E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat kërkojnë lehtësira për TV Shijak

10/03/2005  Komisioni i mediave i ka kërkuar dje Këshillit Kombëtar të Radiotelevizionit që të gjejë hapësirat ligjore, në mënyrë që TV Shijakut t'i lejohet transmetimi televiziv. Gjatë mbledhjes së zhvilluar dje, deputetët e opozitës dhe ata të mazhorancës kanë kërkuar që të jetë gjyqësori, ai që do të vendosë mbi këtë televizion, por deri në këtë vendim TV-Shijakut t'i jepet e drejta e transmetimit. Deputeti i PD-së, Vili Minarolli, e ka cilësuar bllokimin e këtij televizioni si "mbylljen e gojës për qytetarët". Ndërkohë, kryeredaktori i TV Shijak, Ilir Hoxha, tha për "Metropol", se e përshëndet dhe e mirëpret sugjerimin që ka dhënë Komisioni i Medias për këtë çështje. Sipas tij, diskutimet, si të mazhorancës dhe të opozitës, janë për t'u përshëndetur. Megjithatë, diskutimet kanë mbetur vetëm në kuadrin e sugjerimeve, pasi KKRT është organ i pavarur, ndaj është kërkuar respektimi i ligjit mbi piraterinë. Debati mes TV Shijak dhe KKRT-së ka ardhur si shkak i debateve mbi piraterinë e filmave. KKRT pretendon se ka marrë një vendim të drejtë, ndërsa krerët e TV Shijakut theksojnë se institucioni i monitorimit të mediave ka marrë një vendim arbitrar, pasi ka kapërcyer disa hallka në marrjen e vendimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›