E Diel, 1 Nëntor 2026

Atentat për hakmarrje në Bllok, vritet 32-vjeçari, plagosen dy miqtë

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 14-06-2011 10:54

Tiranë- Një i vdekur dhe dy të plagosur. Ky është bilanci i një atentati të ndodhur në zemër të ish-Bllokut në kryeqytet, ku një person i armatosur me pistoletë ka hyrë në një nga lokalet më të frekuentuara dhe ka qëlluar 5 herë në drejtim të një tavoline. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 22:00 në lokalin “Baroco” në Tiranë, duke shkaktuar panik te frekuentuesit e shumtë të lokaleve të Bllokut. Dëshmitarë në vendngjarje i thanë MAPO-s se një person është afruar pranë tavolinës, ku ndodheshin në shoqërinë e dy vajzave Nadien Zeneli, Tafa Mandri dhe Bledar Miha. Vetëm pak metra larg tavolinës, atentatori ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar pesë herë në drejtim të tyre, duke i shkaktuar plagën vdekjeprurëse 32–vjeçarit Nadien Zeneli. Dy miqtë e tij janë plagosur lehtë nga plumbat. “Autori ishte i vetëm. Pasi qëlloi në mes të lokalit, ai u largua me shpejtësi në rrugicat e zonës së ish-Bllokut, duke i shpëtuar policisë”,-thotë një dëshmitar i ngjarjes. Kanë qenë personat e pranishëm në vendngjarje ata që i kanë dhënë ndihmën e parë tre të plagosurve, duke i nisur me shpejtësi në drejtim të Spitalit Ushtarak, ku fatkeqësisht Nadien Zeneli nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra. Burime nga ky spital bëjnë me dije se ai ka mbërritur i vdekur, ndërsa gjendja e dy të plagosurve të tjerë është jashtë rrezikut për jetën. Vetëm pak minuta pas krismave, zona e ish-Bllokut është blinduar nga forca të shumta policie. Lokali “Baroco” është zbrazur nga klientët-dëshmitarë dhe është rrethuar si skenë krimi. Mësohet se deri në orët e mesnatës, një numër i madh personash, ku përfshihen kamerierë dhe klientë të lokalit, janë marrë në pyetje në lidhje me detajet e ngjarjes, por ende nuk bëhen të ditura detaje në lidhje me dëshmitë e tyre. Për orë të tëra, të gjithë drejtuesit e Policisë së Tiranës kanë mbledhur të gjitha dëshmitë e personave si dhe provat e gjetura në vendngjarje, me shpresën e identifikimit të autorit të ngjarjes. Nga ana tjetër, pritet të merren dhe kasetat filmike të kamerave të sigurisë së një banke, e cila ndodhej vetëm pak metra larg lokalit ku ndodhi atentati. Pas mbledhjes së provave në vendngjarje, grupi hetimor, i ngritur për këtë ngjarje të rëndë ka nisur punën për zbardhjen e të kaluarës së viktimës dhe miqve të tij. Nga verifikimet paraprake u zbulua se 32-vjeçari, Nadien Zeneli, ishte nga Fushë-Kruja dhe kishte lidhje të ngushta familjare me Hakajt nga fshati Nikël, të cilët janë të njohur për shkak të konflikteve të së shkuarës. “Nuk dimë ende motivet e ngjarjes së ndodhur në ish-Bllok, por një nga pistat të cilat po hetojmë është ajo e konflikteve, për shkak të lidhjeve familjare të viktimës Zeneli” - i tha “MAPO”-s një burim i policisë në vendngjarje. Sipas dyshimeve të para, mësohet se ngjarja mund të ketë lidhje me hasmëritë e vjetra që kjo familje ka pasur, por edhe me konflikte të tjera, më të vona në kohë, të cilat pritet të kalojnë në “sitën” e grupit hetimor të atentatit të ndodhur në zonën më të populluar të Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›