E Diel, 1 Nëntor 2026

Kush ka frikë nga rishkrimi i historisë së letërsisë shqipe?

Agron TUFA 

Ka një enigmë të pashpjegueshme në faktin se si nisen gazetarët tanë dhe forumet e informimit masiv të kërkojnë të vërtetën. Kjo është e njëvlershme si me rastin kur ujku e ka ngrënë qengjin dhe ne, për të dëshmuar asnjanësinë e krimit, dëgjojmë dhe i referohemi hollësisht vetëm dëshmisë së ujkut, si instancë e paluajtshme e të vërtetës së fundit.
Por unë jam shkrimtar dhe, në pajtim me njeriun e paqtë të Volterit, që kujdeset për Kopshtin e vet, dëshiroj t’i kthehem punës konkrete: nëse ky kopsht nuk harret nga flora gjembaçe, degradon në xhungël reptilësh e zvarranikësh helmatisës.
E kam fjalën për idetë që hidhen në letërsinë shqipe, të cilën, një Zot e di, e dua po kaq thellësisht e po kaq dhembshur, sa edhe Dritëro Agolli e çdokush tjetër mëtues i letrave. Prandaj, duke marrë shkas nga intervista e Agollit në “Panorama” (08.09.2008) dhe pikërisht në pjesën e titulluar “Historia e Letërsisë të pasurohet, jo të rishkruhet”, e ndjej organikisht të nevojshme ta rimarr çështjen e shtruar, sepse nyja e problemit ka një natyrë jo vetëm shkencore, por edhe thellësisht morale e etike për një shkrimtar me ndjenjë të esëllt realiteti. Shqetësimi se edhe pas 18 vitesh pas rënies së komunizmit ne jemi ndoshta kultura e vetme në botë (evropiane dhe aziatike) që nuk kemi një Histori të Letërsisë, përbën një të vërtetë të madhe, sikletosëse, e cila e bën të pamundur trajtimin shkencor dhe njohjen e letërsisë shqipe në shkolla, institute studimore, fakultete e më gjerë, në mbarë lexuesin e gjuhës shqipe. Çështja që kam shtruar unë edhe më parë në shtyp ka të bëjë me nevojën urgjente për rishkrimin e Historisë së Letërsisë shqipe. Çështja që shtron Dritëro Agolli ka të bëjë me mbrojtjen e Historisë ekzistuese të Letërsisë shqipe, duke e pasuruar atë. Pra, thelbi i tezave tona reduktohet në dy terma: rishkrim dhe pasurim. Mendoj se ia vlen të ndalemi në peshën e secilës domethënie në kontekstin e shqetësimit që ka përfshirë një nga diskurset më të rëndësishme të kulturës sonë dhe testit për t’u ndarë me trashëgiminë e rëndë të komunizmit.
* * *
Dritëro Agolli thekson në mbrojtje të argumentit të vet, se Historia e Letërsisë shqipe “mund të pasurohet, por jo të rishkruhet nga e para, sepse s’ka sesi të rishkruhet nga e para pa u bazuar, diku do bazohesh”. Përse vallë, pyes, “nuk ka sesi të rishkruhet”? Sepse qenka shkruar?! Kush e ka shkruar? Dritëroi e di mirë për vete, se shkruesit e saj kanë qenë ata mendje të indoktrinuara e mediokre, të cilëve vetë ai u ka bërë karikaturën (Niko Karapataqi, në “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”). A mos vallë, sipas Dritëroit vetëm kritikët dhe studiuesit socrealistë e paskëshin tagrin për shkencë të besueshme? Si erudit, Agolli e di mjaft mirë, se sot ka baza metodologjike bashkëkohore evropiane dhe aspak ideologjike, si në komunizëm, sikundër se ka studiues të rinj (jo akademikë) që i njohin mirë si letërsinë shqipe, ashtu edhe traditat e ndryshme të hulumtimeve shkencore.
Mandej në thellim të argumentit të tij, D.  Agolli arsyeton se rishkrimi do të nisë “që nga periudha e Buzukut. Atëherë do të rishikosh edhe Buzukun, kur me të është marrë edhe Çabej? Të gjithë ata autorë që kanë zënë vend në historinë e letërsisë shqiptare, si Naim Frashëri, Mjeda, Çajupi, Migjeni etj. Ata mund të shkarkohen nga politizimet, por jo ana artistike e tyre”.
Nuk e di pse e ka këtë kasavet D. Agolli, pasi vetë e pranon, se edhe në shkrimet e vjetra shqipe ka patur ideologjizime. Dhe kur një shkencë ka ideologjizime e politizime, ajo manipulohet drejtpërdrejt në thelbin e vet shkencor dhe meriton të rishkruhet e rikonceptuar jashtë tabuve politike. Pra, letërsia shqipe duhet të rishkruhet rishtaz qoftë për periudha të tëra, qoftë duke u rishikuar, në akord me qasjen dhe hulumtimet metodologjike shkencore. Sepse fryma e flligësht e dogmës komuniste ka depërtuar në të gjitha qelizat që përbëjnë kodin e evolucionit të formacioneve stilistike. Dhe D. Agolli e di mirë se nuk është fjala për dokumentet e shqipes nga “Formula e pagëzimit” deri tek Koliqi, por për çlirimin e shkencës dhe studimeve mbi letërsinë nga historicizmi, doktrinat politike apo ideologjike, ashtu siç e pati shtruar dikur Viktor Shkllovskij konceptin e tëhuajësimit (otstranjenjie). Kjo është po aq e qartë, siç është i qartë dhe pohimi se historia e letërsisë nuk është një tufë dokumentesh të thata fosile për t’i varur në muret e muzeve epokalë. Natyrisht që letërsia e periudhës së socializmit, siç e pohon dhe Dritëroi, ka politizime të skajshme. I gjithë problemi qëndron se kjo letërsi e importuar nga modelet sovjetë, e alienuar në një realitet që nxiste perversion psikologjik dhe shpirtëror, nuk ka patur asnjëherë lidhje me zhvillimet procesuale të kodit artistik të letërsisë shqipe parashkrimore dhe shkrimore. Letërsia socrealiste e prodhuar nën imitacionin e huaj, nuk ka patur as identitet, as gjuhë, as logjikë të shëndoshë njerëzore dhe ajo duhet parë si një krim i organizuar terrorist mbi njeriun në përgjithësi. Po t’ia hynim një ndërmarrjeje të tillë, ajo është lehtësisht e vërtetueshme ndër mijëra e mijëra vëllime – një sagë e tërë turpi. Të mos shtiremi e t’i bëjmë njëri-tjetrit palaçon, sepse janë gjëra të vërtetueshme pa farë zori dhe se kujtesa jonë nuk është një kujtesë peshku.
Nëse ka patur shkrimtarë të ndikuar nga fashizmi, ata tragjizmin e tyre e kanë vuajtur në planin moral e mendor si njerëz, kryesisht të joshur e të deziluzionuar nga ideja e hegjemonizmit kulturor. Ata u manipuluan me falsifikimin e idesë mbi të mirën sipas fashizmit, por ama ka një dallim thelbësor nga manipulimi komunist i idesë mbi të mirën. Në tërësi, përveç qëndrimit pro, asnjë shkrimtar profashist nuk e ka vënë veprën e tij letrare në shërbim të fashizmit. Himleri thoshte se fshirja e hebrenjve nga faqja e dheut nuk është çështje gjenocidi, por çështje higjiene parazitësh, e ngjashme me shfarosjen e morrave. Por askush nuk mund ta gjejë jehonën e këtyre ideve raciste në artin filozofik a letrar të Martin Hajdegerit, Karl Shmidit, Gotfrid Benit, Benedeto Kroçes, Ezra Paundit, Knut Hamsunit, Robert Muzilit, Luis-Ferdinand Selinit, Ernest Koliqit apo të pater Anton Harapit. Vepra e tyre është vetëm se artistike, me vlera edukative të gjithëkohshme, mbarënjerëzore. Qëndron krejt ndryshe me edukimin djallëzor komunist të shkrimtarëve, të cilët, papushim iu bënë jehonë dhe mbështetje manipulimit komunist të idesë mbi të mirën, duke na i paraqitur të mira të gjitha punët e zeza. Prandaj krimi komunist qe më i rrezikshëm, sepse ishte i paparashikueshëm për viktimat e tij të ardhshme, ngase çdo njeri, në çdo moment mund të përftonte cilësitë e hamendësuara të armikut.
Shkenca e Historisë së Letërsisë duhet të merret me rishkrimin fundamental të periudhave të saj, veçanërisht epokën 45-vjeçare të dogmës dhe, nëse Dritëro Agolli këmbëngul se ajo ka vlera të mëdha, ato patjetër duhet t’u nënshtrohen kritereve shkencore, qoftë edhe duke “pasqyruar të gjitha anët e aktivitetit të autorëve”. Në gjykimin tim edhe brenda aktivitetit politik duhen bërë dallime logjike në frymën e situatës dhe rrethanave që na diktojnë sjelljet dhe gjestet, pa druar se një qasje e tillë mund të na shpjerë më fort në anë të psikologjisë dhe psikopatologjisë, se sa në anë të shkencave letrare. P.sh., duhen pasqyruar pa dashakeqësi rrethanat politike që e sollën Dritëro Agollin, Kryetar të Lidhjes së Shkrimtarëve në fillim të viteve shtatëdhjetë; si i ka mbrojtur ai shkrimtarët nga persekutimi, internimi, pushkatimi e ndalimi gjatë periudhës që ka qenë kryetar i tyre dhe, në të njëjtën paralele të faktorëve, duhet gjykuar momenti se si u bë Ernest Koliqi Ministër i fashizmit. Duhet hulumtuar, për shembull, si ka ndikuar Dritëroi në edukimin e ndjenjës estetike, atdhetare a humane të lexuesit të njomë, për ta dashur apo urryer partinë dhe komunizmin enverist, përderisa një fatos a pionier, as idenë s’ia ka se ç‘është partia! Prandaj një pjesë të madhe të meritës në dashjen apo urrejtjen e partisë dhe Enverit e ka, padyshim, edhe Dritëroi. Duhet gjykuar me po këto parametra arti letrar i Koliqit, shfrytëzimi që i bëri ai fashizmit për të tejmbushur gjithë Kosovën me shkolla shqipe, mësues nga Shqipëria dhe libra shqip; duhet theksuar e vërteta se ai ishte strategu i big-bangut kulturor e arsimor në Kosovë dhe se kosovarët për këtë duhet t’i kishin ngrehur një përmendore tepër të lartë e të çmuar. Duhet theksuar, sidomos, se sa njerëz të kulturës ka shpëtuar Koliqi nga përndjekja e pushkatimi, përfshij këtu edhe shkrimtarin e majtë antifashist, Petro Marko.
Duhet theksuar në Historinë e Letërsisë shqiptare edhe një dukuri vendimtare - dukuria se ka asi njerëzish që e përdorin pushtetin si marionetë për të realizuar qëllime madhore atdhetare (siç e përdori Koliqi fashizmin), sikundërse ka marioneta të pushtetit, që përdoren si vegla për të shtypur të tjerët. Dhe sidomos duhet theksuar fakti se Koliqi nuk ka qenë asnjëherë anëtar i partisë fashiste, ndërsa Dritëroi ka qenë komunist, anëtar i KQ të PPSH, deputet, në majë të kupolës së kuqe.
Çështja nuk qëndron tek diktaturat e majta apo të djathta (të cilat nuk i ka një individ në dorë). Çështja qëndron të mos dalësh i përlyer si njeri dhe si artist nga murtaja e kaftë apo e kuqe, dhe sigurisht, të mos ndotësh thelbin artistik të veprës tënde. Këto janë çështje që shkojnë shumë larg detyrës së një historiani të letërsisë dhe zor se dialektika e tyre do të përkapet ndonjëherë. Megjithatë e riformulojmë prapë idenë tonë: estetika i paraprin etikës dhe jo anasjelltas. Një edukim monstruoz socrealist ka të pashmangshëm konstruktin shpirtëror etik. Estetika është shkaku, etika – pasoja. Dhe i brumosur me këtë estetikë, edhe pasi të ketë kaluar hipnoza ideologjike, njeriu vijon të mbetet gjatë gjithë jetës komunist, pa e vënë re këtë perversion, pa ndjerë keqardhje, pa ndjerë brerje ndërgjegje, pa ndjerë nevojë për falje. Përkundrazi, shembulli shqiptar përbën aktin më agresiv të arrogancës. Sepse në këtë vend ku janë bërë tërë paudhësitë e botës, jo vetëm që nuk doli kush të lypë njëherë ndjesë, po përkundrazi, po na mësojnë pedagogjikën e brutalitetit, të mashtrimit dhe alibisë, e cila e redukton përfytyrimin tonë në legjitimimin e të drejtës natyrore të mishngrënësve mbi barngrënësit. Ja pra pse nuk ka peshë sot fjala! Sepse ajo përdoret për të artikuluar servilizmin apo interesat banale të klaneve apo partive, sepse dikush ka kurajën, por nuk ka kthjelltësinë e dikush tjetër e ka kthjelltësinë, por nuk ka burrërinë për ta thënë troç. Kësisoj fjala dhe njeriu janë shndërruar në skllevër të njëri-tjetrit, pa e njohur as njëri, as tjetri çlirimin e madh kur fjala mishërohet me të vërtetën e pakushtëzuar nga varësia e rrethanave, interesave dhe personave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›