Mediat greke i kushtojnë faqen e parë inaugurimit të rrugës që bashkon Shqipërinë me Kosovën

“Pak përpara zgjedhjeve të së dielës, Sali Berisha përuroi autostradën që lidh Shqipërinë me Kosovën, duke thënë se u hap “aksi i kombit shqiptar”, raportoi dje e përditshmja konservatore “Kathimerini”, e cila e vuri theksin edhe tek prania e Kryeministrit turk Erdogan, i cili ishte shfaqur i emocionuar për suksesin shqiptar
Gazeta më e madhe e pavarur greke “Kathimerini” i ka kushtuar dje në faqen e parë të saj një hapësirë domethënëse përurimit të rrugës Durrës-Kukës. Gazeta greke ka pasqyruar në faqen e saj të parë me foto nga inaugurimi i autostradës së kombit si dhe fjalën dhe entuziazmin e kryeministrit Sali Berisha, por sidomos atij turk Rexhep Tayp Erdogan. Sipas të përditshmes më të madhe në shtetin helen, gazetë e cila vjen edhe në Tiranë, ‘Kathimerini’, “kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha dhe homologu i tij turk Rexhep Tayip Erdogan kanë bashkuar ‘duart’, në një përshëndetje publike, pas përurimit të djeshëm të pjesës së parë të autostradës moderne e cila do të bashkojë Durrësin me Prishtinën. Pak ditë përpara zgjedhjeve parlametare të së dielës në Shqipëri,. Zoti Erdogan nënvizoi se Turqia mbështet zhvillimin e Shqipërisë dhe të Kosovës si vende të lira dhe demokratike”, thuhet në komentin e gazetës greke.
Po dje media greke ka komentuar menjëherë nëpër agjencitë online dhe uebsitet e gazetave më të rëndësishme përurimin e rrugës Durrës-Kukës, dhe pjesëmarrjen në këtë eveniment të Kryeministrit turk, Taip Erdogan. Sipas gazetës ‘Ta Nea’ dhe ‘To Ethnos’: “Pak përpara zgjedhjeve të së dielës, Sali Berisha përuroi autostradën që lidh Shqipërinë me Kosovën, duke thënë se u hap «aksi i kombit shqiptar». Gjatësia prej 60 km dhe me vlerë një miliard euro, autostrada që lidh Shqipërinë me Kosovën Qendrore, u ndërtua nga kompania turko-amerikane “Bechtel-Enka”. Në përurimin e kësaj rruge ka qenë i pranishëm, pak përpara se të mbërrijë në Bruksel, Kryeministri turk Taip Erdogan, duke u përpjekur t’u japë shtysë përpara marrëdhënieve të ngrira të Ankarasë dhe hyrjes së saj në BE. «Korridori i Kombit i jep fund njëherë e përgjithmonë ndarjes së kombit shqiptar»,- tha Kryeministri shqiptar. Përurimi i kësaj vepre u bë vetëm tri ditë përpara zgjedhjeve kombëtare parlamentare në Shqipëri, ku pritet që konservatori Berisha dhe kundërshtari i tij i majtë, Edi Rama, të jenë shumë afër njëri-tjetrit në garën për të qeverisur. Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia vetëm një vit përpara se të përurohej kjo rrugë”, - thuhet në njoftimet e publikuara edhe me foto ekskluzive në këto dy media.