Presidenti i Popullorëve Evropianë: Kryeministri Berisha dhe qeveria i hapën Shqipërisë perspektivën evropiane
Presidenti i Partive Popullore Evropiane, grupit më të madh politik në Parlamentin Evropian i jep mbështetje të plotë kryeministrit Berisha dhe Partisë Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit
Kryeministri Berisha priti sot në një takim Presidentin e Partive Popullore Evropiane zotin Wilfried Martens, i cili erdhi në Shqipëri për të mbështetur Partinë Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit. Presidenti Martens shprehu kënaqësinë e tij për ndryshimet rrënjësore që ka pësuar Shqipëria gjatë qeverisjes aktuale. Duke shprehur mbështetjen e plotë për kryeministrin Berisha dhe partinë demokratike, zoti Martens theksoi se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe të gjithë rajonit. Kryeministri Berisha e njohu zotin Martens me programin e partisë Demokratike për 4 vitet e ardhshme, i cili synon tu ofrojë qytetarëve shqiptarë, standardet, kriteret dhe praktikat e qytetarëve të vendeve anëtare të BE-së, duke e përgatitur kështu Shqipërinë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Pas takimit të dy personalitetet dhanë një prononcim për shtyp: Kryeministri Berisha: Presidenti i Partive Popullore Wilfried Martens ka ardhur sot në Shqipëri për të mbështetur Partinë demokratike, parti simotër, parti e aderuar në Partinë Popullore evropiane. Unë i shpreha mirënjohjen më të thellë presidentit Martens për të gjithë mbështetjen e jashtëzakonshme që i ka dhënë partisë demokratike që nga fillimi deri më sot. E njoha me programin e Partisë Demokratike për katër vitet që vijnë, programi i Shqipërisë evropiane, me të cilin ne synojmë të tu ofrojmë qytetarëve shqiptarë, standarde, kritere, praktikat e qytetarëve të vendeve anëtare të BE-së dhe përgatit Shqipërinë për anëtarësim në bashkimin Evropian. Presidenti i PPE Wilfried Martens: Ju falënderoj shumë zoti Kryeministër. Unë vij për herë të parë këtu si President i Partive Popullore Evropiane. Në dhjetor të vitit 1993 takova zotin kryeministër, i cili ishte president i vendit. Konstatova në fillim të vizitës sime se çfarë ndryshimi rrënjësor dhe gjigand ka bërë për vendin dhe popullin e tij. Kam ardhur këtu për ta mbështetur atë, në këtë fushatë zgjedhore, sepse ajo është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe të gjithë rajonit, për të patur një kryeministër dinamik dhe një qeveri dinamike dhe për të përgatitur të ardhmen evropiane të Shqipërisë, si një pol të stabilitetit në të gjithë rajonin. Edhe njëherë unë jam i bindur se Shqipëria duhet të bëhet anëtare e BE-së. Dhe një nga rezultatet kryesore të kryeministrit Berisha është se ai hapi dhe realizoi perspektivën evropiane dhe antlantiste të Shqipërisë. Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s. Shqipëria dhe qeveria e saj mundësuan nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim-Associimit me BE. Ne do ta mbështesim kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij për të realizuar liberalizimin e vizave në BE. Ne konstatuam një progres shumë të madh për sa i përket fushës sociale dhe fushës ekonomike. Tashmë Shqipëria ka një buxhet të stabilizuar dhe ka krijuar një infrastrukturë të re për Shqipërinë. Për këtë arsye ne si parti popullore evropiane do ta mbështesim atë në këtë fushatë. Siç e dini Partia popullore evropiane është partia politike më e madhe dhe grupi politik më i madh, në parlamentin evropian. Gjatë zgjedhjeve të fundit evropiane, në 7 qershor ne fituam për të tretën herë. Në këtë periudhë të krizës financiare pjesa më e madhe e votuesve evropiane na besuan ne, si një faktor stabiliteti dhe për këtë arsye ne i fituam këto zgjedhje. Ne do të vazhdojmë punën tonë në parlament gjithashtu në Komisionin Evropian, dega ekzekutive e Bashkimit Evropian. Ne kemi presidentin e Komisionit dhe gjithashtu në Këshillin e kryetarëve të shteteve dhe qeverive kemi 13 kryeministra".
...