Mediet në Egjipt nxisin autoritetet që ta njohin sa më parë Kosovën

Vizita e Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj në Egjipt, është përcjellur me interesim të madh nga mediet e shkruara dhe elektronike të këtij shteti.
Gazetat egjiptiane kanë përcjellur vizitat dhe takimet e shumta të Ministrit Hoxhaj me personalitetet politike dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe bashkësive fetare në Kajro, si dhe kanë botuar editoriale, opinione dhe reportazhe të ndryshme, e përbashkëta e të cilave ishte apeli i medieve egjiptiane që ky shtet ta njohë sa më parë shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.
“Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka arritur në Kajro, në vizitën e parë të një zyrtari kosovar që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008. Hoxhaj, ka nisur vizitën e tij treditore, me vizitën në Sheshin Tahrir. Hoxhaj tha se Sheshi Tahrir tani është bërë vlerë e gjithë botës, dhe jo vetëm e arabëve. Ai tha se ky shesh përfaqëson lirinë dhe luftën, duke shtuar se liria dhe lufta që e ka bërë populli egjiptian në këtë shesh, ka frymëzuar popullin e Kosovës dhe gjithë botën me mënyrën e protestave paqësore e civilizuese, si dhe këmbënguljen për të arritur të drejtat dhe liritë e veta”, thuhej në njërën prej gazetave egjiptiane, ku shpalosej agjenda e Ministrit Hoxhaj gjatë vizitës në këtë shtet.
Një gazetë tjetër e Kajros në shkrimin e saj thotë se Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në konferencën e organizuar nga Sindikata e Gazetarëve të Egjiptit me titull “Pavarësia e Kosovës”, ka thënë se qëllimi i vizitës në Egjipt është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Egjipti. Ai ka falënderuar mikpritjen e Egjiptit, e veçanërisht njohjen e shtetit të tij nga të Rinjtë e Revolucionit.
Hoxhaj ka konfirmuar se shteti i tij është njohur nga shumë shtete, por synon shtimin e njohjeve dhe anëtarësimin në Kombet e Bashkuara. Hoxhaj ka shtuar se Sheshi Tahrir nuk është simbol i lirisë vetëm në Egjipt, por i lirisë në gjithë botën arabe. Ai ka përmendur mosnjohjen e Kosovës nga shtetet arabe, pavarësisht se 95 % e banorëve të saj janë myslimanë, ndërsa vetëm 10 shtete arabe nga 22 sosh kanë njohur Kosovën.
“Stabiliteti politik në Kosovë ka ndihmuar zhvillimin e lartë ekonomik. Hoxhaj ka kërkuar nga Egjipti i ri që të ndjek politikë të re ndaj Kosovës, dhe kjo politikë duhet të jetë njohja e pavarësisë. Por, vendimi i njohjes është vendim sovran që i takon Egjiptit e jo Kosovës, dhe ka shprehur interesimin për bashkëpunim në fushën ekonomike, turizmit e shkëmbimit kulturor. Hoxhaj ka shtuar se ndryshimi në shoqërinë egjiptiane ka qenë i domosdoshëm, por kjo duhet të ndodhë edhe në të gjitha shtetet arabe”, thuhej në artikull.
“Kryetari i Partisë al-Wafd, Sayyid al-Badawi, ka deklaruar se do të ketë rol të madh në thellimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Egjiptit, dhe ka propozuar mbajtjen e një konference të biznesmenëve nga të dy vendet për të udhëhequr nismën për njohjen e Kosovës. Ai ka rikonfirmuar njohjen e Kosovës nga partia e tij, dhe ka shtuar se do të mbështesë njohjen përmes Aleancës Demokratike, pjesë e së cilës janë 35 parti (ndër të cilat edhe partia e tij)”, thuhej në gazetë tjetër egjiptiane.
Hoxhaj ka përshëndetur njohjen e Kosovës nga Partia al-Wafd në muajin maj, dhe ka përshëndetur rolin e kësaj partie në njohjen e Kosovë, kurse përfaqësuesit e kësaj partie kanë thënë se gjatë vizitës që do të kenë në Libi më 23 shtator, do të ngrisin çështjen e njohjes së Kosovës gjatë takimit me Këshillin Transitor të Libisë.
“Gjatë takimit që Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, pati me kryemyftiun e Egjitpt, Ali Gomaa, e falënderoi këtë fundit për mbështetjen që i është dhënë institucioneve fetare në fushën e thirrjes islame. Hoxhaj ka konfirmuar thellësinë e marrëdhënieve historike midis Egjiptit dhe Kosovës, duke shtuar se Egjipti me Az’harin është lidere e botës arabe dhe islame. Ai ka kërkuar nga qeveria egjiptiane që të njohë sa më shpejt shtetin e Kosovës”, thuhej në një gazetë tjetër prestigjioze egjiptiane.