E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhet vendimi i plotë për caktimin e pensionit



Jonida Tashi

Zbardhet vendimi i plotë që merret për caktimin e masës së pensionit. Vendimi për caktimin e pensionit është një akt juridiko-administrativ që merret nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore. Në këtë vendim caktohet lloji i pensionit, masa e tij dhe afati i pagesës. Vendimi bazohet në dokumente të sakta, të lëshuara vetëm nga organet kompetente, në formën e caktuar dhe pa korrigjime. Pranimi i kërkesës dhe i dokumenteve, shqyrtimi i tyre, veprimet dhe plotësimi i vendimit për caktimin e pensionit kryhen nga inspektorët e pensioneve. Kur gjatë shqyrtimit dalin raste që kërkojnë konsultim të gjerë, inspektori, para se të marrë vendimin, ka të drejtë të kërkojë që çështja të diskutohet në mbledhjen e degës së pensioneve. Ndërsa kur dokumentet janë të rregullta dhe plotësojnë të gjitha kushtet, kryhen veprimet për llogaritjen e pensionit në fletën e posaçme. Pas këtyre veprimeve plotësohet vendimin për caktimin e pensionit me të gjitha kërkesat që ka formati përkatës. Kur pas marrjes së vendimit për caktimin e pensionit pensionisti paraqet kërkesë me shkrim së bashku me dokumente të tjera, që i japin të drejtë për rritjen e masës së pensionit, Drejtoria merr vendim për ndryshimin e pensionit. Gjithashtu, vendimi për ndryshimin e pensionit bëhet edhe pa kërkesën e të interesuarit për rastet kur konstatohet se janë bërë gabime në masën e pensionit në një vendim të mëparshëm si dhe kur bëhen rritje me vendim të Këshillit të Ministrave. Vendimi për ndryshimin e pensionit merr numrin e vendimit fillestar me fraksion duke filluar nga numri 1, për shembull: 1275/1, 1275/2 etj., ndërsa si datë shënohet data e kryerjes së veprimit. Vendimi plotësohet me të gjitha të dhënat që përmban formati.
Vendimi
Vendimi merr numrin e regjistrit të kërkesës në rajon e në regjistrin e kërkesave për pension, ndërsa si datë shënohet ajo e plotësimit të vendimit. Për pensionet që jepen për nënat me shumë fëmijë dhe për pensionet familjare, në pjesën e posaçme të vendimit shënohen fëmijët e lindur dhe rritur deri në moshën 8 vjeç, ose anëtarët e familjes që përfitojnë pension familjar. Gjithashtu, në vendim caktohet dhe afati i pagesës së pensionit si vijon: Për pensionet e pleqërisë dhe për pensionin familjar, në rastet kur anëtari i familjes që përfiton pension është mbi moshën e punës që përcakton ligji, caktohet i përhershëm. Pensioni i invaliditetit caktohet deri në datën e mbarimit të afatit të caktuar të vlerësimit të aftësisë për punë, me vendim të KMCAP-it. Për pension familjar për jetimët afati i pagesës caktohet deri në datën kur jetimi më i madh plotëson moshën 18 vjeç dhe për ata që janë mbi moshën 18 vjeç dhe vazhdojnë shkollën, deri në datën e fillimit të vitit të ri shkollor, por në asnjë rast më tej se data e plotësimit të moshës 25 vjeç. Për të ardhurën shtesë për fëmijën në ngarkim, për personat që përfitojnë pension invaliditeti të plotë vendoset data e plotësimit të moshës 15 vjeç të fëmijës më
të rritur. Ndërsa kur anëtarët e familjes që gëzojnë pension familjar kërkojnë që ai të ndahet dhe të paguhet i veçantë, nuk merret vendim tjetër, por në vendimin e marrë bëhen shënimet për ndarjen e pensioneve. Në këto raste nuk hapet dosje e veçantë, por vetëm plotësohet kartelë, urdhër-pagesë e librezë pensioni i veçantë për aq pjesë sa është ndarë pensioni. Këto mbajnë të njëjtin numër të pensionit me fraksione “a”, “b” etj. Kur njëri nga anëtarët e familjes që merr pension banon në një rreth tjetër dhe kërkon që pensioni t’i paguhet në atë rreth, Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore që ka caktuar pensionin bën ndarjen e tij, plotëson kopjen e vendimit për caktimin e pensioneve, të firmosur e vulosur sipas rregullave dhe me iniciative ia dërgon drejtorisë së sigurimeve shoqërore ku banon i interesuari. Vendimi për caktimin e pensionit firmoset nga inspektori, kryetari i degës së pensioneve,
miratohet nga drejtori rajonal dhe vuloset me vulën e Drejtorisë Rajonale. Në vendim nuk lejohet të bëhen korrigjime. Pas miratimit të vendimit plotësohet urdhër-pagesa, kartela financiare dhe libreza e pensionit. Pas kryerjes së këtyre veprimeve dosja kalon për firmë te kryetari i degës së financës.
Hapja e kartelës
Në bazë të vendimit të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të rrethit për caktimin e pensioneve për çdo pensionist hapet kartela dhe plotësohet urdhër-pagesa. Kartela është dokumenti financiar i llogarisë personale të pensionistit. Kartela plotësohet me gjeneralitetin e pensionistit, llojin e pensionit, kategorinë dhe numrin e pensionit. Në kartelë shënohen, në vendin e posaçëm, të dhënat e urdhër-pagesës, pensionit si dhe firmat e inspektorit dhe të kryetarit të degës së financës për çdo urdhër-pagesë. Në pjesën e poshtme shënohen anëtarët e familjes që përfitojnë pension. Ndërsa te “Shënime të ndryshme”, bëhen shënime për raste kur pensionisti ka për të marrë diferenca, shumën e detyrimit, masën e
ndalesës, afatin e shlyerjes dhe shënime të tjera të nevojshme. Në pjesën e pasme të kartelës shënohet qendra se ku paguhet pensioni dhe përbri saj data deri kur është paguar pensioni si dhe firma e llogaritarit për mbylljen e kartelës. Kur pensioni mbyllet para afatit të skadencës
të caktuar në urdhër-pagesë inspektori shënon të dhënat e urdhër-mbylljes në faqen e parë, ndërsa llogaritari, pasi bën shkarkimin e muajit të fundit, firmos për mbylljen e kartelës. Në bazë të vendimit të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore për caktimin e pensionit, pensionistit i jepet libreza e pensionit me fotografi. Ajo vërteton qenien si pensionist, llojin e pensionit, numrin e dosjes, pagën mesatare mbi të cilën është llogaritur pensioni, periudha e sigurimit, shumën e pensionit, datën e fillimit të pagesës së pensionit dhe afatin e pagesës së tij. Kur libreza humbet lëshohet librezë e re pensioni me shënimin “Dublikatë”.
Pagesa e pensioneve
Urdhër-pagesa është dokument financiar që autorizon pagesën e pensionit. Urdhër-pagesa përmban këto të dhëna: Drejtorinë e Sigurimeve Shoqërore që e lëshon, datën e lëshimit, kujt i drejtohet, lloji, kategoria dhe numri i pensionit, emri, atësia, mbiemri, periudha dhe shuma e
pensionit mujor, periudha dhe shuma e pensionit për diferencën në qoftë se ka. Kur masa e pensionit mujor pëson ndryshime, skadon afati i pagesës ose kur plotësohet dhe
nuk ka më vend për të bërë regjistrimin mujor të pagesave, dërgohet urdhër-pagesa e re e cila plotësohet mbi të dhënat e vendimit për caktimin e pensioneve duke mbyllur urdhër-pagesën e parë. Urdhër-pagesa firmoset nga inspektori i pensioneve që i plotëson dhe ia kalon financës. Kryetari i degës së financës, pasi kontrollon se shuma e pensionit dhe afati i pagesës, të shënuara në kartelë dhe urdhër-pagesë, janë të barabarta me shumat e afateve që përmban vendimi për caktimin e pensionit, firmos urdhër-pagesën. Gjithashtu ajo firmoset dhe nga drejtori.

Si kryhen pagesat e pensioneve

Pensioni paguhet një herë në muaj si vijon:
1. Pensioni i pleqërisë, invaliditetit, familjar, paguhen në agjencitë e Bankës së Kursimeve, zyrat e Postës Shqiptare dhe në arkat e komunave.
2. Për rastet kur pagesa e pensioneve fillon më vonë se data 1 e muajit, pensioni i paguhet për ditët e tjera që mbeten nga data e caktuar për fillimin e pagesës, për shembull kur pagesa e pensionit fillon më datë 13 të muajit, atëherë pensioni llogaritet dhe paguhet 18 ditë për muajin e parë, ndërsa për muajt e tjerë pensioni i paguhet i plotë. Në këto raste veprohet në këtë mënyrë: Shuma e pensionit pjesëtohet me 30 ditë për të gjetur se sa i takon një ditë dhe herësi që del shumëzohet me numrin e ditëve që duhet të paguhet.
3. Kur dosja e pensionit mbyllet për shkak se pensionisti vdes ose i hiqet grupi i invaliditetit para kohe dhe pensioni paguhet në arkën e kursimit, atëherë plotësohet urdhër-mbyllja në tri kopje. Mbas konfirmimit nga arka e kursimit një kopje dërgohet në Drejtorinë e Sigurimeve
Shoqërore për të kryer veprimet përkatëse. Kur pensioni paguhet në arkat e komunave, urdhër-mbyllja plotësohet në dy kopje, një prej të cilave dërgohet me agjentët e këtyre bankave në arkën e komunës. Në rastet kur pensionisti që vdes nuk ka tërhequr pension mbi një muaj, pensioni i patërhequr u paguhet trashëgimtarëve sipas dispozitave të Kodit Civil. Kurse për diferencat e pensionit të muajit për pensionistët që kanë vdekur, DRSSH-ja, në urdhrin e mbylljes shënon shumën e diferencës së pensionit që duhet t’i paguhet anëtarit të familjes që bashkëjetonte me pensionistin e vdekur, kurse për diferencat e marra tepër në muajin që pensionisti ka vdekur dhe anëtarët e familjes nuk fitojnë pension, nuk kërkohen. Ditën e caktuar për pagesë pensionisti paraqitet në arkën ku paguhet pensioni, duke pasur me vete librezën personale të pensionit dhe letërnjoftimin. Në rast pamundësie pensioni tërhiqet nga një person tjetër i pajisur me autorizim ose prokurë dhe librezën e pensionit. Agjencitë e Bankës së Kursimit, zyrat postare dhe komunat pagesën e pensioneve e bëjnë me fondet e sigurimeve shoqërore, mbështetur në akt-marrëveshjet e lidhura.

9 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›