E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duka zgjedh një gjerman si pasues të Otos

Është gjerman. Dhe ka pranuar parimisht të njëjtën kontratë financiare sa dhe ajo që nënshkroi kroarti i dorëhequr Oto Baric.
Në koridoret e FSHF-së, njërzit më të afërt të presidenit Duka e përmendin thuajse të koduar emrin e tij, pavarësisht faktit se në skenën e kandidaturave janë përmendur emrat e Vinfrid Sheferit, ish-trajnerit të Kamerunit (në tratativë edhe me Bullgarinë), por dhe Volfgang Sidkës, ish-trajner i Bahreinit, apo të Klaus Topmëlerit, i cili rinovoi së fundi me Gjeorgjinë.
300 mijë euro
Edhe pse nuk ra një grup me skuadra të fuqishme financiare në shortin e Botërorit 2010 (Portugali, Suedi, Danimarkë, Hungari e Maltë) dhe të ardhurat nga shitja e të drejtës televizive do të jenë të reduktuara (deri në 800 mijë euro), bosi i futbollit shqiptar është i bindur se për të gjetur një pasardhës të denjë të Otos (75-vjecari vendosi një standard në Shqipëri) duhet edhe të sakrifikojë financiarisht. Lajmin e ka bërë të ditur zyra për shtyp e Federatës, ku është sqaruar gjithashtu se FSHF do të jetë e gatshme të sakrifikojë deri në 300 mijë euro për një trajner të nivelit të Baricit. "Jemi në tratativa me disa emra, por nuk mund të saktësoj se cili prej tyre do të zërë vendin e Baricit, – tha zëdhënësi Nurishmi. – "Po përpiqemi të gjejmë një tjetër trajner të nivelit të Baricit, por kjo mbetet për t'u zgjidhur".
Shefer, "jashtë loje"
Në morinë e emrave të ardhur në FSHF-së përmes e-maileve (rreth 30 kandidatë) por dhe lidhjeve të menaxherëve, midis italianëve Zakeroni, Zenga, Maifredi, Materaci, Orsi, Baxho, Macone apo dhe portugezit Miguel Araujo, rumunit Konstandinu dhe emrash të tjerë të panjohur, presidenti Duka është më i prirur për pistën gjermane. Arsyet janë të shumta dhe kujtimet që ruan Duka me Brigelin e detyrojnë njeriun – i cili ka në dorë edhe drejtën ekskluzive për të zjedhur trajnerin – të besojë më shumë te pista gjermane. Indisiplinimet e mëdha të lojtarëve të Kombëtares gjatë përgatitjes së ndeshjes me Bjellorusinë (jetë nate, bixhoz e kazino në klubet përreth rezidencës të hotel "Adriatikut") e bëjnë të nevojshme një dorë të fortë. Gjermanët e shquar për disiplinë janë dhe një argument i fortë për presindentin e FSHF-së për t'ia besuar sërish një trajneri të kësaj shkolle kombëtaren kuqezi. Sipas Nurishmit, Shefer duket i papranueshëm për financat e varfra të FSHF-së. Arka (thuajse bosh) nuk mund të gjejë 500 mijë eurot e kërkuara nga Vinfrid Sheferi.
Është Volfgang Sidka?
Ish-trajneri i Kamerunit del jashtë loje, por një tjetër gjerman hyn fuqishëm në të, Volfgang Sidka. "Ajo që mund të themi për momentin është se kandidati më i mundshëm është një gjerman, por për shkak të bisedimeve që po zhvillohen nuk mund t'i përmendim emrin", - thekson Nurishmi. Ish-trajneri i Verder Bremenit, duke njohur edhe ambiciet e presidentit Duka, por dhe mundësitë e kufizuara financiare të federatës shqiptare, besohet se ka pranuar të nënshkruajë kontratën për të drejtuar kuqezinjtë. 53-vjecari Sidka, i cili gjatë karrierës së tij ka drejtuar edhe Osnabrukun, Arminian e Bilefeldit, do të ishte trajneri i dytë gjerman që do të drejtonte Shqipërinë pas aventurës 4 vjecare të Hans Peter Brigelit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›