Mediat e huaja deklarojnë se protestat e PS-së mund të sjellin pengesa në procesin e integrimit të Shqipërisë

“Zgjedhjet u vlerësuan ndërkombëtarisht si më të mirat në historinë e Shqipërisë, por opozita, vazhdon t’i kontestojë”
Me sjelljen e saj, opozita shqiptare po dëmton seriozisht integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Kështu e kanë trajtuar protestën e nisur nga socialistet, kanalet më të fuqishme televizive në Europë. Euronews, BBC, Agjencia e Lajmeve Reuters apo gazeta italiane “Corriere della Sera” shkruajnë se protesta e opozitës, e cila prej muajsh bojkoton parlamentin, po dëmton procesin e integrimit europian të Shqipërisë. “Reuters” shprehet se socialistët kanë kërkuar rinumërim të votave për një proces zgjedhor të cilin institucionet ndërkombëtare e cilësuan si më të mirin të organizuar ndonjëherë në Shqipëri. Euronews, shkruan gjithashtu se në protestën e opozitës morën pjesë dhjetëra qytetarë shqiptarë. Komentet e superfuqive mediatike janë në të njëjtën linjë me qëndrimet e përfaqësuesve të institucioneve më të rëndësishme të Bashkimit Europian, të cilët kërkojnë që ngërçi politik të zgjidhet përmes parlamentit dhe institucioneve. “Apelet e përsëritura të ndërkombëtareve- BE dhe SHBA – për të rifilluar dialogun nuk kanë arritur të afrojnë partitë drejt një marrëveshjeje përfundimtare, për afrimin e Shqipërisë në BE”, - shkruan agjencia e lajmeve ANSA.
...