Mediat e huaja: “Van Nistelroi shpëtoi Holandën nga turpi ne Shqiperi"

Shtypi i huaj reagoi me nota pozitive për paraqitjen e përfaqësueses shqiptare përballë gjigantëve holandezë, dukë venë në pah rolin dhe vendimet jo fort të qarta të gjyqtarit anglez Majk Rili. Mediat e huaja nuk lanë pa përmendur edhe fishekzjarrët e hedhur mbi kokën e holandezit Melciot.
"Rud Van Nistelroi goditi nga një distancë e afërt në kohën shtesë, për t'i dhënë Holandës një fitore të vështirë 1-0 me Shqipërinë në fushatën kualifikuese të Euro 2008. Gjyqtari Majk Rili fishkëlleu dy minuta përpara përfundimit në ndeshjen e Grupit G, pas hedhjes të fishekzjarrëve në fushë nga shkallët që shpërthyen mbi kokën e mbrojtësit holandez Mario Melciot. Në një ndeshje të frikshme, holandezët nuk treguan asgjë nga krijimtaria e tyre përballë shqiptarëve pasionantë, të cilët luftuan fort për të fituar një pikë".
"Holanda dominoi virtualisht të gjithë ndeshjen, por i duhej të priste derisa goditja e Rud Van Nistelroit në minutën e fundit të vuloste fitoren dhe të barazohej me pikë me Rumaninë në krye të Grupit G", - shkruan sportinglife.com. "Në fund të pjesës së parë ekipi vendas kaloi në avantazh kur Melciot shkaktoi një autogol me kokë në portën e Van Der Sarit, por Debatik Curri u penalizua për shtyrjen e mbrojtësit". Siti i njohur sportiv goal.com shkruante: "Rud Van Nistelroi shpëtoi Holandën nga turpi me një fitore të vonshme ndaj Shqipërisë në Tiranë. Holandezët patën pjesën e luanit në kontrollin e lojës, por shpesh ata ishin të pazotë, ndërsa mund të thuhet se Holanda mori dy pikë shumë të vlefshme më shumë. Shqipëria, ndërkaq, debatoi në një numër të madh vendimesh të diskutueshme të gjyqtarit".
"Shansi real në pjesën e parë ishte për Shqipërinë dhe ndoshta mund të rezultonte me një gol avantazh. Mario Melciot e paketoi topin në rrjetën e portës së tij". Gazeta holandeze "NRC Handelsblat" shkruante se "legjioni i kuq festoi masivisht, por gjyqtari anuloi autogolin e shënuar me kokë nga Melciot. Madje, edhe sanitarët shqiptarë të Kryqit të Kuq protestuan te arbitri anglez për anulimin e golit".
Media holandeze i bën elozhe mbrojtësit shqiptar Kristi Vangjeli, i cili detyroi Robin Van Persin të merrte karton të verdhë, ndërsa trajneri Van Basten e ndërroi atë me Rafael Van Der Vartin për të mos marrë karton të kuq.
Gazeta "Volkskrant" ishte shumë kritike. "Ne mund të gëzohemi me fitoren, por duke parë se skuadra "portokalli" përbëhet me lojtarë të Realit të Madridit, Mancesterit, Arsenalit, Liverpulit, atëherë fitorja në minutën e fundit nuk meriton nota pozitive, pavarësisht se ekipi i Van Bastenit arriti dy fitore brenda katër ditësh. Van Basteni duhet të zgjidhë problemet me Klarens Sedorfin dhe Ibrahim Afelay".
Sedorf: "Nuk pres mëshirë nga Van Basten"
Gazeta holandeze "NRC Handelsblat" shkruante: "Edhe Shqipëria është shumë e vështirë për Holandën. Një gol i minutës së fundit parandalon furtunën. Shqipëria, një vend me pak më shumë se 4 mijë futbollistë, e meritoi një pikë dhe kishte disa shanse për të triumfuar, deri në momentin kur shqiptari Lorik Cana mori karton të kuq". Mesfushori i Milanit, Klarens Sedorf, një nga 18-lojtarët e listës së Van Bastenit, por i papërdorur kundër Shqipërisë, u shpreh shumë kritik ndaj trajnerit të tij. "Nuk pres kurrë prej tij që papritur të jem pjesë e ekipit bazë. Ai (Van Basten) i di shumë mirë vlerat e mia. Nuk është shumë pozitive për mua të qëndroj si zëvendësues". Sedorf mendon se ai dhe Shnajder mund të luajnë shumë bukur së bashku në mesfushë. "Te Milani unë kam luajtur së bashku me Rui Kostën, duke pasur edhe Gatuzon pranë".
RAI: Polemika për arbitrimin e Rilit
Televizioni shtetëror italian, RAI, në faqen zyrtare të tij, raisport.rai.it shkruante me nota kritike në lidhje me arbitrimin e gjyqtarit anglez, Majk Rili gjatë ndeshjes Shqipëri-Holandë. "Gjykimi i tij ka hapur polemika në të gjithë vendin (Shqipëri). Në mënyrë të vecantë, vendimet e marra nga Rili dhe që janë kontestuar janë dy: anulimi i një goli në favor të Shqipërisë (autogoli i holandezit Melciot), i vlerësuar i rregullit edhe nga vëzhgues neutralë, si dhe përjashtimi i Canës pak para golit të Van Nistelroit. Gazetat dhe televizionet shqiptare janë të hidhura: "Mëkat, që na mundi një gjyqtar idiot", ishte titulli i madh i gazetës "Metropol".
Van Basten: "Përdorën të gjitha marifetet"
Trajneri Marko Van Basten, shumë i kursyer në deklaratat e tij në Shqipëri, pranoi për televizionin holandez RTL4, që transmetoi direkt nga Tirana: "Ata (shqiptarët) e nisën lojën gjithë vrull dhe e bënë të vështirë për ne, por nuk ishte problem". Për faqen zyrtare të UEFA-s, uefa.com, legjenda e futbollit holandez vlerësoi disiplinën e ekipit të tij. "Ne ishim shumë të disiplinuar dhe në fund bëmë një hap të madh drejt Kampionatit Europian. Shqipëria është një ekip që nuk duhet nënvlerësuar. Ata janë kundërshtarë të vështirë që luajnë fizikisht dhe përdorin të gjitha marifetet. Por ne qëndruam të qetë, nuk bëmë gjëra të cmenduara dhe në fund rezervuam e merituam fitoren. Kur jeni profesionalë, në fund fati do të jetë në anën tuaj".
Van Nistelroi: "U prishëm festën"
Sulmuesi i Realit të Madridit, Rud Van Nistelroi, vlerësoi paraqitjen e ekipit tonë: "Ne dimë qysh më parë se do të ishte një ndeshje e vështirë. Nëse do të përfundonte 0-0 ata do të kishin një festë të madh, por në fund ne fituam duke shfrytëzuar më së miri lojën nga krahët dhe një kros të madh në pozicionin e duhur. Ju duhet të luftoni deri në minutën finale. Kjo është dicka që ne kemi punuar shumë fort".
Shnajder: "Bënë gjithcka për të fituar"
Mesfushori i talentuar Uesli Shnajder pranoi se Shqipëria bëri gjithcka për të fituar: "Kushtet ishin të vështira dhe kundërshtarët tanë bënë gjithcka për të fituar. Ata u treguan shumë të rreptë, por gjëja më e rëndësishme janë tri pikët". Shnajder do të jetë i pezulluar për ndeshjen kyce kundër Rumanisë, më 13 tetor, dhe bashkë me të do të mungojnë edhe Mario Melciot e Robin Van Persi.