Vlerëson Presidenti i PPE Wilfried Martens në takimin me kreun e qeverisë shqiptare

“Kryeministri Berisha dhe qeveria i hapën Shqipërisë perspektivën evropiane të zhvillimit”
“Kam ardhur këtu për ta mbështetur atë, në këtë fushatë zgjedhore, sepse ajo është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe të gjithë rajonit, për të patur një kryeministër dinamik dhe një qeveri dinamike dhe për të përgatitur të ardhmen evropiane të Shqipërisë, si një pol të stabilitetit në të gjithë rajonin”.
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim Presidentin e Partive Popullore Evropiane, Wilfried Martens, i cili vjen në Shqipëri për të mbështetur Partinë Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit, garantoi se grupi më i madh politik në Parlamentin Evropian i jep mbështetje të plotë kryeministrit Berisha dhe partisë Demokratike në zgjedhjet e 28 qershorit.
Presidenti Martens shprehu kënaqësinë e tij për ndryshimet rrënjësore që ka pësuar Shqipëria gjatë qeverisjes aktuale. Duke shprehur mbështetjen e plotë për kryeministrin Berisha dhe partinë demokratike, Martens theksoi se këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe të gjithë rajonit.
Kryeministri Berisha e njohu Martens me programin e partisë Demokratike për 4 vitet e ardhshme, i cili synon tu ofrojë qytetarëve shqiptarë, standardet, kriteret dhe praktikat e qytetarëve të vendeve anëtare të BE-së, duke e përgatitur kështu Shqipërinë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Presidenti i PPE Wilfried Martens u shpreh se “unë vij për herë të parë këtu si President i Partive Popullore Evropiane”.
“Në dhjetor të vitit 1993 takova zotin kryeministër, i cili ishte president i vendit. Konstatova në fillim të vizitës sime se çfarë ndryshimi rrënjësor dhe gjigant ka bërë për vendin dhe popullin e tij. Kam ardhur këtu për ta mbështetur atë, në këtë fushatë zgjedhore, sepse ajo është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë dhe të gjithë rajonit, për të pasur një kryeministër dinamik dhe një qeveri dinamike dhe për të përgatitur të ardhmen evropiane të Shqipërisë, si një pol të stabilitetit në të gjithë rajonin. Edhe njëherë unë jam i bindur se Shqipëria duhet të bëhet anëtare e BE-së. Dhe një nga rezultatet kryesore të kryeministrit Berisha është se ai hapi dhe realizoi perspektivën evropiane dhe antlantiste të Shqipërisë. Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s. Shqipëria dhe qeveria e saj mundësuan nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim-Associimit me BE. Ne do ta mbështesim kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij për të realizuar liberalizimin e vizave në BE”, u shpreh Martens.
Ai u shpreh se Shqipëria ka bërë progres të jashtëzakonshëm porsa i përket fushës sociale dhe fushës ekonomike.
“Tashmë Shqipëria ka një buxhet të stabilizuar dhe ka krijuar një infrastrukturë të re për Shqipërinë. Për këtë arsye ne si parti popullore evropiane do ta mbështesim atë në këtë fushatë. Siç e dini Partia popullore evropiane është partia politike më e madhe dhe grupi politik më i madh, në parlamentin evropian. Gjatë zgjedhjeve të fundit evropiane, në 7 qershor ne fituam për të tretën herë”, deklaroi Martens.