E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Drejtimi totalitar i Ramës çoi në krijimin e ‘PS ‘91’”

 

Aristir Lumezi

Deputeti socialist Taulant Dedja tha dje se krijimi i "PS '91" ishte përgjigje ndaj drejtimit totalitar dhe përjashtues të PS-së nga ana e Edi Ramës. "Mënyra totalitare e Edi Ramës në drejtimin e PS-së, fryma përjashtuese dhe mbledhja rreth vetes e njerëzve të dyshimtë dhe të akuzuar më parë për afera, janë arsyet e mospajtimit të socialistëve të vërtetë me këtë parti dhe dalja e tyre më vete në një parti realisht të majtë", tha Dedja. Sipas tij, ideja e rikrijimit të PS-së është hedhur që dy vjet më parë. "Kjo ishte një lëvizje e paralajmëruar prej kohësh. Që në kongresin e vitit 2006, kur u rrëzua me pushtetin e kryetarit platforma për rishikimin statutit dhe lejimin e mendimit ndryshe të institucionalizuar në PS, unë isha i pari që hodha idenë e rikrijimit të Partisë Socialiste. Më vjen mirë që disa prej atyre që kundërshtuan fraksionet në PS në atë kohë, sot i cilësojnë fraksionet si shpëtim i ndarjes së PS-së", tha Dedja. Sipas tij, në atë kongres, i cili ishte kongresi që miratoi statutin e ri të PS-së, vetëm një vit pas ardhjes së Edi Ramës në krye të PS-së "u vunë re tiparet uzurpative mbi forumet e PS-së të kryetarit të saj, Edi Rama". "Sot çuditërisht të gjithë e përjetojnë këtë mënyrë drejtimi të kreut të saj në PS, dhe janë të paktë zërat që e kundërshtojnë brenda PS-së", tha Dedja. Deputeti socialist, i cili ka munguar prej disa muajsh në Shqipëri, po përfundon doktoraturën e tij jashtë shtetit. Dedja u shpreh dje se mbështet lëvizjen më të re politike dhe si pjesë e saj. "Mbështes dhe jam pjesë e lëvizjes politike 'PS '91'. Angazhimi me studime jashtë shtetit më mban larg nga aksioni politik në këtë kohë me këtë subjekt. Nga kontaktet që kam pasur këto ditë, mund të them pa rezerva se janë të shumtë ata që pritet t'i bashkohen kësaj partie, edhe nga grupi parlamentar socialist", tha Dedja. Sipas tij, "në ditët në vazhdim në PS do të ketë mjaft reagime të ashpra rreth këtyre qëndrimeve të kryetarit, duke paralajmëruar humbjen e saj nëse vazhdohet me këtë filozofi përjashtuese. "Nëse ai ka veshë t'i dëgjojë, do të jetë mirë për të gjithë socialistët, nëse jo do të jenë të gjithë socialistët që do vazhdojnë të qeverisen nga kryeministri aktual Sali Berisha", tha Dedja. Duke gjykuar figurat drejtuese sot në PS, Dedja shprehet se ata kanë një pikë të përbashkët ku bashkohen. "Nëse do të shohësh njerëzit në drejtimin e PS-së, do të shohësh se janë interesat e forta ekonomike që lidhen me industrinë e ndërtimit, të cilat drejtojnë sot këtë parti, duke injoruar në maksimum traditën e kësaj partie dhe tiparin dallues të saj, solidaritetin. Dikur PS-ja në opozitë mblidhte në selinë e saj çdo ditë me qindra vetë që mbanin të ndezur moralin dhe shpresën e fitores ndaj Berishës, ndërsa fatkeqësisht sot në selinë e saj sheh disa ish-ministra që sillen si ministra me socialistët dhe elektoratin, punonjës të Bashkisë së Tiranës dhe biznesmenë miq të kryetarit", tha Dedja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›