E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët ia bllokojnë rrugën, por nuk e braktisë shtëpinë

Nga Express më 18 shtator 2011 në ora 18:39

Familja e Tahir Kelmendit në fshatin Kelmend të komunës së Zveçanit, e cila jeton jo larg vendit ku është barrikaduar rruga nga serbët, nuk ka lëvizur asnjëherë nga shtëpia e tyre edhe pse po u bllokohet rruga.

Për t’u njohur më afër për problemet e kësaj familjeje, zyrtarët komunalë të prirë nga drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala dhe Kushtrim Shyti, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Mitrovicës, kanë vizituar të dielën këtë familje.

Drejtori Bala, ka shprehur respektin për kryefamiljarin Kelmendi dhe të gjithë anëtarët e familjes së tij, të cilët përkundër shqetësimeve për shkak të bllokimit të rrugës afër tyre, nuk janë zhvendosur prej atje. Ai tha se pushteti lokal në bashkëpunim me atë qendror do të ofrojnë gjithë mbështetjen për të dhe gjithë qytetarët që jetojnë në veri.

Në këtë kontekst, ai ka falënderuar të gjithë qytetarët e veriut, të cilët ashtu si gjithë vitet e pasluftës edhe këto ditë, kanë treguar një nivel të lartë të përgjegjësisë.

“Pjekuria e treguar e qytetarëve të veriut, të cilët vazhdimisht kanë qenë të provokuar nga strukturat paralele serbe, kanë bërë që të del në shesh e vërteta për politikën kriminale të Beogradit në këtë pjesë të Kosovës”, ka thënë Bala.

Sipas tij, bllokadat e rrugëve, sikur ajo që është ngritur në afërsi të rrugës që lidh fshatrat Kelmend, Boletin dhe Zhazhë, ka krijuar probleme për të gjithë qytetarët që jetojnë në veri.

Ai shtoi se me probleme të tilla ballafaqohen që rreth dy muaj edhe shqiptarët që jetojnë në tri fshatrat shqiptare të komunës së Leposaviqit.

Ndërsa Tahir Kelmendi, falënderoj zyrtarët komunalë për vizitën. Ai tha se nuk ka nevoje për kurrfarë ndihme, përveç rregullimit të një distance të shkurtër të rrugës që e lidh me fshatin Boletin, të cilin e shfrytëzon për qarkullim në kohën kur bllokohet rruga në Rudare.

Ai tregoi se kur nuk ka probleme vazhdimisht e shfrytëzon për qarkullim rrugën që kalon nëpër Rudare.

“Në anën e poshtme të vendit ku gjendet shtëpia ime janë 16 shtëpi të serbëve. Zakonisht qarkullojmë në rrugën mes tyre, por pos ndonjë provokimi nuk kemi pasur ndonjë telashe të madhe. Tash e kanë bllokuar rrugën dhe s’po mundemi të lëvizim andej”, ka thënë Kelmendi.

Ai bëri të ditur se nuk ka fqinj shqiptarë afër, por nuk ka menduar kurrë që të largohet nga shtëpia e tij.

“Këtu e kam pasur shtëpinë para luftës. Në luftë ma kanë djegur, por e kam rindërtuar dhe nuk e kam ndërmend të lëvizi. Është vendi dhe shtëpia ime kjo”, tha Kelmendi.

Ai tregoi se shtëpinë e kishte ndërtuar në vitin 1981, atëherë kur rrethanat kanë qenë po ashtu të rënda dhe shtoi se edhe atëherë ka pasur pengesa nga serbët, të cilët kundërshtonin ndërtimin e shtëpisë në atë vend, edhe pse toka ishte pronë e tij.

Kelmendi tha se në luftë serbët ia kishin vrarë një vëlla, ndërsa një problem tjetër me të cilin është ballafaquar gjatë gjithë jetës është një djalë i tij, të cilin ia kishin verbuar në të dy sytë në kohën kur ishte ushtar në ish- ushtrinë jugosllave.

“Ka qenë një tronditje e madhe për të dhe për ne. Ka shkuar i shëndoshë dhe është kthyer i verbër”, sqaroi Kelmendi.

Ndryshe serbët qysh të premten në mëngjes kanë bllokuar të gjitha rrugët që çojnë në drejtim të pikave kufitare 1 dhe 31 në veri, ku janë vendosur doganierët dhe policët kufitarë të Kosovës, të cilët janë dërguar atje me helikopterë të KFOR-it.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›