E Diel, 1 Nëntor 2026

Një nismë pozitive e Turqisë

Një mekanizëm i ri konsultimesh trepalëshe për zgjidhjen e krizës së brendshme dhe për funksionimin si shtet unik të Bosnjë-Hercegovinës, mori jetë me bisedimet që ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, zhvilloi në Zagreb më 14 janar, dhe në Beograd, më 15 janar. Në Zagreb u zhvilluan bisedimet mes ministrave të Jashtëm të Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Turqisë dhe këto ishin bisedimet e para në këtë format. Në Beograd u zhvilluan bisedimet mes ministrave të Jashtëm të Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Turqisë, dhe këto ishin raundi i katërt i konsultimeve trepalëshe. Raundet e para të bisedimeve trepalëshe Serbi-Bosnjë-Hercegovinë dhe Turqi, janë zhvilluar në muajin tetor dhe nëntor në Stamboll, në muajin dhjetor në Sarajevë dhe tani në janar në Beograd. Krijimi i këtij mekanizmi të konsultimeve trepalëshe mes këtyre shteteve është nismë e Turqisë, dhe personalisht e ministrit të Jashtëm dinamik të saj, Ahmet Davutoglu. Takimet do të mbahen në kryeqytetet respektive një herë në muaj, gjë që tregon seriozitetin dhe angazhimin e diplomacisë turke dhe të diplomacisë së partnerëve të saj në këtë mekanizëm, për të bashkëpunuar në gjetjen e rrugëve më të sigurta dhe më të shpejta për garantimin e stabilitetit në Bosnjë-Hercegovinë. Angazhimi i diplomacisë së Turqisë në këtë mekanizëm konsultimesh diplomatike me protagonistët e trekëndëshit etnik, që përbën shtetin e Bosnjë-Hercegovinës, vjen në kohën e duhur dhe me objektivin e duhur. 15 vjet pas Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, Bosnjë-Hercegovina nuk është ende shteti unik dhe funksional i tri etnive që e përbëjnë atë. Dështimi i udhëheqësve të tri etnive në Bosnjë-Hercegovinë për të gjetur kompromisin dhe për të ndërtuar së bashku një shtet unik, ka bërë që ata të mos merren vesh as për ndryshimet e nevojshme të Kushtetutës dhe as për reformat demokratike që duhen ndërmarrë. Kjo situatë e rëndë ka krijuar stanjacion edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të shtetit të Bosnjë-Hercegovinës. Burimi kryesor i rrezikut të stabilitetit dhe të unitetit të Bosnjë-Hercegovinës është e ashtuquajtura “Serpska republika”, e cila ka ardhur duke rritur tendencat separatiste dhe nëpërmjet kërcënimit të referendumeve për pavarësi e për bashkim me Serbinë, shantazhon shtetin me qëllim që të kontrollojë dhe të drejtojë ajo shtetin. Duhet pranuar se, pa një mbështetje të drejtpërdrejtë dhe të shumanshme nga qeveritë në Beograd, e ashtuquajtura “Serpska republika” nuk do të kishte mundur të ketë kaq vrull në vokacionin e saj separatist dhe në politikën obstruksioniste që ndjek, si ndaj shtetit unik të Bosnjës, ashtu dhe në bashkëpunimin e shtetit me partnerët dhe organizatat perëndimore. Rëndimi i vazhdueshëm i gjendjes dhe i krizës së brendshme në Bosnjë-Hercegovinë nxiti Perëndimin të ndërmerrte bisedimet e quajtura “Procesi i Butmirit”, sipas vendit në Bosnjë, ku zhvilloheshin bisedimet e zëvendës-sekretarit amerikan të shtetit, ministrit të Jashtëm të Suedisë, Karl Bildt, vendit që kishte presidencën e BE-së gjashtëmujorin e kaluar, dhe tre udhëheqësve të tri etnive përbërëse të Bosnjë-Hercegovinës. Procesi i Butmirit, për shkak të intransigjencës etnike dhe mosmarrëveshjeve mes tre udhëheqësve lokalë, nuk arriti në ndonjë rezultat konkret. Në këtë situatë doli në dritë nisma e ministrit të Jashtëm të Turqisë, Ahmet Davutoglu, i cili në mënyrë inventive krijoi mekanizmin e konsultimeve në nivel të ministrave të Jashtëm mes Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë, dhe tani edhe mes Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Turqisë. është një gjetje e qëlluar e ministrit të Jashtëm turk, i cili përfshiu në mekanizmin e konsultimeve tri shtetet që janë protagonistë të etnive përbërëse të Bosnjë-Hercegovinës. Sepse është e kuptueshme se sa vendimtar është roli i Serbisë për vijën që ndjekin serbët e Bosnjës, dhe po kështu roli i Kroacisë për vijën që ndjekin kroatët e Bosnjës. Dhe ajo që është tepër e rëndësishme për rezultatin e konsultimeve dhe të të gjithë procesit ndërkombëtar për stabilitetin në Bosnjë, është fakti se boshnjakët nuk ndjehen të mënjanuar dhe janë të ndërgjegjshëm që me Turqinë ata kanë pothuaj të vetmin shtet, (përjashto Shtetet e Bashkuara të Amerikës), i cili nuk do t’i paragjykojë ata dhe nuk do t’i neglizhojë interesat e tyre kombëtare për shkak të paragjykimeve fetare. Edhe krijimi i dy formateve trepalëshe si pjesë e mekanizmit të konsultimeve, është një proces racional diplomatik, sepse secili format ka veçoritë e veta. Në formatin Kroaci-Bosnjë-Turqi kemi dy shtete anëtare të NATO-s, të angazhuara në mbështetjen dhe ruajtjen e karakterit unik të Bosnjë-Hercegovinës, i cili është thelbi i krizës së gjatë dhe të rëndë boshnjake. Kjo sjell një element sigurie në rrugën e Bosnjë- Hercegovinës për integrimin atlantik, dhe ministri i Jashtëm i saj, Sven Alkalaj deklaroi, pas konsultimeve në Zagreb, se bashkëpunimi trepalësh do të ndihmojë vendin e tij të bashkohet dhe me NATO-n dhe me BE-në. Në formatin Serbi-Bosnjë-Turqi kemi përfshirjen e Serbisë, e cila mund të thuhet se mban çelësin e krizës në shtetin e Bosnjë-Hercegovinës, për shkak të kontrollit dhe të ndikimit mbi serbët e Bosnjës. është shumë e rëndësishme që Turqia ka arritur të sigurojë bazën e funksionimit të mekanizmit të konsultimeve trepalëshe mbi themelin e pranimit nga shtetet pjesëmarrëse të mekanizmit të ruajtjes së sovranitetit dhe të integritetit të shtetit të Bosnjë-Hercegovinës. Në këtë kuadër merr vlera inkurajuese qëndrimi i Serbisë për të konfirmuar dhe për t’u angazhuar në përpjekjet ndërkombëtare për ruajtjen e integritetit shtetëror të Bosnjë-Hercegovinës. Nisma e Turqisë për krijimin e mekanizmit të konsultimeve trepalëshe për çështjen e Bosnjë-Hercegovinës është një sipërmarrje diplomatike, e cila jep shpresa për ecuri pozitive në proceset e brendshme dhe në stabilizimin e Bosnjë-Hercegovinës. është një nismë në ndihmë të zgjidhjes së problemit më të mprehtë që ka Ballkani sot, sepse kriza boshnjake përbën vatrën më të rrezikshme të një konflikti të mundshëm me pasoja të paparashikueshme, jo vetëm brenda Bosnjës, por më gjerë në gjithë rajonin. Turqia është shteti më i madh dhe më i fuqishëm i Ballkanit dhe ndërmarrja e një nisme diplomatike të kësaj natyre i jep një peshë të re si nismës, ashtu dhe rolit të Turqisë në rajonin tonë. Paraqet një rrethanë pozitive fakti që nisma e re e Turqisë në Ballkan vjen në një kohë të ngritjes së dukshme diplomatike të Turqisë në arenën ndërkombëtare, jo vetëm drejt dhe me qendrat tradicionale perëndimore të bashkëpunimit si NATO dhe BE, por edhe në rajone të tjera të rëndësishme gjeopolitike, si Kaukazi, Lindja e Mesme, Azia Qendrore etj. Kjo kushtëzon jo vetëm seriozitetin e angazhimit të Turqisë në rajonin tonë, por edhe sigurinë e përpjekjeve, ndërmjetësimit dhe të bashkëpunimit të saj me partnerët ballkanikë të mekanizmit të konsultimeve. Duhet vënë në dukje se nisma e re e Turqisë dhe angazhimi i saj i ri diplomatik në Ballkan, janë frut i një diplomacie aktive dhe i një filozofie të re moderne të politikës së jashtme nga shefi i diplomacisë turke, profesori dhe diplomati i shkëlqyer, Ahmet Davutoglu. është një ministër i Jashtëm me një dimension të rrallë edhe për Turqinë, i cili gjenialitetin e ideve, të kulturës dhe të mendimit të tij teorik të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të gjeopolitikës, po e aktivizon me sukses, në të mirë të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar, në postin e ministrit të Jashtëm, që ai mori në maj të vitit të kaluar. Ahmet Davutoglu, njëlloj si Henri Kizingeri, erdhi në diplomaci pas karrierës së shquar profesorale të teoricienit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Dhe njëlloj si Henri Kizingeri, ai do të mbetet i shquar edhe si profesor, edhe si arkitekt novator i një fryme të re në diplomacinë ndërkombëtare. (GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›