E Diel, 1 Nëntor 2026

Si u ndërtuan tunelet që gllabëruan mijëra jetë njerëzore

"Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik në vitin 1961, udhëheqja e lartë e PPSH-së dhe Këshilli i Mbrojtjes, të cilët drejtoheshin personalisht nga Enver Hoxha, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, vendosën që mbrojtja e vendit të mbështetej krejtësisht në forcat tona, pasi deri në atë kohë ajo gjë bëhej edhe me mbështetjen e Moskës, që konsiderohej si aleati ynë më i madh. Pra, me pak fjalë, që nga ajo kohë e më pas, mbrojtja e vendit do të mbështetej krejtësisht në forcat tona, gjë e cila solli si pasojë edhe zhvillimin e një aktivi të zgjeruar të ushtrisë, ku, veç të tjerash, u vendos edhe ndërtimi i tuneleve të Skraparit". Kështu e kujton 77-vjeçari Ahmet Mehmeti, ish-ushtarak i lartë pranë Shtabit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore në Tiranë, atë kohë në fillimin e viteve ‘60, kur pas vendimit të marrë nga udhëheqja e lartë e PPSH-së për fortifikimin e vendit, ai u ngarkua si oficer drejtimi për të ndjekur zbatimin e disa objekteve tepër sekrete që do të ndërtoheshin në rrethin e Skraparit. Po cilat ishin ato objekte? Pse u vendos ndërtimi i tyre në rrethin e Skraparit dhe si u vlerësuan ato pas përfundimit të punimeve nga ana e Kryeministrit Mehmet Shehu, i cili shkoi vetë për inaugurimin e tyre?

Aktivi i ushtrisë, që vendosi tunelizimin e vendit

Lidhur me zanafillën e ndërtimit të atyre veprave ushtarake, nënkoloneli në pension, Ahmet Mehmeti, dëshmon: "Aktivi i zgjeruar i ushtrisë u zhvillua në Shtëpinë e Pushimit të Ushtarakëve në plazhin e Durrësit dhe aty morën pjesë drejtuesit kryesorë të njësive të ushtrisë, siç ishin korpuset e brigadat dhe kuadrot kryesorë të aparatit të Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërsa nga udhëheqja e lartë aty morën pjesë: Enver Hoxha, Kryeministri Mehmet Shehu, Sekretari i KQ të PPSH-së që mbulonte dhe ushtrinë, Hysni Kapo, ministri i Mbrojtjes, gjeneral-leitnant Beqir Balluku, si dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral-leitnant Petrit Dume, të cilët përbënin dhe presidiumin e asaj mbledhjeje tepër të rëndësishme. Referatin kryesor aty e mbajti ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, tema e të cilit ishte: "Mbrojtja e atdheut, detyrë mbi detyrat". Pas atij referati u bënë dhe shumë diskutime të tjera, të cilat kryesisht ishin në mbështetje të fjalës së ministrit të Mbrojtjes. Gjatë mbledhjes pati dhe debate të diskutantëve të tjerë që e morën fjalën, por ato u sheshuan shpejt me ndërhyrjen e Enver Hoxhës, i cili u shpreh se gjithsecili duhej ta thoshte mendimin e tij lirshëm, pasi për atë gjë ishin thirrur aty të gjithë drejtuesit kryesorë të njësive të ushtrisë. Pas marrjes së vendimeve nga ana e Këshillit të Mbrojtjes, për zbatimin e tyre u ngarkua ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dume, të cilët, gjithashtu, ngarkuan një grup pune të përbërë nga gjeneralët Vaskë Gjino e Mendu Backa; nga kolonelët Josif Zegali e Kadri Brahimaj; si dhe nga unë e Kristaq Qarri, që mbanim gradat e majorit. Pasi na u komunikua detyra nga ana e Beqir Ballukut e Petrit Dumes, ne si grup pune shkuam në rrethin e Skraparit dhe bëmë rikonicionin, apo më saktë njohjen e terrenit, për të përcaktuar e piketuar vendin ekzakt se ku do të ndërtoheshin objektet strategjike tepër sekrete, që asokohe konsideroheshin të një rëndësie të veçantë të mbrojtjes. Në vendimet që u morën nga Këshilli i Mbrojtjes, i kryesuar nga Enver Hoxha si Komandant i Përgjithshëm, Jugu u nda në dy drejtime strategjike. Drejtimi i parë ishte ai i zonës Elbasan-Korçë, i cili përfshinte dhe rrethet e Librazhdit, Pogradecit, Gramshit, Skraparit e Kolonjës. Në këtë drejtim strategjik unë u ngarkova me detyrën e oficerit të drejtimit. Ndërsa drejtimi i dytë strategjik, ku si oficer drejtimi u caktua Kristaq Qarri, përfshinte territoret e rretheve Ballsh, Berat, Përmet, Tepelenë, Sarandë dhe Gjirokastër. Po kështu u vendos që vendkomanda e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, për kohë lufte, të ndërtohej në rrethin e Skraparit, pasi në rastin e ndonjë agresioni të mundshëm, që do të na vinte nga Greqia, që nga Skrapari do të drejtoheshin e komandoheshin të gjitha njësitë e ushtrisë sonë, që ishin instaluar në Jugun e vendit. Ndërtimi i vendkomandës së Shtabit të Përgjithshëm në rrethin e Skraparit kishte dhe një qëllim tjetër: Në qoftë se do të pushtohej pjesërisht territori i vendit dhe do të kalohej në mbrojtjen e manovruar të shkallës së dytë, ashtu si dhe gjatë luftës, Skrapari do të përbënte zonën nevralgjike nga ku do të drejtohej e udhëhiqej lufta kundër armikut pushtues. Për këtë arsye u vendos që në rrethin e Skraparit të ndërtoheshin edhe disa objekte të tjera, si katër vilat, në të cilat do të vendoseshin drejtuesit kryesorë të Këshillit të Mbrojtjes, bashkë me familjet e tyre: Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo e Beqir Balluku. Pra, në rast lufte ata do të transferoheshin nga Tirana në Skrapar dhe do të vendoseshin në ato vila për të marrë në dorë drejtimin e shtetit. Për ndërtimin e vendkomandës së Shtabit të Përgjithshëm u caktua Qafa e Devrisë, ndërsa për vilat e udhëheqjes dhe tunelin e thesarit të shtetit u vendos që ato të ndërtoheshin në periferi të qytetit të Çorovodës, në vendin e quajtur Guak. Pas piketimit të objekteve përkatëse u morën dhe një sërë masash për ndërtimin e tyre. Një nga gjërat e para që u bë ishte rikonstruksioni i pjesshëm i rrugës nacionale Berat-Skrapar, i cili vazhdoi deri në fshatin Malind, si dhe u hapën edhe tri rrugë të tjera, që në gjuhën ushtarake quhen rrugë taktike për manovrim forcash, të cilat e lidhnin Skraparin me rrethet fqinje. Një nga ato rrugë kalonte nëpër fshatin Gjerbës dhe prej andej dilte në fshatin Maliq të Korçës. Ndërtimi i këtyre rrugëve iu caktua regjimentit të Xhenios, ndërsa për ndërtimin e tre objekteve të tjera që thashë më lart (vendkomandës së shtabit, katër vilave të udhëheqjes së lartë dhe tunelit të thesarit të shtetit) u vunë në dispozicion shumë inxhinierë e specialistë të aftë. Përveç meje, që isha caktuar oficer drejtimi dhe shkoja shpesh herë për të parë ato objekte, gjatë ndërtimit të tyre vinin për inspektim edhe drejtuesit më të lartë të shtetit e të ushtrisë, si Mehmet Shehu, Beqir Balluku etj. Vetëm Enver Hoxha nuk erdhi asnjëherë për t‘i parë ato gjatë ndërtimeve. Punimet për ndërtimin e atyre objekteve sekrete zgjatën më pak se një vit, pasi aty u organizuan një numër i madh forcash të specializuara dhe nuk mungonte asnjë lloj materiali. Ndërtimi i tyre u bë me një cilësi tepër të lartë dhe aty, në zyrat dhe dhomat e punës e të ndenjes së vendkomandës së Shtabit të Përgjithshëm, nuk mungonte asnjë nga elementet e domosdoshëm të jetesës normale. Ato objekte ishin maskuar më së miri me pemë dhe rrjeta kamuflazhi, si dhe ishin parashikuar të përballonin të gjitha goditjet e armikut, si ato atomike, ashtu dhe ato kimike. Kur mbaroi ndërtimi i objektit të vendkomandës së Shtabit të Përgjithshëm në Qafën e Devrisë, i cili ishte i gjithi nën tokë, u vendosën edhe masat e forta të sigurisë për ruajtjen e tij me truproja të posaçme. Aty, në afërsi të atij objekti, u vendos një repart i komanduar nga shefi i mbrojtjes së objekteve, Sytki Korita. Kur mbaroi ndërtimi i objekteve dhe do të bëhej përurimi i tyre, nga udhëheqja e lartë erdhi Mehmet Shehu me Beqir Ballukun e Petrit Dumen, si dhe gjeneralët: Mendu Backa, Vaskë Gjino, Tanush Shyti, Todi Naço e Kadri Brahimaj, që mbante gradën e kolonelit. Të gjithë këta u shoqëruan nga kolonel Dilaver Radëshi, të cilin Mehmeti e merrte gjithnjë me vete në Skrapar, si dhe sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit, Teki Malindi, së bashku me kryetarin e Komitetit Ekzekutiv, Qetsor Kaltanji. Kryeministri Mehmet Shehu i shkeli me këmbë të gjitha objektet, që nga vendkomanda e shtabit, tuneli i thesarit e deri te vilat e udhëheqjes, duke u futur zyrë më zyrë e dhomë më dhomë. Atij i pëlqeu shumë cilësia e ndërtimeve të atyre objekteve dhe na tha: "Ju lumtë, si këto objekte që bëmë këtu, së shpejti do të ndërtojmë edhe në zonën verilindore të vendit".

Dokumenti sekret: 379 ushtarë të vrarë e të plagosur

Por ndërtimi i gjithë atyre tuneleve për nevojat e ushtrisë dhe i veprave të tjera ushtarake nuk do të kalonte lehtë dhe pa pasoja për vendin tonë. Kjo gjë jo vetëm nga ana financiare, pasi ndërtimi i tyre i kushtoi miliona dollarë buxhetit të shtetit, por edhe sepse për ndërtimin e tyre u aksidentuan dhe mbetën të vrarë e të plagosur me qindra e qindra ushtarë, oficerë dhe punonjës të tjerë civilë që u punuan aty. Lidhur me këtë gjë, në fillimin e viteve ‘70, apo më saktë në periudhën dyvjeçare 1972-1973, kanë vdekur 112 ushtarë dhe janë plagosur plot 267 të tjerë, duke e çuar në 379 numrin e të aksidentuarve. Këto shifra tejet alarmante janë marrë nga dokumentet arkivore që disponon Arkivi i Forcave të Armatosura të Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë (tashmë të deklasifikuara e të hapura për studiuesit), të cilat për vite me radhë janë konsideruar si "tepër sekret e të një rëndësie të veçantë". Shifra e 112 ushtarëve të vdekur dhe 267 të tjerëve të plagosur nuk i përket as bilancit të ndonjë lufte apo bombardimi, as dhe të ndonjë katastrofe natyrore. Ajo shifër alarmante u përket viteve 1972-‘73, kur ushtria shqiptare po kalonte ndoshta periudhën më të qetë të saj që nga mbarmi i Luftës së Dytë Botërore në dhjetorin e vitit 1944. Po çfarë thuhet më tej në atë dokument arkivor për ata qindra ushtarë të vrarë e të plagosur dhe cili ishte qëndrimi i udhëheqjes së lartë komuniste të shtetit shqiptar të asaj kohe për atë që po ndodhte në ushtrinë shqiptare dhe veprat mbrojtëse që po ndërtoheshin prej saj?

Dokumenti arkivor, i cili i përket vitit 1974, është titulluar: "Raport mbi disa probleme të punës së partisë lidhur me vigjilencën, rregullin ushtarak dhe punën keqbërëse e armiqësore në njësitë e repartet e ushtrisë". Më poshtë, në atë raport shkruhet: "E shqyrtuam këtë çështje mbi bazën e reparteve që na paraqitën Komiteti i Partisë së K1MBD (Korpusi I i Mbrojtjes Bregdetare) të Fierit e K9K (Korpusi I i Këmbësorisë), organet e sigurimit, Prokurorisë e Gjykatës në ushtri. Ja si na paraqitet gjendja e vitit 1973 në krahasim me vitin 1972 në disa nga treguesit: Tabella Nr.1 (Tabela është ajo e paraqitur në faksimile, shënimi i redaksisë) Problemet, anët e dobëta dhe detyrat e punës së partisë që nxorëm për të përmirësuar gjendjen në të ardhme:

1. Të luftojmë shfaqjet e vetëkënaqësisë e justifikimit që kanë vënd akoma në punën e komiteteve të partisë e të organizatave bazë, të komandave e shtabeve dhe rritja e shifrave në drejtim të aktivitetit armiqësor e keqëbërës, në drejtim të shkeljes së ligjeve, rregulloreve, ikjeve pa leje e ngjarjeve të jashtëzakonëshme, jo të vlersohen siç ndodh në shumë raste, vetëm si pasojë e rritjes së vigjëlencës dhe kërkesës nga ana jonë, por njëkohësisht ato të vlersohen si pasojë e dobësisë së punës, të intesitetit të punës armiqësore e keqëbërëse të armiqëve tanë në drejtim të ushtrisë.

2. Të mbajmë ndezur e të thellojmë luftën kundër liberalizmit dhe të ngremë opinionin e ushtarakëve për t‘ju përgjigjur flakë për flakë, e për të zbuluar e goditur parrullat e armikut, veprimtarinë e tij dëmtuese e çdo shkelje të rregulloreve e ligjeve nga kushdo qoftë dhe këtë, ushtarakët, komunistët e kuadrot e konsiderojnë detyrën numër një. Këtu të luftohet e të çrrënjoset koncepti i shtrembër që ka vëndi, se lufta kundër elementit keqëbërës e armik është detyrë vetëm e organeve të Sigurimit, gjykatave, prokurorisë, koncept ky, që mënjanon organizatën e komitetet e partisë nga roli i tyre udhëheqës, shmang komandat e shtabet nga roli i tyre si organe të diktaturës në ushtri".

Vrasjet e ushtarëve nuk analizoheshin

Siç shihet edhe nga ky dokument që cituam më lart (konfirmohet edhe nga faksimilja e botuar me tabelën përkatëse), i cili është pjesë e raportit të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore i vitit 1974, që i dërgohej Byrosë Politike të KQ të PPSH-së, aty janë të specifikuara llojet e kriminalitetit të ndara në disa pika dhe shifrat që u korrespondojnë atyre për vitet 1972-1973. Në fillim të tabelës shkruhet: "Proçeduar sipas llojeve të kriminalitetit" dhe më poshtë jepen gjashtë pikat: 1. Për largim pa leje. 2. Për shkelje të shërbimit të rojes. 3. Për përvetësim të pasurisë socialiste. 4. Për qëndrim të pakujdesshëm në detyrë. 5. Vdekur nga ngjarje të jashtëzakonëshme. 6. Plagosur nga ngjarje të jashtëzakonëshme. Ajo që të bie në sy shifrat e publikuara në këtë tabelë, ku janë paraqitur llojet e kriminalitetit sipas specifikave, është numri i madh i vdekjeve dhe plagosjeve të ushtarëve për vitet 1972-1973. Sipas asaj tabele të hartuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes Popullore të asaj kohe, rezulton se në atë periudhë kohore kanë vdekur 112 ushtarë dhe janë plagosur plot 267 të tjerë. Por ajo që të bën më shumë përshtypje në atë dokument arkivor është fakti se në raportin që shoqëron atë tabelë nuk thuhet asnjë fjalë për mënyrën e parandalimit të gjithë atyre vdekjeve apo plagosjeve që kanë ndodhur në radhët e ushtrisë shqiptare gjatë punimeve në veprat fortifikuese. Por aty tërhiqet vëmendja për të rritur vigjilencën ndaj armikut e keqbërësve dhe për të luftuar shfaqjet e liberalizmit. Siç duket dhe shihet më së miri në atë dokument arkivor që për vite me radhë ka mbajtur siglën "Tepër sekret", këto ishin dy nga pikat kryesore që shqetësonin udhëheqjen e lartë të PPSH-së dhe Enver Hoxhën në atë kohë. Ndërsa vrasjet e plagosjet e 379 ushtarëve të mbetur viktima vetëm në një periudhë kohe dyvjeçare në vitet 1972-1973, si dhe ato të qindra e qindra të tjerëve që u aksidentuan dhe humbën jetën deri në vitin 1990, kur dhe u ndërprenë punimet ushtarake për ndërtimin e qindra e mijërave bunkerëve dhe tuneleve, janë konsideruar thjesht si statistika të cilat më pas janë arkivuar nëpër dosje me siglën "Tepër sekret". Frika e diktatorit Enver Hoxha për një sulm eventual ndaj Shqipërisë nga shtetet e Traktatit të Varshavës apo ato të NATO-s, e bunkerizoi Shqipërinë në të gjithë territorin e saj. Por ajo gjë u pagua shtrenjtë, me jetët e qindra e qindra shqiptarëve që mbetën viktima të paranojës së tij.

Shifrat nuk bëheshin kurrë publike dhe mbaheshin në fshehtësi të madhe

Pas vitit 1974, numri i të aksidentuarve u rrit shumë më tepër

Periudha kohore e viteve 1972-‘73, ku sipas dokumenteve arkivore të Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë rezulton të kenë humbur jetën 112 ushtarë dhe të jenë plagosur plot 267 të tjerë, nuk është ajo periudhë që ka pasur shifrat më të larta të vrasjeve dhe plagosjeve të ushtarëve. Në vitet që pasuan kjo shifër u rrit disa herë më shumë, por ato mbaheshin në fshehtësi të madhe, duke u konsideruar si "Tepër sekret i një rëndësie të veçantë". Këtë gjë e konfirmojnë disa prej ish-ushtarakëve madhorë të Ministrisë së Mbrojtjes (gjeneralë-kolonelë në pension), të cilët gjatë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës kanë shërbyer për disa dekada me radhë në ushtrinë shqiptare, duke pasur funksione dhe poste me rëndësi deri në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore. Të pyetur rreth kësaj, ish-ushtarakët e lartë dëshmojnë se një nga arsyet kryesore që shifra e vrasjeve dhe e plagosjeve të ushtarëve pas viteve 1973 u rrit së tepërmi, ka të bëjë me atë periudhë kohore kur në ushtrinë shqiptare filluan të ndërtoheshin fortifikimet e shumta. Në ato vite, të cilat janë quajtur ndryshe edhe si periudha e "Fortifikimit dhe tunelizimit" të ushtrisë shqiptare, me vendimin e Byrosë Politike të KQ të PPSH-së dhe personalisht të Enver Hoxhës, filloi ndërtimi masiv i punimeve fortifikuese (bunkerëve) dhe tuneleve ushtarake, të cilat prekën çdo pjesë të territorit shqiptar nga jugu në veri. Kjo gjë, pra periudha e fortifikimit të ushtrisë, erdhi pas goditjes që i bëri Enver Hoxha të ashtuquajturit grupi puçist i Beqir Ballukut, Petrit Dumes e Hito Çakos, të cilët, sipas diktatorit komunist, ishin pajtuar me "Teorinë e Rrëshqitjes", duke e lënë Shqipërinë të pafortifikuar dhe të zbuluar përpara sulmit armik. Si rezultat i atyre punimeve, që konsideroheshin si "Vepra mbrojtëse", të cilat vazhduan me një rritje marramendëse deri në vitin 1990, humbën jetën me qindra e mijëra ushtarë e punonjës të tjerë civilë që ishin angazhuar në ndërtimin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›