E Shtunë, 31 Tetor 2026

Medin Zhega: Unë, trajneri që drejtoj kombëtaren për 50 mijë euro

Besar Bozgo, Gazeta Sot
Cështja nëse trajneri i ri i kombëtares shqiptare duhet të jetë shqiptar apo i huaj, është kthyer padyshim në temën e ditës në komunitetin sportiv në vendin tonë. Në një intervistë ekskluzive për gazetën "Sot", ish-trajneri i kombëtares shqiptare, Medin Zhega deklaron se "timonieri" i ri i kuqezinjve duhet të jetë shqiptar. Në intervistën e tij, trajneri shkodran bën një analizë të thellë për edicionin e kaluar, faktin pse është për teknik vendas duke argumentuar që të huajt nuk kanë arritur asgjë më shumë me kuqezinjtë në krahasim me ata vendas.Zhega shprehet se është i gatshëm të drejtojë ekipin përfaqësues me 50 mijë euro në edicion dhe pjesën tjetër ta lerë që Federata ta shpenzojë për infrastrukturën sportive. -Sapo ka përfunduar edicioni i kombëtares shqiptare për eliminatoret e Kampionatit Europian 2008. Ju si një ish-trajner i përfaqësueses kuqezi si e gjykoni këtë edicion eliminatoresh? -Sigurisht që deri në ndeshjen e dhjetë, pra 2 takime nga përfundimi i edicionit, unë do ta konsiderojë një sezon të suksesshëm. Kjo për vet faktin që kombëtarja arriti disa rezultate pozitive jashtë Shqipërisë, jo brenda fushës së saj. Unë kujtoj ndeshjen kundër Rumanisë që u zhvillua në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa" dhe faktin që rumunët ishin në një ditë të zezë, por arritën të na mundin. Edhe Bullgaria në takimin që u zhvillua në Shqipëri nuk ishte e suksesshme në lojën e saj dhe ne mund të merrnin më shumë se një pikë ashtu sic mund të fitonim në takimin ndaj Sllovenisë, ndeshje që u zhvillua në "Loro Borici" të Shkodrës. Gjithsesi, ky edicion ishte i suksesshëm për vet faktin që arritëm të grumbullojmë më shumë pikë jashtë fushës sonë në krahasim me edicionet e tjera. Në dy ndeshjet e fundit të këtij edicioni, përfaqësuesja e bëri si puna e lopës, e cila pasi e mbush kovën me qumësht i fut shkelmin duke e zbrazur atë që vet kishte bërë. -Një analizë më të thellë... Ky edicion duhet të analizohet me kujdes nga të gjithë ne, pasi edhe unë jam pjesë e Federatës Shqiptare të Futbollit. Duhet të shihet se c'farë u tha dhe u deklarua në fillim të këtij edicioni, dhe c'farë u arrit në fund. Në fillim të eliminatoreve u deklarua se mund të arrinim në vendin e tretë, u tha se mund të grumbullonim 15 pikë, madje shumë u shprehën se janë të arritshme edhe 20 pikë. Më vonë u deklarua se duhet të synojmë vendin e katërt në grup, por në fund u pozicionuam në vendin e pestë duke lënë mbrapa vetëm dy skuadrat më të dobta, Slloveninë dhe Luksemburgun, në një kohë që na kaloi Bjellorusia. E njëjta situatë ishte edhe në kohën e gjermanit Hans Peter Brigel, i cili në fund të eliminatoreve la mbrapa vetëm Gjeorgjinë dhe Kazakistanin, të cilat ishin dy skuadrat më të dobta. Gjithashtu, edhe Baric nuk arriti ndonjë progres në krye të përfaqësueses shqiptare, ndërsa italiani Dosena iku. Atëherë lind pyetja, trajnerët e huaj c'farë po na bëjnë në Shqipëri dhe c'farë bëmë ne si trajnera shqiptarë. Përsa i përket periudhës sime, unë kisha një grup të fortë ku bënin pjesë Gjermania, Anglia, Greqia dhe Finlanda. Fitova me Greqinë në "Qemal Stafa", fitova trofeun "Rothmans", humba në Greqi 1-0 ku në minutën e 90' arbitri rus nuk akordon një penallti mëse të dukshme në favorin tonë. Humba me Anglinë në një kohë që rezultati duhej të ishte barazim pasi në minutën e 88' na anullohet një gol i Rakllit që ishte në pozicion të rregullt dhe FIFA na ka kërkuar të falur për këtë gol. Humba në Gjermani me rezultatin 2-1 me një gol në pozicion të dukshëm jashtë loje që shënuan gjermanët. Atëherë pse të mos quhen trajnerët shqiptarë të suksesshëm? Trajnerët e huaj qëndrojnë me skuadrën vetëm 3 ditë grumbullim, si në ndeshjet eliminatore, ashtu edhe në ato miqësore pasi vetëm kaq kohë jep UEFA dhe menjëherë sapo përfundon ndeshja i hipin avionit dhe largohen në vendet e tyre. C'farë bëjnë atëherë teknikët e huaj për ekipin kombëtar, në një kohë që ka trajnerë shumë të mirë vendas që mund të drejtojnë kombëtaren kuqezi? Unë nuk bëj krahasim me trajnerët e huaj pasi ata kanë eksperiencë të madhe, por jo më pak jemi edhe ne pasi shumë trajnerë vendas kanë bërë kualifikime të vecanta për këtë profesion. Unë kam marrë licencën e trajnerëve që në 1981 dhe zotëroj titullin "Pro". Kam bërë kurs trajnerësh në Koverciano, në La Fonten në Francë, në Barcelonë dhe Gjenevë. Gjithashtu, kam zhvilluar kurs trajnerësh në vendin tonë me ish-trajnerin e Bajërnit të Mynihut, me Voltarexhin, me Voltaxhin e shumë të tjerë. Kam një jetë që merrem me këtë punë. Si unë ka dhe shumë të tjerë në vendin tonë. Atëherë pse duhen nënvlerësuar teknikët vendas në krahasim me ata të huaj përsa i përket drejtimit të kombëtares shqiptare. Pse duhet që këto 300 mijë euro të shpenzohen për trajnerët e huaj ndërsa ata nuk po bëjnë asgjë me përfaqësuesen tonë, në një kohë që fare mirë këto para të shpenzohen për të ndërtuar fusha futbollit. Mjafton të kujtojmë faktin që vetëm në Tiranë ka rreth 120 ekipe, të cilat stërviten në kodrat e liqenit artuificial, në një kohë që fare mirë mund të stërviten në fusha futbolli. Pse t'i lemë fëmijët tanë që të luajnë në fusha me baltë dhe të shpenzojmë shuma të mëdha për teknikët e huaj, në një kohë që fare mirë në krye të kuqezinjve të vihet një trajner vendas, i cili do të përfitojë më pak lek dhe të tjerat të shpenzohen për infrastrukturën sportive. Për veten time mund të them se edhe nëse më ofrojnë 300 mijë euro, nuk i pranoj. Marr vetëm 50 mijë ose 100 mijë sa për të jetuar dhe pjesën tjetër i them drejtuesve të Federatës që ta shpenzojnë për ndërtimin e fushave të futbollit. Këtë e them me sinqeritet të madh. Për edicionin e ardhshëm ne kemi një grup të fortë pasi do të ndeshemi me Portugalinë, Suedinë, Danimarkën, Hungarinë pa harruar edhe Maltën. Përsëri trajneri i huaj mund të krenohet se ka grumbulluar 10 pikë apo 15 pikë, por që në fund ka lënë sërish vetëm Maltën mbrapa. Cili trajner shqiptar nuk do ta linte Maltën mbrapa apo cili trajner nuk do ta linte Slloveninë dhe Luksemburgun mbrapa në edicionin e kaluar. Ndodhemi në një kohë që duhet të mendojmë seriozisht për infrastrukturën sportive dhe për të ardhmen e futbollit në Shqipëri, se sa të shpenzojmë shuma të mëdha parash me trajnerët e huaj që nuk kanë arritur asgjë dhe këtë e shohim të gjithë. E them me sinqeritetin më të madh që unë jam partizan i asaj që në krye të kombëtares të zgjidhet një trajner shqiptar. Të zgjidhet më i miri dhe të jeni i sigurtë që do të punojë më shumë për ekipin përfaqësues me mundësitë e veta që ka. -Si e shihni shortin e edicionit të ardhshëm? -Cdo gjë mund të ndodhë pasi mos të harrojmë se Lituania la mbrapa Turqinë kur u fut në Kampionatin Europian. Edhe ne ndodhemi në një stad të tillë që kemi futbollistë shumë të mirë, të cilët aktivizohen me klube shumë të mira nëpër Europë dhe kanë vlera të mëdha si lojtarë. Ne mund të pretendojmë në edicionin e ardhshëm, por kampionati ynë është në një nivel të ulët dhe nuk mund të pretendosh që të zgjedhësh lojtarë për në ekipin kombëtar. Janë vetëm 2-3 kokra si Duro, Muka, Dede apo ndonjë tjetër. Barometri më i mirë është pjesmarrja në Kupat e Europës. Skuadrat tona kalojnë vetëm një tur me ekipe shumë të dobta, në një kohë që shpartallohen keqaz me skuadra që janë të mirëorganizuara. Duhet të dini që një futbollist europian vrapon rreth 14 kilometra në një ndeshje, ndërsa një futbollist shqiptar vrapon 8-9 kilometra. -Ne kemi shumë legjionarë që luajnë shumë mirë në klubet ku aktivizohen, në një kohë që nuk e kanë atë vazhdimësi kur luajnë me përfaqësuesen... -Unë nuk do të mendoja kështu, pasi gjatë këtij edicioni kuqezinjtë kanë zhvilluar ndeshje shumë të mira, duke nisur që nga sfida në Rumani, Holandë, Slloveni apo edhe miqësoren me Anglinë. Unë mund të them se duhet punuar shumë në drejtim të konceptit taktik të lojës. -Si e shpjegoni paraqitjen e dobët të këtyre futbollistëve në dy ndeshjet e fundit eliminatore. Skuadra pësoi 8 gola në 10 ndeshje, në një kohë që pëson dhjetë gola në dy ndeshje. U fol për një puc të mundshëm... -Nuk e kam menduar dhe nuk e mendoj asnjëherë pucin. Humbja ndaj Bjellorusisë mendoj se erdhi si rezultat i euforisë që kishte përfshirë skuadrën kombëtare. Kundërshtari ynë vinte pas humbjes me Luksemburgun dhe kuqezinjtë e menduan ndeshjen të fituar ende pa u zhvilluar. Por duhet thënë se një ekip i mirë është ai që vlerëson edhe skuadrën më të dobët. Ndërsa ndeshja me Rumaninë ishte vazhdë e asaj ndaj Bjellorusisë. Takimi i fundit në Bukuresht ishte një shthurje taktike dhe futbollistët nuk bënë asgjë nga mundësitë e tyre. Burimi: Gazeta Sot Artikulli origjinal

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›