E Diel, 1 Nëntor 2026

Komuna Bushtricë fiton betejën me shtetin, bëhet me shkollë të mesme

Bojkoti që komuniteti i Komunës Bushtricë i bëri arsimit parauniversitar, duke mos dërguar asnjë fëmijë në shkollë për më shumë se tri javë ka dhënë rezultatin që komuniteti kërkonte: hapet shkolla e mesme.

Një takim i zhvilluar në fundin e javës që lamë pas në Ministrinë e Arsimit mes drejtuesve vendorë të pushtetit dhe arsimit në Kukës dhe ministrit Tafaj ka sanksionuar më në fund që Komuna e Bushtricës në Kukës, rreth 40 km larg qytetit dhe me një komuniteti prej rreth 4 mijë banorësh, të ketë shkollën e vet të mesme. Në të mund të mësojnë edhe nxënës të shkollave të fshatrave të afërt të kësaj komune.

Bojkoti

Në javën e tretë të vitit të ri shkollor, ministria nuk bëri më tej të paditurën, por u kujtua se diku në Shqipëri rreth 300 nxënës të shkollës 9-vjeçare ende nuk kishin zhvilluar asnjë orë mësimi. Kjo ishte forma e protestës që kishte zgjedhur komuniteti i zonës, kryesisht komunës Bushtricë, në kërkim të hapjes së një shkolle të mesme aty. Për shkollën e mesme, sipas burimeve lokale ka pasur një prononcim pozitiv të Ministrisë së Arsimit, më saktë të administratës së ministrit paraardhës, që shkolla në Bushtricë mund të hapej, por drejtuesit lokalë të arsimit nuk kishin gjetur kontingjentin e duhur profesional për këtë dhe e cilësuan si të pastudiuar, të parakohshme. Nga komuna në fjalë ishte siguruar mbështetja e ministrisë, por jo edhe ajo e Drejtorisë Rajonale të Arsimit (DAR). Në mbështetje të Bushtricës ishin shprehur edhe katër komuna të tjera, fshatra të caktuar të të cilave mund të përfitonin nga hapja e shkollës.

15 shtatori nuk solli klasën e dhjetë në Bushtricë, ku komuniteti me prindër dhe nxënës, kishin bërë përgatitjet e duhura festive për ta shënuar si ngjarje. Atëherë prindërit, të moshuar dhe të rinj, të zhgënjyer nga kjo, kishin vendosur të reagojnë. Së pari, siç ka deklaruar kryesuesi i bordit të prindërve, vendosën të mos lejojnë vijimin e mësimit në asnjë klasë të shkollës 9-vjeçare. Një javë, kështu, dy javë, dhe po kështu edhe java e tretë. Ata, prindërit e fëmijëve-nxënës të shkollës dhe të tjerë, të fshatit Bushtricë me disa lagje të fshatrave të afërt të komunës, si dhe me prindërit e një fshati të Kalasë së Dodës, (vetëm 1 km larg) vendosin që asnjë prind për asnjë rrethanë nuk do të dërgojë fëmijën në shkollë, që të gjithë prindërit do të bëjnë roje në oborrin e shkollës me turne në pritje të dialogut me qeverinë.

Për shumë ditë u duk se qeveria nuk dëgjonte, ndërsa media e ka trajtuar me shumë frikë çështjen, sepse pushteti lokal në segmente të caktuara të tij e trajtonte bojkotin si një vepër penale, që edhe mund të ishte i tillë.

Mosbesimi

Edhe pas mbërritjes së lajmit se në Bushtricë do të hapet më në fund shkolla e mesme, kjo gjë nuk besohet nga prindërit. Asnjë shkresë nuk ka mbërritur, asnjë prononcim zyrtar të ministrit nuk ka pasur. Takimi në Ministrinë e Arsimit ka kaluar në heshtje, për këtë shkak banorët përsëri nuk besojnë, edhe pse drejtues vendorë përpiqen t‘u mbushin mendjen të dërgojnë fëmijët në shkollë. "Ndoshta dikush po na merr në qafë, po na rren. Edhe ne nuk duam të rrimë pa punë dhe fëmijët pa mësim, por unë pa u shprehur kompetentët nuk besoj", tha një prind nga lagjja "Palush".

Në oborrin e shkollës mund të gjesh cilindo prind, por nxënësit mungojnë. Lejohet të afrohet në shkollë vetëm ai nxënës që thotë se do të prononcohet për shkollën në rastet kur atje shkon ndonjë gazetar. Prindër të ndryshëm thonë se kanë pasur presion nga pushteti që protesta e tyre ishte e paligjshme. Por normat e vendosura mes komunitetit kanë fuqi më shumë se ligji.

Kryetari komunës, i cili ka qenë prezent në takimin me ministrin Tafaj tregon nuk është debatuar shumë rreth dilemës, të hapet apo të mos hapet viti i parë i shkollës së mesme në Bushtricë. Sipas këtij burimi, ministri thjesht është njohur me deklaratat e dy-tre mësuesve, të cilët kanë shprehur dëshirën për të shkuar në Bushtricë duke lënë, p.sh. Tiranën dhe kjo ka mjaftuar që java në vazhdim të sanksionojë hapjen e shkollës.

Kështu, rasti i Bushtricë përbën një precedent të caktuar ku një protestë jo shumë e ligjshme, pasi arsimi parashkollor është i detyrueshëm me ligj, ka sjellë një ngjarje shumë të rëndësishme për komunitetin atje. Ka sjellë shkollën e mesme. Vetëm fshati Bushtricë me një shkollë 9-vjeçare jo edhe aq të vogël, ku ka pasur dy paralele të klasës së 9-të, do të ishte i mjaftueshëm për një shkollë të mesme, kur kihet parasysh largësia me qytetin dhe dimrat e gjatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›