Rama: Arsimi i Berishës, 10% analfabetë
Kryetari socialist, Edi Rama, në konferencën kombëtare për arsimin të zhvilluar në qytetin e Durrësit, tha se qeveria socialiste që do të vijë pas zgjedhjeve të 2009-ës do të zhdukë analfabetizmin. Sipas tij, Berisha po e lë Shqipërinë me 10% të shqiptarëve analfabetë. "Sali Berisha gjeti në 2005-ën një Shqipëri të kthyer pas në të tatëpjetën e analfabetizmit dhe në 2009-ën do të na dorëzojë një vend më analfabet se në asnjë vit tjetër të kësaj periudhe tranzicioni. 10 për qind analfabetë kemi sipas shifrave zyrtare në Shqipërinë e tij të moshës së internetit, e cila në fakt sot më shumë sesa një kompjuteri i ngjan këpucës së Lulit të Vocërr", tha Rama. Sipas tij, PS-ja me të ardhur në pushtet do ndryshojë natyrën e qeverisjes në fushën e arsimit. "Për ta realizuar këtë ndryshim, ne do të ndryshojmë në radhë të parë natyrën e qeverisjes së punëve të arsimit, duke punuar qysh të nesërmen e fitores së zgjedhjeve për një koalicion të fuqishëm me trupat pedagogjike dhe me prindërit", tha Rama. Sipas tij, "pas fitores sonë qershorin e ardhshëm, asnjë fëmijë nuk do të jetë fëmija pa libra në fshatin apo lagjen e tij, dhe asnjë prind nuk do të jetë vetëm e kokulur përballë fëmijës së tij për shkak të pafuqisë ekonomike për të blerë librat", tha Rama. Në konferencën kombëtare për arsimin, e cila vinte pas tryezave me mësues dhe pedagogë në të gjithë vendin, Rama ka bërë dhe premtime konkrete që pritet të pasqyrohen dhe në programin e ri qeverisës të socialistëve. Rama ka premtuar mjete transporti për fëmijët e fshatit, ambiente moderne në çdo skaj të vendit, por dhe bazë materiale falas për nxënësit.