Mediat pas tërmetit në Haiti: Janë 40 kosovarë që punojnë atje
PRISHTINE-Sado që Haiti, gjeografikisht mund të ndodhet shumë larg Kosovës, edhe në këtë shtet të Atlantikut, kanë shkuar kosovarë që të punojnë. Gazeta Express e Kosovës nëpërmjet zyrtarëve të OKB ka mundur të sigurojë emrat e së paku 9 kosovarëve, disa prej të cilëve jetojnë atje me familje. Ata janë: Albiana Kadriu, Lindita Hoxha, Bekim Bojku, Besnik Demolli, Artan Rexhepi, Habib Hoxha, Bujar Alickaj, Gojart Galica dhe Shqipe Hebibi. Shumë prej tyre kanë përjetuar tërmetin e fuqishëm, i cili duket se ka shkatërruar gjysmën e këtij vendi. Të gjithë këta kosovarë kanë qenë duke punuar në Misionin e Kombeve të Bashkuara për Stabilizim në Haiti, i njohur me shkurtesën MINUSTAH. Njëra prej shqiptareve të Kosovës me të cilën Express ka mundur të kontaktojë është Shqipe Hebibi, të cilën kosovarët e njohin e nga koha kur ajo ishte zënë peng nga talebanët në Afganistan në verën e vitit 2005. Gjatë tërmetit në Haiti, ajo ka qëlluar të jetë në shtetin fqinj, Republikën Domenikane. “Nuk di çfarë të them, sepse tani për tani nuk kam kurrfarë informacioni, sepse jam e izoluar këtu ne Republikën Domenikane dhe të them të drejtën, jam në kaos edhe vetë”, thotë Hebibi për Express. Kontaktet me misionin e OKB-së në Haiti, janë të vështira, sepse aktualisht i tërë vendi ndodhet në kaos. Megjithatë, Expressi ka kontaktuar Aleksandra de La Falaise, e cila është një nga zyrtaret e misionit të OKB-së. Ajo konfirmon se ka parë me sytë e saj ose di me siguri se këta nëntë kosovarë janë mirë dhe kanë shpëtuar. Aleksandra de La Falaise, e cila edhe vetë është me prejardhje nga rajoni i Ballkanit, saktësisht nga Vojvodina, është zyrtare e menaxhimit të kontratave ndërmjet shërbimeve të kontraktuesve lokalë dhe ndërkombëtarë, në Haiti. “Unë jam e lumtur t'ju informoj se të gjithë miqtë e mi kosovarë që punojnë për MINUSTAH, janë të mirë dhe të gjallë”, thotë Aleksandra de La Falaise për Express. “Kisha mundësi për të parë Lindita Hoxhën, Bekim Bojkun, Besnik Demollin, Artan Rexhepin, Habib Hoxhën, disa herë. Të gjithë ata janë mirë. Ne jemi të gjithë në njërën nga bazat e OKB-së në Haiti. Bujar Aliçkaj, Gojart Galica dhe Shqipe Hebibi, në kohën e tërmetit, falë Zotit, nuk ishin në Haiti”, thotë La Falaise, emir i së cilës nuk është i panjohur për opinionin në Kosovë. Aleksandra de La Falaise ka punuar në Prishtinë, në zyrën e ish-Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Bernard Kushner, në vitet 2000-2001. “Nuk kam kohë të mjaftueshme për t’i kërkuar dhe për t’i gjetur të gjithë. Jam shumë e zënë duke dhënë ndihmën e parë psikologjike për viktimat e këtij tërmeti”, thotë La Falaise për Express. Ndërkohë, burime të Expressit shpjegojnë se edhe Qeveria e Kosovës, saktësisht Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, është informuar se në Haiti ndodhen duke punuar rreth 40 kosovarë. Këto informacione, Qeveria e Kosovës i ka marrë nga Departamenti amerikan i Shtetit, për shkak se komunikimi me Haitin është i pamundur jo vetëm për faktin e shteti është në gjendje të rëndë pas tërmetit, por edhe se ai vend ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. E kontaktuar nga Expressi, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Vlora çitaku, shpjegon se në këtë rast, problem është identifikimi i këtyre personave si shtetas të Kosovës, pasi ata kanë qenë duke punuar kryesisht me pasaporta të vende të tjera. “Nëpërmjet kanaleve të tjera diplomatike, ne kemi arritur të informohemi për bashkëqytetarët tanë në Haiti, ku llogariten se janë rreth 40 persona. Për aq sa kemi informacione, nuk ka të dhëna se ka viktima”, thotë çitaku për Express, pa mundur të japë sqarime se sa prej këtyre 40 personave janë gjallë. Nga tërmeti i fuqishëm në Haiti ka mbetur i vdekur edhe shefi i misionit të OKB-së, tuniziani Hedi Annabi. Njoftimin e ka bërë të ditur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon. Siç ka transmetuar Reutersi, kreu i OKB-së konfirmoi se nga tërmeti kanë vdekur edhe zëvendësi i Annabit, braziliani Luiz Carlos da Costa dhe shefi i policisë ndërkombëtare, kanadezi Doug Coates. Në momentin e tërmetit, Anabi ishte në takim me bashkëpunëtorët e tij më të afërt në hotelin Cristofer, selinë e misionit të OKB-së në kryeqytetin Port-au-Prince. Deri tani është konfirmuar vdekja e 40 pjesëtarëve të OKB-së në Haiti, ndërsa 330 të tjerë konsiderohen të zhdukur. Ishulli i Karaibeve ndodhet në oqeanin Atlantik ndërmjet Amerikës Jugore dhe Veriore dhe është i ndarë në dysh, në shtetin e Haitit dhe Republikës Domenikane. Sipërfaqja e shtetit, duke përfshirë edhe zonën ujore është 27 mijë e 750 km2. Të dhënat e popullsisë për vitin 2009, tregojnë se në këtë shtet jetojnë 9 milionë e 35 mijë e 536 banorë. Nga tërmeti mendohet se mijëra njerëz kanë vdekur, edhe pse nuk ka një bilanc zyrtar pasi shifrat ndryshojnë përditë. (d.b/BalkanWeb)