në mesfushë duket se vazhdojnë të jenë me shëtitje dhe kur të kthehen në Tiranë, më mirë të vinë natën. Të vetmit që shpëtojnë janë në njëfarë mase Skela, Bogdani, Kapllani dhe Lila. Por edhe ky më pas përfshihet nga degradimi i ekipit. Thjesht kuqezinjtë dje kanë vërtetuar se nuk janë një skuadër. Ose më mirë, nuk duan të jenë një skuadër për inat të njëri-tjetrit, trajnerit apo interesave të tyre të xhepit. Këtë le ta zgjedhin tifozët, pasi ata janë ndërgjegjja e kombëtares. Po kështu, është më se e vërtetë se me Bjellorusinë ju "kuqezinjtë" ishit në ditë të zezë. Dje ju "trimat" me fanellat e kombëtares keni qenë në një tunel, nga i cili nuk duhet të dilni më kurrë. Ju dje keni bërë atë që asnjeri me pak ndërgjegje nuk e ka bërë deri më sot me kombëtaren. Ju sot ishit aktorët dhe regjisorët e një pjese tragjikomike që luhej në Bukuresht, e cila nuk ka kuptim pse të luhet. Thjesht ju faltë Zoti për këtë mëkat kaq të madh që keni bërë dje. Më kot të shkoni nëpër kisha dhe xhami për të kërkuar falje dhe pastruar. Shpirti juaj tashmë është aq i pistë, sa edhe vetë Krishti nuk mund ta marrë përsipër ta pastrojë pas kësaj katrahure.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›