E Diel, 1 Nëntor 2026

“PS-PD i trajtojnë zgjedhjet si biznes”

LSI akuzoi dje dy partitë e mëdha se po mbajnë peng Reformën Zgjedhore në dëm të votës së lirë dhe standardeve të kërkuara. 

Aristir Lumezi

Nënkryetari i saj, Pëllumb Xhufi, tha dje se dy partitë, PD dhe PS, po e trajtojnë Reformën Zgjedhore si një operacion biznesi marrje e dhënie mes tyre. “Reforma Zgjedhore ka rënë në inercinë e zgjedhjeve të dështuara të 2005 e 2007. Procesi i reformës po trajtohet si një biznes përjashtues, si një operacion marrje e dhënie mes po atyre shpërdoruesve dhe matrapazëve të votës së shqiptarëve, që jemi mësuar t’i shohim në çdo takim elektoral”, tha Xhufi. Sipas tij, kjo marrëdhënie mes dy partive kryesore, shpjegon injorimin e ftesës që LSI i ka bërë lidershipit të PS-së për një debat të hapur publik për çështjet kryesore të Kodit Zgjedhor. “Vetëm një qasje e tillë e pandershme, shpjegon faktin që thirrjet e përsëritura, që LSI i ka drejtuar lidershipit të Partisë Socialiste për të organizuar një debat të hapur mbi çështjet më thelbësore të Kodit Elektoral, kanë ndeshur në një heshtje prej nënkontraktorësh të kapur. LSI në vazhdimësi ka paralajmëruar dhe do të vazhdojë të insistojë, se procesi zgjedhor është kapur nga politika e vjetër dhe e korruptuar dhe se ai po kushtëzohet nga interesa okulte grupesh okulte, që ashtu si në zaptimin e trojeve, gjejnë gjuhë të përbashkët edhe në zaptimin e pushteteve dhe të institucioneve”, tha Xhufi. Nënkryetari i LSI-së shprehet se Reforma Zgjedhore, e cila duhet të kishte përfunduar para Samitit të Bukureshtit, rrezikon të sjellë probleme në procesin zgjedhor të vitit 2009. Por, sipas LSI-së, një bashkëpunim i tillë mes PD-së dhe PS-së në mungesë të plotë transparence ka sjellë rezultate negative për demokracinë, gjë që është kritikuar dhe nga faktori ndërkombëtar. “Ne kujtojmë se Qeveria dhe bashkëkontraktori (në fakt, nënkontraktori) i tyre i Reformës Zgjedhore, nuk kanë mësuar asgjë nga ndryshimet kushtetuese të 21 prillit, që i vunë ata përballë kritikës mbarëpopullore dhe ndërkombëtare. Në mungesë të plotë të transparencës, ata po ujdisin së bashku nenet e Kodit Elektoral, si gjithnjë jashtë institucioneve dhe jashtë vëmendjes së publikut”, tha Xhufi. Nënkryetari i LSI-së tha se dy partitë po mundohen të bllokojnë punën e Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore, duke vendosur mbi çdo gjë me njëri-tjetrin. “PD-PS pengojnë punën në Komisionin përkatës të Reformës Zgjedhore, ku puna ka mbetur në diskutimin e 10 apo 12 neneve, ndër 140 që parashikohet të ketë Kodi, bashkëkontraktorët kryetarë të këtij komisioni japin në mënyrë të koordinuar sihariqe, sikur ata të dy paskan zgjidhur të gjitha nyjet e vështira të Kodit. Në logjikën e tyre, partive të tjera politike dhe Komisionit të Reformës nuk i mbetet tjetër veç të shprehin objeksionet dhe protestën e tyre, sepse vendimin përfundimtar do ta marrin ata: kjo gjë është rregulluar paraprakisht nga bashkëkontraktorët e reformës në rregulloren e Komisionit të Reformës”, tha Xhufi.

“Kërkesa e “Omonia”-s, provokacion”
Nënkryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, e konsideroi provokacion vendimin e “Omonia”-s për të vendosur gjuhën greke si gjuhë të dytë zyrtare në Shqipëri. “Më duket si një kërkesë e bërë thjesht për provokacion, është provokacioni i radhës, një kërkesë që frymëzohet nga interesa e objektiva, të cilat më së shumti të kujtojnë skenarë të ngjashëm, që ndodhen, jo aq shumë në jug, por në veri të Shqipërisë. Është vërtet për të ardhur keq, sidomos që nga momenti kur në krye të “Omonia”-s është kryebashkiaku i Himarës, kjo organizatë po artikulon kërkesën, apo artikulon ide, të cilat absolutisht nuk janë në të mirë të bashkëjetesës, në të mirë të paqes sociale këtu në Shqipëri, por që jam i bindur që kjo bashkëjetesë nuk dëmtohet nga zëra të tillë, por që për më tepër kjo organizatë, me gojën e Bollanos, po merr gjithmonë e më shumë një rol për të provokuar, për të nxitur armiqësira, zjarre edhe në nivel rajonal, jo vetëm brenda Shqipërisë”, tha Xhufi.

Kodheli: LSI, vegël e Berishës
Zëdhënësja e kryesisë socialiste, Mimi Kodheli, në reagimin e djeshëm ndaj deklaratave të LSI-së dhe nënkryetarit të saj Pëllumb Xhufi rreth bashkëpunimit të PS me PD për Reformën Zgjedhore, tha se kreu i LSI-së po bëhet vegël e Sali Berishës. “U kërkojmë ndjesë të gjithëve për daljet e përsëritura për shkak të sulmeve pa etikë dhe asnjë të vërtetë të Ilir Metës ndaj PSSH. Por, jemi të detyruar të mos heshtim e t’u themi qytetarëve shqiptarë, se Ilir Meta po thellon hendekun me socialistët e progresistët e këtij vendi, duke hedhur përditë baltën e politikës së vjetër mbi PSSH dhe duke treguar përditë me fjalët e tij se përpara interesave të veta personale nuk njeh asnjë interes të vendit e as të qytetarëve. Kështu, Iliri po bëhet një vegël e verbër në duart e Sali Berishës”, reagoi Kodheli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›