E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediat serbe komentojnë vizitën e Biden

Beograd -Vizita e zv/presidentit amerikan në Beograd Joe Biden, e cilësuar si historike, ishte sot në vëmendjen kryesore të shtypit vendas. Media serbe shprehte kënaqësinë për vizitën, duke theksuar veçanërisht se çështja e Kosovës mbi të cilën Beogradi dhe Uashingtoni kanë pikëpamje radikalisht të ndryshme, nuk do ta pengonte një përmirësim të marrëdhënieve dypalëshe. "Kosova nuk është një pengesë", "Serbi-SHBA: një fillim i ri", "SHBA gati ta shpejtojë rrugën e Serbisë drejt BE-së", këto ishin disa nga titujt e të përditshmeve serbe.

Çështja e Kosovës "u la mënjanë dhe nuk do të përbëjë pengesë për marrëdhëniet serbo-amerikane", shkruante e përditshmja me influencë "Politika". Biden deklaroi dje në Beograd se SHBA nuk priste që Beogradi të njihte pavarësinë e Kosovës dhe se një njohje e tillë nuk përbënte kusht paraprak që Serbia të përfitojë nga mbështetja amerikane në aspiratat e saj për të hyrë në Bashkimin Evropian.

Vizita e zëvendëspresidentit amerikan u karakterizua nga urimi i të dy palëve për të zhvilluar marrëdhëniet e tyre dypalëshe, të vështirësuara nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. SHBA ka qenë një nga përkrahësit kryesorë të kësaj pavarësie, për të cilën Beogradi as që do të dëgjojë të flitet.

Biden "nuk ka ardhur për të na vënë kushte të reja për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe, "por për të na ofruar shërbimet e SHBA-së, me qëllim përshpejtimin e integrimit të Serbisë në BE", vlerësonte "Politika"."Vecernje Novosti" gjykon gjithashtu se Uashingtoni është i gatshëm të mbështesë aktivisht një integirm të shpejtë të Serbisë në BE. E përditshmja "Blic" thekson atmoseferën "shumë pozitive" të takimit kokë më kokë të Biden dhe presidentit serb, Boris Tadiç, që zgjati më shumë nga sa ishte parashikuar. Duhen pritur rezultate shumë konkrete dhe pozitive pas atij takimi, vlerësonte "Blic".

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›