E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediat në Shqipëri abuzojnë vetë me lirinë e tyre

Nga Express më 03 maj 2011 në ora 12:17

Analistët e shtypit në Shqipëri mendojnë se problemi kryesor i medieve shqiptare janë vetë pronarët e tyre. Andi Tela, drejtues i gazetës “Panorama”, thotë se pronarët e medieve po investojnë shumë në blerje pajisjesh të reja televizive, por nuk investojnë në shkollimin e gazetarëve me koncepte të reja profesionale; madje kjo quhet një punë e dorës së dytë, mjafton që të kenë pajisje moderne.

Sipas Telas, kasetat e gatshme me filmime që shpërndajnë partitë për fushatë, duhet të ishin refuzuar nga të gjitha televizionet njëzëri si një shkelje etike, sepse ato janë reklama për kandidatët dhe jo lajme për qytetarët.

“Mediat duhet t’i refuzonin kasetat e partive, por kjo gjë duhej bërë përpara fushatës dhe madje me një nen në Kodin Zgjedhor. Mediat nuk duhet të detyrohen që të marrin kasetat e gatshme nga partitë. Rregullat nuk mund të ndryshohen në mes të lojës. Bordi i monitorimit dhe KQZ absolutisht nuk duhet të detyrojnë mediat në javën e fundit të fushatës që të pranojnë kasetat e gatshme; ato nuk bëjnë gjë tjetër veçse ulin cilësinë e raportimit të medieve”, tha Tela.

Ndërsa gazetari i njohur Sami Neza thotë se komuniteti i medieve është i përçarë edhe në çështjen e kasetave dhe vendimi për t’i refuzuar ato nuk ishte unanim.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›