Medikamentet pa recetë mjekësore, shqetësim në Fier
Në farmacitë e rajonit të Fierit mund të marrësh medikamente edhe pa e pasur recetën e mjekut. Fakti i abuzimit në dhënien lehtësisht të ilaçeve e pranojnë me dhjetëra farmacistë, të cilët thonë se deri dhe fëmijë mund të hyjnë në farmaci e mund të marrin prej andej ç‘të duan, mjafton që ata të paguajnë. Edhe pse medikamentet mjekësore ndahen në dy kategori për farmacitë, sërish abuzimi i atyre që drejtojnë farmacitë është shumë i madh. Shumë nga farmacistët thonë se ky është një problem që kërkon zgjidhje të përgjithshme, pasi nuk mund të frenohet me iniciativë të farmacive të veçuara. Dhënia e medikamenteve pa recetë pranohet nga të gjithë farmacistët e rrethit të Fierit, edhe pse farmacistët e pranojnë se kanë frikë se mos këto medikamente shkaktojnë probleme në shëndetin e personave që i marrin pa rekomandim të specialistit. Stela Hyka është farmaciste dhe tregon se shpesh jep medikamente pa recetë, sepse sistemi shëndetësor në vend ende nuk e paraqet performancën që duhet të kishte. "Zakonisht edhe medikamente mjaft të rrezikshme ne i japim, pasi ato janë edhe më të shtrenjta dhe më pak të tërhequra. Por, është edhe pacienti ai që i kërkon këto ilaçe në këtë formë, pa shkuar më parë te mjeku. Shumica e medikamenteve në të gjitha farmacitë e rrethit të Fierit, ndoshta dhe në të gjithë vendin kështu tregtohen", thotë Hyka. Deri më sot në rrethin e Fierit nuk është regjistruar apo të paktën nuk është bërë publik ndonjë rast intoksikimi, për shkak të marrjes së medikamenteve pa recetë.
m.t.
m.t.