E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie niveli i prurjeve në HEC-in e Fierzës, gati kufizimet masive të energjisë



Thatësira e ditëve të nxehta të verës ka ndikuar që niveli i prurjeve të ujit në HEC-in e Fierzës të ulet në 287.5 metra. Kjo gjë do të thotë se shumë shpejt KESH-i do t’i përgjigjet situatës me një skemë të re kufizimesh të energjisë elektrike në të gjithë vendin. Më të prekura nga këto kufizime do të jenë zonat rurale si dhe zonat ku niveli i arkëtimeve vazhdon të jetë i ulët, në një kohë që të privilegjuara do të jenë zonat turistike të vendit si dhe kryeqyteti, por që gjithsesi do të kenë më pak kufizime nga të tjerët. Specialistët thonë se po punojnë për menaxhimin e mirë të ujit në mënyrë që niveli në HEC-in e Fierzës të mos arrijë pikën kritike, pasi ka nisur të ulet i ndikuar nga thatësira e këtyre ditëve të nxehta të korrikut. Për specialistët kjo situatë është krijuar falë prurjeve të reshjeve gjatë periudhës së dimrit, ndërsa shtojnë se nëse thatësira do të vazhdojë atëherë niveli i ujit mund të ulet më shpejt se 20 cm në ditë. Për të përballuar më mirë situatën specialistët e HEC-it të Fierzës po punojnë për menaxhimin e mirë të ujit. Gjate ditës nga ora 06:00 e mëngjesit deri në 23:00 të mbrëmjes hidrocentrali punon me tre turbina, nga ora 23:00 deri ne 02:00 të mëngjesit me dy turbina dhe nga ora 02:00 deri në 06:00 të mëngjesit vetëm me një turbinë.

Gjana: S’ka marketing për prodhimin vendas

Shqiptarët do të mbeten konsumues shumë të mirë të produkteve ushqimore që vijnë nga importi. Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, pranoi se problem në vendin tonë mbeten kapacitet ruajtëse të prodhimit vendas. Sipas tij, këtë vit, prodhimi i fermëreve si në drithëra ashtu edhe në fruta e perime është rritur. Por sipas Gjanës, tek ne nuk ka tregje për të ruajtur këto produkte dhe për t’i përdorur ato pas përfundimit të sezonit, ashtu siç bëjnë vendet e tjera. “Problem është rrjeti i marketingut, dhe i ndërtimit të tregjeve të mëdha me kapacitet ruajtës”- tha ministri i Bujqësisë. Mungesa e prodhimit vendas gjatë gjithë vitit është edhe arsyeja kryesore e çmimeve të larta me të cilat përballemi çdo ditë. Ministri i Bujqësisë vlerësoi se përmirësimi i infrastrukurës së tregjeve, ka përmirësuar ndjeshëm marketingun e produkteve bujqësore, ritmet e rritjes së sektorit të bujqësisë, si dhe ka nxjerrë në pah kërkesën e fermerëve për zgjerimin e këtyre tregjeve dhe modernizimin e tyre me depo frigoriferike. Ai renditi tregjet e reja të ngritura, apo që janë në proces ndërtimi si në Shkodër, Vlorë, Kukës, Berat, Gjirokastër dhe ato të projektuara për vitin që vjen në Lezhë e Kavajë etj.

Ligji i ri, kompanitë e tregtimit të karburanteve sigurim të detyrueshëm

Të gjitha kompanitë e karburanteve së shpejti do të jenë të detyruara të sigurohen pranë kompanive të sigurimit për dëmtimet që mund t’u shkaktojnë palëve të treta. Ky është vendimi që ka marrë Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, e cila ka kërkuar ndryshime në vendimin “Për përcaktimin e procedurave dhe kushteve për dhënien e lejeve dhe autorizimeve për tregtimin e naftës, gazit dhe nënprodukteve”. Sipas ndryshimeve të propozuara, kompanitë janë të detyruara që të kryejnë sigurimin e përgjegjësive ligjore për dëmtimet që mund t’u shkaktohen palëve të treta për shkak të ushtrimit të veprimtarisë së tyre. Këto mund të jenë dëme të rastësishme ndaj individëve që u shkatohen gjatë aktivitetit të kompanisë, që aktualisht, nëse ndodh diçka, askush nuk merr përsipër t’i zhdëmtojë ata. Sipas vendimit të ministrisë, sigurimi nga kompanitë e tregtimit të karburanteve duhet të kryhet brenda 30 ditëve pas pajisjes me lejen apo autorizimin përkatës. Ndërkohë qytetarët mendojnë se tregëtarët e hidrokarbureve abuzojnë mjaftë si me sigurinë ashtu dhe me çmimin e naftës në tregtimin me pakicë. Eksperienca ka treguar se çmimi i naftës në vendin tonë ndjek ecurinë e bursave ndërkombëtare, vetëm kur ari i zi shënon rritje, ndërkohë që tendenca në rënie e tij nuk është reflektuar asnjëherë deri tani në tregun tonë të karburanteve.

22 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›