E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stambolli, kryeqendra e kulturës europiane 2010

STAMBLOLL- Stambolli u shpall zyrtarisht kryeqendër e kulturës evropiane për vitin 2010, në një ceremoni solemne, ku morën pjesë disa mijëra personalitete të rëndësishme turke dhe nga vendet e huaja. Në ceremoninë e hapjes, e cila u realizua nën patronazhin e presidentit turk, Abdullah Gjyl dhe kryeministrit Rexhep Taip Erdogan të shtunën në mbrëmje, morën pjesë disa mijëra të ftuar nga vendet e huaja. Deri vonë në mbrëmje janë mbajtur koncerte dhe programe të larmishme që kanë vazhduar deri në mëngjes, edhe pse moti ishte i ftohtë dhe me shi. Banorët dhe mysafirët në qytet kanë paraqitur interes të madh për këtë ngjarje kulturore, duke festuar në programin madhështor me fishekzjarrë në bregun e Bosforit. Gjatë fazës së konkurrimit për t’u zgjedhur Kryeqyteti Evropian i Kulturës, si emërtim për dosjen që mbronte tezën se Stambolli e meriton këtë titull, ishte përdorur slogani “Stambolli: Qyteti i Katër Elementeve”. Në historinë e tij mijëravjeçare, Stambolli ka qenë kryeqyteti i tri perandorive të mëdha, pika e takimit të tri feve hyjnore dhe shumë qytetërimeve, por më e rëndësishmja, qyteti ku përgjatë epokave ka gjetur jetë kultura e bashkëjetesës. Në projekt, katër elementet që simbolizojnë të fshehtat e jetës, u paraqitën duke u ndërthurur me veçoritë e këtij qyteti. “Le të integrohet Stambolli me botën, duke njohur realitetin e tij. Le të jetë emri i Stambollit po aq i domosdoshëm sa dheu, ajri, uji dhe zjarri, duke hedhur firma në projekte të reja kulturore që do ta bartin atë përtej epokave”, - u shprehën pjesëmarrësit në këtë manifestim të rëndësishëm kulturor. Stambolli bëhet Kryeqyteti Evropian i Kulturës për vitin 2010, krahas qytetit Essen të Gjermanisë dhe atij Peç të Hungarisë. (s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›