KiE: Ligji i lustracionit rrezikon të shkaktojë konfrontim madhor
Bashkëraportuesit e Komisionit Monitorues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kanë deklaruar se ekziston mundësia për një konfrontim madhor mes partive politike përpara zgjedhjeve të qershorit në lidhje me ligjin për lustracionin dhe i kanë bërë thirrje të gjitha palëve që të bëjnë ç’është e mundur për të shmangur një gjë të tillë.
Një ditë pas përfundimit të vizitës së tyre në Shqipëri, në faqen zyrtare të Këshillit të Evropës janë publikuar përfundimet e vizitës së tyre në Shqipëri.
Jaakko Laakso i Finlandës dhe David Wilshire i Mbretërisë së Bashkuar kaluan dy ditë në Tiranë duke diskutuar për ligjin e ri dhe për mënyrën se si është marrë vendimi për emërimin e delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Ata i bënë thirrje Gjykatës Kushtetuese dhe qeverisë që të dërgojnë ligjin e lustracionit në Komisionin e Venecias pranë Këshillit të Evropës për të siguruar se është në përputhje të detyrimeve që ka Shqipëria si anëtare e Këshillit të Evropës.
Një rrugë për të shmangur krizën, sipas raportuesve, mund të jetë shtyrja e implementimit të ligjit të lustracionit, derisa Gjykata Kushtetuese të shohë nëse përputhet me Kushtetutën dhe Komisioni i Venecias të ketë mundësinë ta shqyrtojë atë.
Për sa i përket mënyrës se si është vendosur për delegacionin shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, bashkëraportuesit riafirmojnë se çdo vend anëtar nga 47 vende, duhet të marrë vendime të pavarura duke pasur në mendje nevojën për të nderuar detyrimet për Këshillin e Evropës dhe të punojnë brenda rregullave të tyre të brendshme.