Mediu: Koalicioni i djathtë në ‘09 të jetë gjithëpërfshirës
Partia Republikane konfirmon qëndrimin e saj për krijimin e një koalicioni të djathtë gjithëpërfshirës në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Kreu i kësaj partie, Fatmir Mediu, ka kërkuar gjithashtu gjatë takimeve të zhvilluara në Fier dhe Durrës përfundimin e Kodit Zgjedhor, i cili do përcaktojë edhe aleancat parazgjedhore. Pjesë e takimeve në bazë të krerëve të republikanëve së fundi është bërë edhe ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. "PR i qëndron idesë që koalicioni të jetë gjithëpërfshirës, ku brenda tij të marrin pjesë partitë e djathta që janë brenda jetës parlamentare dhe jashtë saj dhe rruga e vetme për ndërtimin e koalicionit është diskutimi i Kodit Zgjedhor dhe aleancave, ku të përcaktohet pesha elektorale e çdo partie", u shpreh Mediu gjatë takimit në qytetin e Fierit. Kryetari i PR-së ka kërkuar që anëtarët e Asamblesë Rajonale të Qarkut të Fierit të organizohen që tani, me formimin e shtabeve elektorale, propozimin e kandidaturave nga ky qark për deputetë, përcaktimin e anëtarëve të qendrave të votimit etj. Ndërkohë gjatë takimit të djeshëm në qytetin e Durrësit, Mediu theksoi nevojën e organizimit të strukturave të partisë për qytetet që bëjnë pjesë në këtë qark për të bërë identifikimin e plotë të anëtarëve të qendrave të numërimit. Sipas Mediut, "ne republikanët kemi pjesën tonë në këto 18 vite në zhvillimin e Shqipërisë në të gjithë luhatjet që ka pasur jeta politike në Shqipëri. Ne kemi qenë njerëzit që kemi besuar jo vetëm në ëndrrat tona, por kemi vepruar për t'i realizuar ato, për t'i kthyer në realitetin e të gjithë shqiptarëve. Dhe unë besoj se ky realitet është bërë shumë i prekshëm. Ne kemi një përgjegjësi përballë qytetarëve tanë, në mënyrë që këto realitete të kthehen në realitete pozitive". "Ne duhet të përpiqemi të vazhdojmë më tej reformat. Nuk është e mjaftueshme që vetëm të konsiderojmë sukseset, por është e domosdoshme të shikojmë realitetin ashtu siç është, me të gjithë problemet që ka, që t'i japim përgjigje familjeve shqiptare, problemeve të tyre ekonomike dhe të gjithë brezave në Shqipëri, që ata të jenë pjesë dhe bashkudhëtarët tanë", vijoi më tej kreu i PR-së. Në këtë takim ishte e pranishme edhe ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, e cila në fjalën e saj vlerësoi reformat e ndërmarra në fushën e shëndetësisë nga qeveria aktuale.