E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, Greva e urisë, të afërmit e viktimave të “9 Janarit” kërkojnë rihapje të hetimeve



Dy pjesëtarë të familjeve të shoqatës “9 Janari” kanë hyrë dje grevë urie. Ata kërkojnë gjetjen e trupave të fëmijëve të tyre, rihapjen e çështjes, duke vënë para drejtësisë autorët e vërtetë të krimit që u mori jetën 28 personave, kryesisht nga Veriu. Nga ana tjetër, familjarët kërkojnë që dosja e “9 Janarit” të hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ndoc Bjeshka ka deklaruar se është i vendosur të vazhdojë grevën deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit. “Kam djalin, Kreshnikun, trupi i të cilit nuk është gjetur ende. Kam provuar të gjithë mënyrat. Asgjë nuk është zgjidhur. Nuk dal i gjallë prej këtej pa u zgjidhur kërkesat tona, që nisin me gjetjen e trupave të fëmijëve tanë. Janë tetë persona, trupat e të cilëve nuk janë gjetur ende. Shefi i Krimeve, Sokol Bizhga, është shprehur se është gjetur një gomone me trupat e tetë personave, të cilët janë gjetur të pajetë. Duam që çështja të rihapet, pasi ende nuk janë para drejtësisë fajtorët e vërtetë. Nga ana tjetër, në atë ngjarje kanë humbur jetën 28 persona, kështu me këtë duhet të merret patjetër Prokuroria e Krimeve të Rënda”. Një nga grevistët është shprehur se nuk del nga greva e urisë nëse nuk i jepet zgjidhje kësaj çështjeje, madje duke treguar edhe dy arkivole që i kanë futur në dhomën ku bëjnë grevën. Mësohet se kësaj greve do t’i shtohen edhe 6 persona të tjerë, familjarë të të zhdukurve. Ngjarja për të cilën kanë hyrë në grevë dy pjesëtarët e familjeve të Shoqatës “9 Janari”, ka ndodhur katër vjet më parë në kanalin e Otrantos, në të cilën humbën jetën 28 persona si pasojë e përmbytjes së anijes që udhëtonte në drejtim të Italisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›