E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrat e PD monitorojnë Tiranën

 

ADI SHKEMBI

Pas përcaktimit të grupeve të punës në 12 qarqet e vendit, demokratët kanë përcaktuar edhe anëtarët e kryesisë që do të monitorojnë nga afër zgjedhjet në Tiranë. Dega e kryeqytetit, e cila pritet të jetë edhe më e nxehta në fushatën brenda Partisë Demokratike, do të vëzhgohet nga afër nga 11 anëtarët e kryesisë së kësaj partie, gjashtë prej të cilëve janë edhe ministra të kabinetit qeveritar. Në minibashkinë nr. 1 në kryeqytet, kryetar i grupit të punës do të jetë ministri i Punëve Publike, njëherësh edhe kryetari aktual i degës së PD-së së Tiranës, Sokol Olldashi. Astrit Patozi, kryetar i grupit parlamentar dhe nënkryetar i PD-së do të drejtojë zgjedhjet në njësinë 3, kurse sekretari i përgjithshëm i demokratëve, Ridvan Bode, do të jetë në minibashkinë nr. 4. Pjesë e zgjedhjeve të demokratëve në Tiranë do të jenë edhe ministrat Jemin Gjana, Genc Ruli, Lulzim Basha e Majlinda Bregu, pavarësisht faktit se janë të angazhuar edhe si kryetarë ose nënkryetarë të grupeve të punës, që do të ndjekin zgjedhjet në disa prej qarqeve të vendit. Në njësinë nr. 8, e cila përkon edhe me zonën nga ku ka dalë dy herë deputet Besnik Mustafaj, do të drejtojë zgjedhjet ish-ministri i Drejtësisë, aktualisht zëdhënës i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi. Ndërkohë nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, do të ndjekë procesin zgjedhor në njësinë nr. 9. Përveç 11 minibashkive të kryeqytetit, Gent Strazimi, zv.ministër i Brendshëm dhe sekretar për organizatat partnere në PD, do të ndjekë zgjedhjet në komunat dhe bashkitë e qarkut të Tiranës. Pak ditë pas përcaktimit të grupeve të punës për Tiranën dhe rrethet, kanë nisur edhe mbledhjet e para të tyre. Të mërkurën sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, ka zhvilluar mbledhjen e parë me grupin e punës për njësinë nr. 4, ndërsa Topalli ka mbledhur gjatë ditës së djeshme në selinë e PD-së grupin e punës për qarkun e Shkodrës, ku ajo do të jetë në krye të këtij procesi zgjedhor. Në mbledhjen e kryesisë së PD-së të zhvilluar të martën në mbrëmje, kryetari i saj, Kryeministri Sali Berisha vendosi të marrë vetë në dorë zgjedhjet në qarkun e Tiranës. Për herë të parë që nga koha e krijimit të Partisë Demokratike, Berisha vendos të marrë drejtimin e një grupi pune për zgjedhjet brenda strukturave. Megjithatë, sipas kandidatit të vetëshpallur për degën e PD-së së Tiranës, Besnik Mustafaj, kjo tregon gjendjen e keqe ku ndodhet kjo degë. "Unë konstatoj me këtë se zoti Berisha është plotësisht i ndërgjegjshëm për gjendjen katastrofike që ka dega e Tiranës dhe që ai me eksperiencën e tij të gjatë në politikë dhe me autoritetin e tij si kryetari i partisë, do të ndërhyjë që dega e PD-së së Tiranës do të dalë nga ajo gjendje, ku e kanë katandisur drejtuesit aktualë të kësaj dege dhe ta vitalizojmë", u shpreh Mustafaj pak ditë më parë.

Grupet e punës

• Minibashkia nr.1        Sokol Olldashi
• Minibashkia nr.2        Jemin Gjana
• Minibashkia nr.3.       Astrit Patozi
• Mimibashkia nr.4        Ridvan Bode
• Minibashkia nr.5        Genc Ruli
• Minibashkia nr.6        Ilir Rusmali
• Minibashkia nr.7        Lulzim Basha
• Minibashkia nr.8        Aldo Bumçi
• Minibashkia nr.9        Jozefina Topalli
• Minibashkia nr.10       Halit Shamata
• Minibashkia nr.11       Majlinda Bregu
• Komuna+bashki           Gent Strazimiri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›