E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Velipojë: “Një bashkim i ri për të ndryshuar politikën”



Turi “Dialog me Shqipërinë” i kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, është zhvilluar dje në Bashkinë e Velipojës në rrethin e Shkodrës. Gjatë takimit me banorët e Velipojës, Rama është ndalur rreth problemeve të përditshme që i shqetësojnë më shumë qytetarët e thjesht shqiptarë. Kreu i selisë rozë vuri theksin te mungesa e të ardhurave ekonomike, që janë rrjedhojë e një papunësie të thellë dhe shqetësuese. Rama kërkoi t’i jepet fund kësaj politike të vjetër, që është në duart e klaneve dhe interesave të ngushta, në mënyrë që e ardhmja e fëmijëve të jetë më e mirë se sa kjo e sotmja. “Sot është koha që ne t’i japim politikës një kuptim të ri, është koha që ne ta bëjmë politikën hapësirë ku të gjithë shqiptaret e shqiptarët që duan ta ndryshojnë jetën e tyre, jetën e familjeve të tyre, jetën e fshatit e të qytetit të tyre, të kenë mundësi të jenë së bashku, të kenë mundësi që së bashku të shkojnë përpara dhe të lënë pas politikën e vjetër”. Kreu i PS-së ka bërë apel për një bashkim të ri të të gjithë shqiptarëve, larg interesave partiake në të mirë të zhvillimit të vendit. “Ajo që duhet që të gjithë bashkë të kuptojmë, ajo që duhet të besojmë, ajo që duhet të bëjmë të mundur, është t’i japim jetë një bashkimi të ri. Një bashkimi të ri në radhë të parë si shqiptare e shqiptarë, si qytetare e qytetarë, si prindër, apo si bija e bijë prindërish, që sakrifikojnë çdo ditë padrejtësisht për shkak të një politike të vjetër, që na ka ndarë e përçarë, jo në emër të qëllimeve dhe interesave tona, por në emër të qëllimeve dhe interesave të politikanëve”, - vijoi Rama. “Bashkimi mes nesh është përgjigjja e të gjitha pikëpyetjeve që vazhdojnë të rëndojnë mbi ne prej 17 vjetësh. Bashkimi mes nesh, përtej kufijve të vjetër të partive, është përgjigjja për të gjitha problemet që sot e gjithë ditën duken të pazgjidhshme. Bashkimi mes nesh, përtej paragjykimeve të së shkuarës, është përgjigja për t’i dhënë fund ankthit për të ardhmen e fëmijëve tanë, në një vend ku i ka lindur dashuria dhe nga ku nuk mund t’i largojë urrejtja”, - tha kreu i PS-së gjatë takimit të djeshëm me banorët e Velipojës.

25 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›