Mediat në Kosovë:Hoxhaj pritet të japë dorëheqjen

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj pritet të jap dorëheqjen javën e ardhshme, pas mosmarrëveshjeve lidhur me njohjen ose jo nga Republika e Malit.
Lajmi bëhet i ditur nga mediat kosovare të cilat theksojnë se është dashur deklarata e fuqishme e kryeministrit Hashim Thaçi, që gjërat rreth Malit të sqarohen përfundimisht.
Një ditë pas skandalit të ministrit Enver Hoxhaj i cili disi me mburrje e tha se njohja nga Mali nuk ka ekzistuar asnjëherë, shefi i tij dhe i ekzekutivit, Hashim Thaçi, përgënjeshtroj keq atë, duke theksuar se njohja ekziston.
Burime brenda kabinetit qeveritar kanë thënë për mediat se ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj po bëhet gati t`i komunikoj kryeministrit lajmin e vështirë për të. Këto burime kanë thënë se Hoxhaj, të hënën ose të martën, do t`i paraqes Thaçit dorëheqjen.
“Porsa të përfundoj ceremonia festive e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, Hoxhaj do ta depozitoj në kryeministri dorëheqjen. Kjo pritet të ndodhë të hënën ose të martën”, citohet të ketë thënë burimi brenda qeverisë kosovare për mediat.