E Diel, 1 Nëntor 2026

Sulejman Demollari: Trajnerët e huaj, asgjë më shumë nga ata shqiptarë

Besar Bozgo
"Trajnerët e huaj nuk kanë arritur ndonjë gjë të madhe në krahasim me ata shqiptarë në krye të përfaqësueses shqiptare". Kjo është deklarata e ish-trajnerit të kombëtares shqiptare Sulejman Demollari në një intervistë ekskluzive për gazetën "Sot". Ish-futbollisti i Dinamos flet për edicionin e përfunduar të kombëtares, punën që ka bërë Baric gjatë një viti e gjysëm dhe dorëheqjen që Demollari e konsideron si dicka krej normale. Ish-tekniku i kuqezinjve i kërkon presidentit Duka që të mos e heqë mundësinë e zgjedhjes së një trajneri shqiptar dhe ka hedhur idenë për një staf prej shtatë teknikësh që të qëndrojnë afër kombëtares për të zhvilluar një punë sa më të mirë.Demollari flet gjithashtu edhe për ofertat që ka pasur nga klubet e Superligës dhe pretendentët për të fituar titullin kampion këtë sezon. -Sapo përfundoi edicioni i eliminatoreve të kombëtares shqiptare për Kampionatin Europian të vitit të ardhshëm. Si një prej ish-trajnerëve që e keni drejtuar vet ekipin përfaqësues, si e gjykoni këtë edicion? -Duke e marrë këtë edicion eliminatoresh në tërësi, mund të them se në shumë momente pati oshilacione. Skuadra zhvilloi disa ndeshje të mira, por dështoi plotësisht në finish, në dy takimet e fundit, të cilat ishin vendimtare për të siguruar vendin e katërt në grup. Ishin dy sfida shumë të shëmtuara dhe skandaloze, të cilat duhen harruar shumë shpejt. Nuk besoj se kishte ndonjë ngritje të madhe të nivelit të përfaqësueses. Ajo zhvilloi disa takime të mira dhe zhvilloi dy takime skandaloze në fund. Edhe vet trajneri Oto Baric që ka një eksperiencë të gjatë si drejtues e pa që skuadra nuk arriti atje ku duhej dhe dha dorëheqjen duke vepruar në mënyrën e duhur. Ai tregoi një kulturë civilizimi. Megjithëse ai bëri rinovimin e skuadrës dhe në disa takime kombëtarja u paraqit mirë, fakti është që ai nuk arriti ndonjë gjë të madhe me skuadrën. Nuk arriti më shumë pikë se paraardhësi i tij dhe kuqezinjtë e përfunduan edicionin në vendin e pestë. Shihet qartë që kombëtarja nuk ka bërë hapa përpara përvec disa takimeve të mira. Puna e trajnerit matet nga rezultatet. Vërtet që ai ka një eksperiencë të madhe si teknik, por fakti është që nuk ka arritur rezultate më të mira nga paraardhësi i tij Brigel. Ashtu sic e thashë, Baric e vlerësoj për veprimin e tij që bëri duke dhënë dorëheqjen pasi mungonin rezultatet. Besoj se është shumë shpejt që ne të pretendojmë që kombëtarja të kualifikohet në kompeticionet e rëndësishme që janë Kampionati Europian dhe ai Botëror. -U përfol shumë në media për një puc të mundshëm të futbollistëve për të larguar teknikun Baric... -Megjithëse nuk më takon mua të flas për këtë cështje, mund të them se fjalët për puc apo edhe thashetheme të tjera kanë ekzistuar edhe në kohën kur drejtoja unë përfaqësuesen, edhe kur drejtonin trajnerë të tjerë. Nuk më shkon ndërmend se ndokush të sakrifikojë ekipin kombëtar për interesa personale apo gjëra të tilla. Besoj se cdo futbollist që luan për fanellën kuqezi mendon që të bëjë më të mirën me kombëtaren e vendit të vet. Nuk mund të akuzosh dhe aludosh pa patur një fakt apo një provë. Janë organe të caktuara ato që merren me të tilla gjëra dhe nëse ka le t'i zbulojnë. Mendoj se duhet t'i japim fund një herë e përgjithmonë këtyre cështjeve. -Ekipi përfaqësues është i përbërë nga futbollistë, të cilët me klubet e tyre bëjnë paraqitje të mira dhe shumë prej tyre janë kapitenë të skuadrave të njohura europiane, në një kohë që me ekipin kombëtar duhet thënë se nuk japin atë që kërkohet apo të kenë vazhdimësinë e duhur. -Ne jemi një vend i vogël dhe kemi rreth 30 futbollistë që janë të gatshëm të luajnë për ekipin tonë përfaqësues, në një kohë që kur ndeshemi me skuadra si Rumania, e cila ka 300 lojtarë që garojnë për të luajtur me kombëtaren, kjo normalisht është dicka e favorshme për kundërshtarët tanë. Përsa i përket kësaj që legjionarët paraqiten shumë mirë me klubet e tyre ku aktivizohen, nuk jam plotësisht dokord. Për Canën mund të them se 2-3 ndeshje të Marsejës që kam ndjekur unë gjatë këtij sezoni, mund të them se nuk ka qenë në gjendjen që ka pasur gjatë sezonit të kaluar. Edhe kapiteni i kuqezinjve Altin Lala nuk ka kaluar një periudhë të mirë. Kujtoj këtu takimet e fillimit gjatë të cilave në disa prej tyre ka luajtur dhe në disa jo. Gjithashtu, edhe ndërrimi i trajnerëve ka pasur ndikimin e tij te skuadra e Hanoverit. Kryesorja është që në ekipin përfaqësues të luajnë ata futbollistë që kanë formën më të mirë sportive momentale. Në kombëtare nuk është si në klube, ku për shembull Devi Muka megjithëse nuk është në një gjendje shumë të mirë, ai luan sërish me Tiranën. Në ekipin përfaqësues duhet të aktivizohen ata lojtarë që kalojnë formën më të mirë sportive, sic ishte rasti i Salihit, i cili kalonte një moment shumë të mirë te skuadra e Riedit në Austri dhe u thirr në kombëtare. Për mendimin tim ai duhej të ishte aktivizuar më shumë. -Cështja e trajnerit të ri të kombëtares shqiptare është kthyer në temën e ditës në opinionin sportiv shqiptar... -E kam thënë dhe e përsëris sërish. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka e ka tashmë një përvojë me trajnerët e huaj pasi deri më sot ekipin tonë përfaqësues e kanë drejtuar tre të tillë. Unë e di që Duka mendon gjithmonë për më të mirën, por unë nuk jam me këtë që të hiqet fare mundësia e zgjedhjes së një trajneri shqiptar. Ne nuk kemi arritur ende në atë stad që nëse ndodhemi në vendin e tretë në grup të na duhet një trajner i huaj dhe një eksperiencë më e madhe për të bërë një hap përpara që të pozicionohemi në vendin e dytë. Mendoj se mundësia e trajnerëve vendas duhet të ekzistojë dhe gjithashtu duhet të krijohet një staf i gjerë trajnerësh rreth ekipit përfaqësues. Puna me kombëtaren është e madhe pasi duhet të shihen shumë lojtarë që luajnë jo vetëm jashtë vendit, por edhe në kampionatin shqiptar. Kështu që unë mendoj se duhet një staf prej 6-7 trajnerësh që punët në përfaqësuese të shkojnë sa më mirë. -Duke parë shortin dhe përfitimet financiare mendoni se për edicionin e ardhshëm do të ishte mirë një trajner vendas? -Gjithmonë kur të hidhet shorti ne do të themi që është i vështirë pasi kemi në grup skuadra shumë të forta. Edhe sikur të na e lenë ne në dorë që t'i zgjedhim vetë kundërshtarët, edhe atëherë do të themi që është një short shumë i vështirë. Zgjedhja e trajnerit është një ekskluzivitet i presidentit të Federatës, Armando Duka, por ky e ka tashmë përvojën e duhur me trajnerët e huaj pasi deri më sot ekipin kuqezi e kanë drejtuar tre të tillë. Fakti është që nuk kanë arritur ndonjë gjë të madhe dhe disa herë edhe më poshtë se kur skuadra është drejtuar nga trajnerë vendas. Ndodhemi sërish në po ato nivele që kemi qenë gjithmonë. Për mendimin tim, nuk duhet shpenzuar shumë për trajnerët, programet apo planet, por më shumë duhet shpenzuar në infrastrukturë. Duhet të investojmë më shumë në këtë drejtim se sa te trajneri i përfaqësueses. -Kalojmë paksa në planet tuaja personale. Keni pasur disa oferta nga klube të Superligës, por sërish... -Është e vërtetë. Më e fundit ka qenë ajo e Skënderbeut të Korcës. Unë e shpreha dëshirën time për të drejtuar këtë skuadër, por nuk mora ndonjë ofertë konkrete nga drejtuesit e klubit. Tani merrem vetëm me drejtimin e ekipit tim privat të moshave. -Në fund, dy fjalë për kampionatin e Superligës për të cilin duhet thënë se deri më tani është zhvilluar me rivalitet dhe është futut në faza interesante. -Mund të them se kampionati shqiptar nuk është në atë nivel ku na pëlqen të gjithëve futbollit. Unë anoj paksa nga Dinamo, por realiteti është që kjo skuadër është duke kaluar një formë të mirë. Shohim që konkurrentet për titullin kampion janë ato skuadra të cilat e kanë nisur që në fillim të verës përgatitjet dhe kanë qenë serioze përgjatë të gjithë fazës përgatitore sic janë Dinamo, Besa, e cila ka nisur me takimet në Kupën Uefa, Partizani, Vllaznia deri diku, pa harruar edhe Tiranën, e cila e ka përvojën dhe lojtarët lider, të clët e marin skuadrën për dore dhe e cojnë atje ku e ka vendin. Kam parasysh deklaratën e presidentit Besnik Sulaj, i cili është shprehur se do ta nxjerrë skuadrën e Dinamos kampione. Të njëjtën deklaratë bëri ai edhe në fillim të edicionit 2001-2002 dhe e nxorri "nëndetësen" kampione. Besoj se kjo ka një lloj domethënie. Duke parë angazhimin e presidentit, të skuadrës dhe stafit teknik, mund të them se blutë i kanë mundësitë që të fitojnë trofeun më të rëndësishëm të sezonit. Burimi: Gazeta Sot Artikulli origjinal

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›