E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin betonimet për hidrovorin e ri të Butrintit

Në objektin më të rëndësishëm në fushën e kullimit të tokave bujqësore në Sarandë, hidroforin e ri që është duke u ngritur në Butrint, punimet kanë mbërritur në betonimet e para. Dita e djeshme ka shënuar hedhjen e 60 metrave kub beton në këtë vepër, që kap vleftën e 260 milionë lekëve. Drejtori i bordit të kullimit, Skënder Duka, tha se puna është e organizuar dhe e shtrirë në dy faza: në atë për ndërtimin e pjesës nëntokësore të objektit, ku veçohet strukturimi i tri dhomave në të cilat do të instalohen pompat zhytëse në thellësinë 6.5 metra, hapja e rrugës së shkarkimit të ujërave në liqen dhe vendosja e portave metalike. Kjo, sipas tij, është faza që paraqet edhe vështirësinë më të madhe teknike.

Pas kësaj, punimet do të vijojnë me ndërtimin e pjesës mbitokësore të objektit, ku do të montohet vinçi, si dhe do të bëhet veshja me beton e 50 metrave kanal, që do të shërbejë për shkarkimin e ujërave.

Bordi i kullimit, si investitor i ndërtimit të hidrovorit të ri, është i angazhuar maksimalisht për mbikëqyrjen e punimeve, duke garantuar që në qershorin e vitit 2010 ai të hyjë në punë, duke sjellë shpëtimin e më shumë se 700 ha toka bujqësore. E tërë kjo sipërfaqe prej 6 vjetësh, që kurse ka dalë jashtë funksioni hidrovori ekzistues, përmbyten sistematikisht nga vërshimi i ujërave të liqenit, sidomos nga vërshimi i ujërave të liqenit në periudhën e vjeshtës dhe të dimrit.

Fermerët Osman Xhaferi, Hysen Kakaçi etj., përfaqësues të atij komuniteti fermerësh, që tërë këto vite janë ndier të diskriminuar për këtë shkak, thonë se futja në punë e hidrovorit të ri është edhe shpëtimi i tyre. "Nuk kemi pasur asnjë mundësi reale për t‘i shfrytëzuar ato toka, shprehen fermerët, pasi e vetmja mundësi në këto sipërfaqe është që të merresh me gjueti peshku në këto kushte, por jo me bujqësi".

Th.Nika

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›