Bulqizë, i dehuri shpërthen dinamitin për t'u vetëvrarë
BULQIZE - Në gjendje të dehur i jep fund jetës duke shpërthyer eksplozivin. Kushtet e vështira eko-nomike mendohet se kanë shtyrë babanë e 4 fëmijëve drejt veprimit ekstrem, para të cilit kishte konsumuar një sasi të madhe alkooli. Ngjarja ndodhi në fshatin Shupenzë të Bulqizës, kur Xhemal Ademi ka ndezur fitilin rreth mesditës. Mësohet se prej kohësh 46-vjeçari nuk punonte, duke pasur si të ardhur të vetme përkrahjen sociale. Ai jetonte në një shtëpi të shkatërruar dhe pa kushtet më minimale të jetesës. Burime pranë familjes Ademi bëjnë të ditur se ai nuk njihej si përdorues i rregullt i alkoolit, por ditët e fundit e kanë parë shpesh në gjendje të dehur. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Bulqizës, ditën e djeshme ai kishte marrë një shishe me raki dhe e ka pirë në oborrin e shtëpisë. Pas rreth 1 ore ka nxjerrë nga xhepi një fitil dinamiti, të cilin e kishte bashkuar me një kapsollë detonatore dhe e ka ndezur. Shpërthimi ka qenë i fuqishëm, duke bërë që Ademi të vdesë në vend. Policia ka mbërritur menjëherë në fshatin Shupenzë, pas një telefonate të banorëve të zonës, por vetëm kanë kryer ekspertizën dhe kanë marrë dëshmitë e familjarëve, pasi i zoti i shtëpisë kishte ndërruar jetë. r.n